Ruajtja e mjedisit, mesazhi i simbolit të Pavarësisë

Aktuale February 16, 2019 - 08:09
Lexo tjera detaje
Image

Ruajta e mjedisit do të jetë mesazhi i sivjetmë i “Newborn”-it, simbolit të Pavarësisë së Kosovës.  Ideatori i këtij obelisku, Fisnik Ismaili, ka bërë të diturpër gazetën “Zëri” se në 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës do të jepen mesazhe për ruajtjen e ambientit, për problemet me ndotjen e ajrit, për energjinë e të tjera, shkruan Gazeta "Zëri".

Në 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës obelisku i “Newborn”-it do të ngjyroset me ngjyra të theksuara, që kanë për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve të Kosovës për ruajtjen e ambientit, për mbrojtjen e ajrit, si dhe për riciklimin e mbeturinave, shkruan Gazeta "Zëri".

Kjo është bërë e ditur nga krijuesi i këtij obelisku, Fisnik Ismaili, i cili gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka thënë që kjo ide i ka ardhur si pasojë e ajrit të ndotur në vend. Ismaili ka bërë të ditur po ashtu se këtë vit monumentit të “Newborn”-it do t’i krijohet një bazament, me qëllim që në të ardhmen të shfrytëzohet edhe si atraksion turistik nga njerëzit që vijnë në qytetin e Prishtinës.

Në planet e Ismailit hyn edhe hapja e një restoranti afër “Newborn”-it me emrin e këtij monumenti, si dhe do të shiten suvenire me figura të këtij monumenti. 

“Newborn”-i, objekti më i famshëm në vend

Zëri: Tashmë 11 vjet “Newborn”-i ka qenë pjesë e Festës së Pavarësisë së Kosovës për secilin qytetar. Si ju lindi ideja për krijimin e monumentit “Newborn”?

Ismaili: Gjithçka ka qenë spontane, diku 11 ditë para shpalljes së Pavarësisë e kemi mbajtur një mbledhje dhe duke folur dolëm me një ide, e cila e kishte mbërthyer gjatë shpalljes së Pavarësisë, një ide e cila është bërë qëllimisht në gjuhën angleze, me qëllim që ky mesazh të përçohet në gjithë botën. Kësisoj “Newborn”-i ka qenë objekti më i fotografuar në ditën e shpalljes së Pavarësisë. Duke qenë se përgjatë jetesës sime në Angli gjithherë kur kanë shkruar për Kosovën kanë publikuar pamje të një plaku pa dhëmbë, të një shtëpie duke u rrëzuar ose diçka tjetër dhe gjithmonë na kanë pasqyruar me një imazh i cili s’i ka pasur hije këtij vendi dhe nuk na ka pasqyruar ashtu si realisht jemi. Pra, kemi dashur të bëjmë diçka që e ka një mesazh ndërkombëtar, për t’i treguar botës që këtu ka edhe njerëz kreativë dhe që dinë të bëjnë gjëra të bukura.

Zëri: Sa jeni të kënaqur me suksesin e arritur dhe a është realizuar synimi juaj?

Ismaili: Ne kemi dashur të japim një imazh interesat për atë ditë, kurse të nesërmen, me 18 shkurt, “Newborn”-i ka dalë në faqe të parë të “New York Times” dhe të gazetave tjera të famshme në botë, të cilat nuk qesin gjithçka në faqe të parë. Ai ka qenë qëllimi kryesor, pastaj erdhën edhe suksese të tjera, të cilat faktikisht nuk i kemi pritur. “Newborn”-i si dizajn i ka fituar 7 çmime ndërkombëtare, duke përfshirë edhe “Luanin e Artë”, i cili është çmimi më prestigjioz në botë në kategorinë e dizajnit. Këto çmime e kanë vendosur në hartën e dizajnit botëror “Newborn”-in, pra më nuk ka qenë vetëm monument, por u bë edhe një vepër artistike. Po ashtu ai është edhe monument turistik dhe rrallë gjen diçka që i ka këta tre faktorë.

 “Newborn”-i këtë vit, me thirrje për ruajtjen e ambientit

Zëri: Deri kur do të vazhdoni ta ngjyrosni “Newborn”-in?

Ismaili: “Newborn”-i e ka natyrën që të shkruajnë njerëzit në të dhe ta ndryshojnë atë. Ai është po ashtu i regjistruar në Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve si “monument i gjallë”, që d.m.th. e ka një status më të veçantë se monumentet e tjera, ku nuk ka mundësi t’i modifikosh. Në të mund të bësh çka të duash, njerëzit mund të shprehen lirshëm, të dalin në fotografi me të etj. Pra qëllimi kryesor i “Newborn”-it është që të tërheqë njerëz, kjo kontribuon edhe në zhvillimin e turizmit dhe të biznesit, sepse njerëzit kanë arsye të vijnë çdo vit të fotografohen dhe ka njerëz që e bëjnë këtë gjë. Pra, kjo i sjell edhe qytetit risi dhe i ndihmon edhe monumentet përreth.
Tashmë Komuna ka dalë me një tender dhe shumë shpejt do t’i bëhet një bazament “Newborn”-it, më në fund. Do të ndriçohet mirë, ndërkohë do ta bëjmë, kemi edhe një mekanizëm që njerëzit të japin ide për dizajnimin e tij për çdo vit.

Zëri: Çfarë mesazhi do të përcjellë “Newborn”-i këtë vit?

