Kollçaku: Të fillojë edukata seksuale në shkolla

Kollçaku: Të fillojë edukata seksuale në shkolla

Aktuale shkurt 11, 2019 - 22:30
Lexo Detajet

Deputetja e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku, ka thënë se në shkolla duhet të futet lënda e edukimit seksual, në mënyrë që të evitohen raste si ai i Drenasit.

Kollçaku në RTV Dukagjini, ka thënë se rasti i vajzës në Drenas është një formë e skllavërimit seksual.

“Këto viktima në fillim duhet ta kenë mbrojtjen e shoqërisë. Ne si shoqëri duhet të kalojmë nga fjalët në vepra”, tha ajo, përcjell Telegrafi.

Deputetja e Vetëvendosjes ka thënë se rasti i Drenasit duhet të shërbejë për fillimin e një debati të hapur në shoqëri dhe të mos ketë më tema tabu.

“Ta zbatojmë legjislacionin aktual, por edhe të plotësojmë legjislacionin duke filluar nga shkolla, ku fatkeqësisht filloi abuzimi i së miturës. Të fillojmë me edukatë seksuale dhe edukatë ligjore në shkolla, që fëmijët të mësojnë për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre… Të mos ketë më tabu-tema”, tha ajo.

Kollçaku ka thënë se qendrat sociale që merren me problemet e ndjeshme nuk përkrahen nga institucionet shtetërore.

“Të gjithë ministrat madje edhe zëvendësministrat kanë vetura dhe shkojnë me to në deti, ndërsa këto qendra sociale nuk kanë vetura e as fonde”, tha Kollçaku.