Pasojat e para të mospezullimit të taksës

Aktuale February 14, 2019 - 07:51
Lexoni detajet e fundit
Image

Refuzimi i vizës amerikane për kryeministrin Haradinaj dhe anulimi i vizitës në Kosovë nga komandanti i Gardës Kombëtare të IOWA-s, gjeneralmajor Timothy Orr, vlerësohen si pasojat e para për vendin nga mospezullimi i taksës 100 për qind. Analistët politikë thonë se duhet të shqyrtohet mundësia që kur të dërgohet platforma për dialog në Kuvend aty të futet edhe pezullimi i përkohshëm i taksës për t’i hapur rrugë dialogut, shkruan Gazeta "Zëri".

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) po vazhdojnë të kërkojnë pezullimin e taksës së vendosur ndaj produkteve serbe, ndonëse kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj nuk po heq dorë nga vendimi i marrë para gati tre muajsh.
Në vargun e kërkesave për ta pezulluar tarifën prej 100 për qind krerët institucionalë të Kosovës para dy ditësh kanë pranuar edhe një letër nga zyrtarët e lartë të SHBA-së, nëpërmjet së cilës shprehet zhgënjimi i tyre lidhur me çështjen e taksës doganore të vendosur ndaj mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se refuzimi i vizës amerikane për kryeministrin Haradinaj dhe anulimi i vizitës së komandantit të Gardës Kombëtare të IOWA-s, gjeneralmajor Timothy Orr, që parashihej të realizohej me rastin e shënimit të përvjetorit të Pavarësisë në Kosovë, janë pasojat e para me të cilat Kosova është ballafaquar si rrjedhojë e mossuspendimit të taksës, shkruan Gazeta "Zëri".

Ndërkohë, tashmë është bërë e ditur që SHBA-ja ka paralajmëruar edhe masa të tjera ndëshkuese për FSK-në (anulim të programeve trajnuese e edukative) po që se taksa nuk pezullohet. Sipas analistëve, po që se Qeveria vazhdon të këmbëngulë në mosheqje të taksës, atëherë masat e tilla ndaj Kosovës mund të radikalizohen.

Tahiri: Presioni ndërkombëtar karshi Kosovës, jo i drejtë

Në letrën që zyrtarët e lartë të SHBA-së ia kanë dërguar para pak ditësh presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, kryetarit të Kuvendit Kadri Veselit dhe kryeministrit Ramush Haradinaj thuhet se është e pabesueshme që Kosova të mos e marrë në konsideratë këshillën e SHBA-së për pezullim të tarifës. “Është e pabesueshme që pas gjithë asaj që kemi bërë së bashku Kosova vlerëson miqësinë tonë kaq ulët, aq sa të injorojë këshillën tonë”, thuhet në letrën e firmosur nga ndihmëssekretari amerikan i Shtetit Matthew Palmer, ndihmëssekretarja e Mbrojtjes Laura Cooper dhe zëvendësdrejtori për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare John Earth. Por as pas kësaj letre kryeministri Haradinaj nuk ka ndërruar qëndrim rreth taksës.

Gjersa ka komentuar zhvillimet e tilla ish-kryenegociatorja e dialogut me Serbinë, Edita Tahiri, ka konsideruar se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të bëjë presion vetëm te Kosova që ta heqë taksën, por presioni sipas saj duhet të drejtohet edhe kah Serbia. “Faktori ndërkombëtar, SHBA-ja, por edhe faktori evropian duhet të bëjnë presion të baraspeshuar. Kjo i bie që duhet t’i bëjnë presion edhe Serbisë që t’i përmbushë të gjitha marrëveshjet të cilat kanë mbetur pa u përmbushur, siç është ajo e energjisë”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Në momentin kur presioni ushtrohet edhe mbi palën serbe, sipas Tahirit, atëherë edhe Qeveria e Kosovës mund të reflektojë dhe ta marrë për bazë presionin ndërkombëtar.  “Kur bëhet një presion serioz ndaj Serbisë për t’i zbatuar marrëveshjet e mbetura, për të mos i shkelur marrëveshjet e arritura ose për të mos punuar me destruksion kundër Kosovës, atëherë edhe Qeveria jonë e merr në konsideratë këtë presion. Por t’i bëhet presion vetëm Kosovës derisa Serbia është e njohur për destruksion, për mua kjo është jo e drejtë”, ka potencuar ajo.

