Efektet negative të strukturave paralele

Aktuale February 16, 2019 - 13:06
Lexo tjera detaje

Strukturat paralele të Serbisë vazhdojnë të jenë funksionale edhe në Përvjetorin e 11-të të Pavarësisë së Kosovës. Dialogu i Brukselit nuk i ka shuar këto struktura joligjore, shkruan Gazeta "Zëri".

Strukturat paralele serbe sipas ish-ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë efekte negative. Në pjesën veriore, sipas tij, nuk mund të thuhet se ka siguri për qytetarët. “E para, atje mungojnë institucionet e fuqishme, pastaj ato veprojnë me kapacitete të zvogëluara. Në anën tjetër kemi shumë krim të organizuar dhe frikësim të popullatës, mungesë të lirive në shumë aspekte, pastaj zhvatje të bizneseve. Pra efektet janë shumë negative edhe për vetë popullatën në atë pjesë, por edhe për vetë fuqizimin e shtetit të Kosovës”, është shprehur ai për “Zërin”.

LEXO EDHE: 11 vjet shtet, ende me struktura paralele të Serbisë

Madje, sipas ish-ministrit, në pjesën veriore të Kosovës mungon edhe siguria e liria e shprehjes. “Fuqizimi i strukturave kriminale nënkupton se atje mungon siguria, liria e të shprehurit dhe liria e organizimit. Atje pikërisht strukturat që i ka instaluar Beogradi dhe me struktura kriminale e ka bërë kontrollin në veri dhe ka elemente të mungesës së sigurisë”, ka nënvizuar Ferati.

Edhe Edita Tahiri ka vlerësuar se strukturat në fjalë në vazhdimësi i kanë sjellë efekte negative shtetit të Kosovës. “Strukturat paralele kanë krijuar efekte që nga paslufta. Serbia ka arritur ta shtrijë njëfarë influence dhe kontrolli në komunat veriore, por edhe në disa enklava serbe”, ka thënë ajo./ZËRI