Shoqëria civile: Përfaqësimi i partive në KQZ pas ndarjes së tyre, precedent i rrezikshëm

Aktuale February 12, 2019 - 20:26
Lexo detajet!

Komisioni Qendror Zgjedhor, që nga pranvera e vitit të kaluar, vazhdon të mbetet i pakompletuar për shkak të mos dekretimit të anëtarëve të rinj nga Presidenti i vendit, pasi ai kishte kërkuar që grupet parlamentare të propozojnë nga një anëtar kurse LDK dhe VV kishin dërguar dy. Për këtë shoqëria civile shprehet se përfaqësimi i subjekteve në KQZ pas ndarjes është precedent i rrezikshëm.

KQZ mbetet ende e pa kompletuar për shkak se Presidenti i vendit ka paqartësi për anëtarët e rinj të këtij institucioni, rreth asaj se a duhet  anëtarët të emërohen nga grupet parlamentare që kanë dalë nga subjektet politike që i kanë fituar zgjedhjet apo nga grupet parlamentare që janë krijuar pas formimit të Kuvendit të Kosovës.

Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës, shprehet se përfaqësimi i partive politike në KQZ pas ndarjes, është shembull i rrezikshëm.

“Nëse dëshirojmë të krijojmë precedentë të cilat vendosin se subjektet pasi të ndahen ose bashkohen të jenë të përfaqësuara në KQZ, atëherë konsideroj se është një veprim i rrezikshëm, pasi subjektet e mëdha mund të ndahen qëllimisht tri deri në katër herë, vetëm për të fituar një anëtarë më shumë në KQZ”, deklaroi Spahija, raporton RTV Dukagjini.

Anton Nrecaj, nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim regjional thotë se sipas ligjit, partitë që kalojnë pragun zgjedhor kanë të drejtën e anëtarit në KQZ.

“Sipas ligjit, koalicionet ose subjektet politike që kalojnë pragun zgjedhor kanë të drejt t’i kenë anëtarët e tyre në KQZ, procedurë kjo që shkon përmes Presidentit”, shprehet Anton Nrecaj.

Këtë ceshtje Presidenti e kishte dërguar për interpretim edhe në Gjykatën Kushtetuese, megjithatë Kushtetuesja e kishte konsideruar si të papranueshme.