Ismaili: Çdo vit “Newborn”-i e ka dhënë nga një mesazh. Sivjet do ta trajtojmë një çështje që është tejet negative, posaçërisht në vendin tonë, por jo vetëm, sepse në gjithë botën kemi problem me ketë çështje. Fjala është për mbrojtjen e ambientit, ngrohjen globale, problemet që po i kemi me ndotjen e ajrit, energjinë, riciklimin, probleme këto që ne çdo ditë ballafaqohemi, posaçërisht Prishtina. Sivjet “Newborn”-i do të marrë një formë, përmes së cilës do të mundohemi t’i vetëdijesojmë njerëzit për mbrojtje të ambientit. Secilës shkronjë ia kemi gjetur nga një domethënie. Niset me shkronjën “N” – natyra, pastaj shkronja “E” vazhdon me diçka e cila është e nevojshme për jetesë e që është energjia dhe mënyra sesi e marrim energjinë. Ne për momentin e trajtojmë qymyrin si elementin kryesor për marrjen e energjisë dhe është tashmë ai debati më i madh kur termocentralet në gjithë botën janë duke u mbyllur, ne në anën tjetër po e hapim një të ri, pra kjo ka për qëllim gjetjen e mënyrave të reja për përfitimin e energjisë, si ajo me erë, solare etj. Më tutje “W” do të jetë për fjalën në anglisht “Water”, që do të thotë “ujë”, kjo do të pasqyrojë nevojën për ujë, faktin që uji po ndotet çdoherë e më shumë në gjithë botën. “B”-ja do të pasqyrojë biodiversitetin, jetën e përbashkët me njerëzit dhe kafshët. “O”-ja oksigjenin, faktin që nuk po kemi frymë të marrim, kjo çështje nuk është vetëm në Kosovë, por në gjithë botën. Duhet të gjendet mënyra që të kemi çka të marrim frymë. “R”-ja riciklimin, kjo fillon prej mënyrës më të thjeshtë e ne nuk jemi të vetëdijshëm që një kënaqe ta riciklojmë. Krejt në fund përfundon prapë me “N”, për natyrën.

Zëri: Sa njerëz kanë punuar për këtë projekt këtë vit?

Ismaili: Meqenëse edhe sivjet ne e morëm iniciativën ta ngjyrosim vetë “Newborn”-in, për vitin e ardhshëm do të krijojmë një mekanizëm që gjithkush mund të japë ide. Sivjet jemi bërë bashkë kompania jonë “Karrota” bashkë me një organizatë “Mural Fest” të Ferizajt, të cilët kanë bërë murale shumë të bukura në Ferizaj dhe pastaj pas një mbledhjeje që e kemi mbajtur dolëm me këtë ide, e cila do të realizohet edhe pse ka shumë punë, por është ide e cila edhe ka të bëjë me temën dhe atë që po ndodh në Kosovë, por është edhe problem global. Ky është qëllimi ynë çdo vit.

 Pranë “Newborn”-it do të ketë dyqan për shitje suveniresh

Zëri: A ju ka ndihmuar Qeveria në financimin e projektit këtë vit?

Ismaili: Hera e vetme që Qeveria ka financuar për “Newborn”-in ka qenë vitin e kaluar kur e kemi bërë edhe numrin një. Sigurisht që edhe sivjet do të mbulojë një pjesë të shpenzimeve, por deri tash shpenzimet kanë qenë vetanake, nga kompania ime që ka punuar me vullnetarë. Mirëpo edhe vullneti i mirë i njerëzve po i bie sikur po keqpërdoret. Prej vitit të ardhshëm kur ta krijojmë mekanizmin për t’u ngjyrosur “Newborn”-i ne duhet gjithsesi ta bëjmë një vend ku mundemi të shesim suvenire të monumentit, sepse në këtë formë krijohen të hyra e me to mund ta mirëmbajmë monumentin. Deri i kam bindur institucionet që duhet ta ngjyrosin “Newborn”-in më ka marrë 5 vjet, deri i kam bindur që duhet të regjistrohet në Institut për Trashëgimi më ka marrë edhe 3 vjet e tash u bënë 11 vjet deri i binda që t’ia bëjnë bazamentin. Mirëpo është proces që nuk ka qare pa rënë në vend e kur të ndodhë kjo do të jetë mirë edhe për qytetin dhe për të gjithë.

Zëri: Cili është mesazhi juaj për rastin e Festës së Pavarësisë së Kosovës?

Ismaili: “Newborn”-i ka nisur një mesazh shpresëdhënës, që t’i tregohet botës se ne jemi shtet i ri e për ta rritur një bebe duhet të përkujdesemi për të. Ideja ka qenë që ne së bashku të vetëdijesohemi që të mundemi ta rrisim këtë bebe. E në fakt tash kjo bebe i bëri 11 vjet dhe për një shtet 11 vjet nuk janë sa për një njeri, 11 vjet janë shumë të gjata për një shtet. Ishte dashur që ne të jemi tepër larg e nuk jemi. Gjithsesi “Newborn”-i duhet ta japë një mesazh, edhe nëse nuk është shumë pozitiv, ai duhet ta japë një mesazh shpresëdhënës, i cili të bën të mendohesh çdoherë që kalon këndej. Mesazhi i sivjetshëm është ky, ruajeni ambientin, rrini gati atij dhe mos u ankoni që nuk po pastrohet qyteti, por kontribuoni ju që të pastrohet. Është përgjegjësi jona që t’i rrimë gati vendin tonë. Deri kur nuk arrijmë të kujdesemi për publiken ashtu siç kujdesemi për privaten ne nuk kemi bërë asgjë./ZERI