Ahmeti: Taksa nuk i prish raportet me SHBA-në

Teksa ka folur rreth çështjes së taksës, bashkëkryesuesi i ekipit negociator për dialogun Shpend Ahmeti ka thënë se liderët institucionalë duhet të jenë të bashkuar rreth çështjeve madhore. Me këtë rast Ahmeti ka konsideruar se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj duhet të mbështetet sa i përket taksës, të mos lihet i vetëm në këtë drejtim. “Nuk jemi të fortë karshi të tjerëve nëse s’ka dakordim në mes krerëve të institucioneve. Ky është vendim i Qeverisë, nuk duhet ta lëmë kryeministrin vetë në këto tema nacionale”, ka deklaruar kreu i PSD-së.

Pavarësisht presioneve të fundit, ai është shprehur i bindur se taksa nuk do të çojë drejt cenimit të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Është e qartë që ka filluar të eskalojë marrëdhënia me SHBA-në, por nuk besoj që taksa mund të bëhet shkak për prishjen e këtyre marrëdhënieve”, ka potencuar Ahmeti.

Ndërkohë, edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi ka vlerësuar se taksa ndaj produkteve serbe duhet të mbetet në fuqi. “Është çështje e institucioneve se cili do të jetë vendimi, por mendoj që taksa si një masë për ta ndëshkuar Serbinë është shumë e drejtë. Serbia nuk ka treguar se ka vullnet që t’i ndërrojë sjelljet ndaj Kosovës që të hiqet taksa”, ka deklaruar ai. Sipas Kurteshit, bashkësia ndërkombëtare ka shumë arsye që të ushtrojë presion në drejtim të Serbisë e jo një gjë të tillë ta bëjë vetëm karshi Kosovës. Serbia sipas tij në vazhdimësi ka punuar dhe po vazhdon të punojë për ta dëmtuar Kosovën.

Ismaili: Masat e SHBA-së ndaj Kosovës mund të radikalizohen

Njohësi i çështjeve politike, Valmir Ismaili, ka konsideruar se BE-ja dhe veçanërisht SHBA-ja janë duke e bërë të qartë që çështja e taksës është një çështje serioze dhe se pezullimi i saj është më rëndësi për vazhdimin e dialogut. Këmbëngulësia e Qeverisë për të mos reflektuar rreth taksës sipas tij tashmë ka sjellë pasojat e para ndaj Kosovës. “Refuzimi i vizës për Haradinajn e anulimi i vizitës së gjeneralit amerikan janë pasojat e para të mospezullimit të taksës. Natyrisht që këto masa mund të shkojnë drejt radikalizimit, mund të ndodhë që ndihmat në sektorë të ndryshëm që vijnë nga SHBA-ja për Kosovën të pezullohen ose edhe të ndodhë një ndërprerje e komunikimit diplomatik me kryeministrin”, është shprehur hulumtuesi i organizatës joqeveritare “Demokraci Plus”.

Megjithëkëtë, duke parë këmbëngulësinë e kryeministrit për të mos e hequr taksën, sipas Ismailit, nuk kanë mbetur edhe shumë opsione në tavolinë sa i përket asaj se ç’mund të ndodhë me tarifën në fjalë. Por sipas tij as zgjedhjet e parakohshme nuk do ta zhbënin taksën para formimit të qeverisë së re. “Edhe shkuarja potenciale në zgjedhje nuk do ta largonte taksën para formimit të Qeverisë. Një ndryshim i Qeverisë pa shkuarje në zgjedhje vështirë që do të mundë të ndodhte, duke pasur parasysh pozicionet aktuale edhe të partive në pushtet, edhe të atyre në opozitë”, ka theksuar ai.

Një opsion tjetër, siç Ismaili ka deklaruar, ka të bëjë me mundësinë që kur të dërgohet platforma për dialog në Kuvend aty të futet edhe pezullimi i përkohshëm i taksës për t’i hapur rrugë dialogut. “Në këtë formë përgjegjësia e pezullimit të taksës do të kalonte nga Qeveria te Kuvendi dhe kështu Haradinaj në një formë do ta hiqte përgjegjësinë nga ana e tij”, ka nënvizuar ai./ZËRI