Kritikohet taksa, por jo edhe lobimi i Serbisë

Aktuale February 11, 2019 - 08:15
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Zyrtarët e Bashkimit Evropian që nga muaji nëntor me dhjetëra herë kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës ta tërheqë vendimin për taksën 100% ndaj mallrave serbe, por me vite të tëra kanë heshtur përballë agresion diplomatik të Serbisë kundër Kosovës. Deputetët dhe analistët politikë në vend thonë se BE-ja nuk po i trajton njëjtë Prishtinën dhe Beogradin, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Serbia viteve të fundit ka hyrë në ofensivë diplomatike kundër Kosovës, duke e penguar anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare, si dhe duke i bindur disa shtete që ta tërheqin njohjen ndaj Kosovës.

LEXO EDHE: Nesër pritet të prezantohet platforma për dialogun

Por ndaj këtij agresioni diplomatik të Serbisë zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë qëndruar indiferentë, ndërsa në momentin që Kosova si kundërpërgjigje ndaj Serbisë ka vendosur taksën 100% ndaj mallrave të këtij shteti zyrtarët e BE-së kanë filluar presionin mbi qeverinë “Haradinaj”.

Deputetët dhe analistët politikë në vend thonë se BE-ja nuk po i trajton njëjtë të dyja vendet.

Ndër zyrtarët e paktë të huaj që kanë kritikuar agresionin diplomatik të Serbisë kundër Kosovës është ambasadori i Gjermanisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Christoph Heusgen. Ai në mbledhjen e javës së kaluar të Këshillit të Sigurimit përveçqë ka kërkuar nga Kosova ta heqë taksën, ka kërkuar edhe nga Serbia të ndalë lobimin kundër Kosovës.

“Daçiq vetë ka udhëtuar në shtetet të cilat kanë bërë tërheqjen e njohjeve. Nuk e kuptoj logjikën prapa kësaj: Shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Njohja e Kosovës është e njëjta mënyrë për t’u futur në BE. Duke i shtyrë vendet që ta tërheqin njohjen e Kosovës ju jeni duke e goditur veten me duart tuaja dhe unë nuk e kuptoj këtë”, ka thënë Heusgen.

Haxholli: Serbia është futur në një rrugë qorre

Fatmir Haxholli, këshilltar politik i ministrit të Jashtëm Behgjet Pacollit, ka thënë për “Zërin” që lobimi negativ i Serbisë kundrejt Kosovës është qasje e cila po kritikohet nga shtetet mike të Kosovës, siç është Gjermania.

“Qëllimi i fushatës së Serbisë në lidhje me njohjen e shtetësisë së Kosovës ka të bëjë me përhapjen e konfuzioneve dhe të mesazheve të kësaj natyre në komunitetin ndërkombëtar. Rrjedhimisht ky është një qëllim i mbrapshtë, i cili është në dëm të rajonit në përgjithësi. Në anën tjetër, e kemi parë në deklarimet e fundit të diplomatëve perëndimorë, veçmas të atyre gjermanë që fushata e Serbisë kundër Kosovës e dëmton edhe Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”, ka thënë ai për “Zërin”.

Sipas tij, Ministria e Punëve të Jashtme është duke punuar me qëllim që dëmet të cilat Serbia po mundohet t’ia shkaktojë Kosovës të mos zënë vend.

“Qasja e Serbisë kundrejt Kosovës është një qasje e mbrapshtë e Serbisë, por në këtë pikë Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucionet e Kosovës po tregohen aktive që të amortizojnë dëmet të cilat po synon t’ia shkaktojë Serbia Kosovës. Rruga në të cilën është futur Serbia është një rrugë qorre, në të cilën do të ngecë vetë ajo”, ka theksuar më tutje ai.

AAK: Taksa nuk hiqet, duam dialog pa kushte

Ndërsa deputeti nga radhët e AAK-së Rasim Selmanaj, derisa ka theksuar se taksa 100% ndaj produkteve që vijnë nga Serbia nuk do të hiqet, ka thënë edhe se partia e tij është për një dialog pa kushte.

“Tashmë dihet që taksa nuk hiqet. Është një vendim sovran i shtetit të Kosovës, pra i Qeverisë. Ne jemi për dialog, por jo dialog me kushte. Sepse edhe ne mundemi të qesim kushte, sepse kemi shumë arsye, por dialogu duhet të zhvillohet pa kushte. Është një ide shumë e mirë që taksa të jetë kur bisedohet për marrëveshjen përfundimtare”, ka thënë ai për “Zërin”.

Selmanaj ka theksuar se vendimi i Qeverisë së Kosovës për mosheqje të taksës është edhe qëndrim zyrtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kusari-Lila: Kosova ta kërkojë nga Serbia zbatimin e marrëveshjeve

Ndërsa kryetarja e Alternativës e njëherësh edhe ish-ministre e Tregtisë, Mimoza Kursari-Lila, ka deklaruar për gazetën “Zëri” që ndonëse taksa ishte vendim i duhur, përsëri do të duhej të vendosen objektiva dhe kushte të qarta për Serbinë nga ana e Kosovës.

Nga Serbia, sipas Kusari-Lilës, duhet të kërkohet respektimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani mes dy shteteve.

“Qeveria e Kosovës gabimin kryesor po e bën që nuk po kërkon të bëhet zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialog, të afatizohet një veprim i tillë, sepse janë shumë marrëveshje që i kushtojnë Kosovës me miliona euro, shumë më shumë sesa vlera e dëmit që ia bën Kosova Serbisë me taksën. Prandaj vetëm po humbim kohë dhe nuk po dakordohemi për formën konstruktive ndaj taksës. Është shumë e rëndësishme që prej taksës nuk duhet vetëm të humbë materialisht Serbia, por edhe të fitojë Kosova”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj, kërkesa e qeverisë “Haradinaj”, që taksa të mbetet në fuqi deri në njohje nga Serbia, nuk është e realizueshme, prandaj duhet të krijohen objektiva tjera të qarta.

“Kosova ka një mundësi të vendosë kërkesa konkrete ndaj Serbisë, përveç procesit të lobimit, janë edhe disa kërkesa tjera që lidhen me marrëveshjet e pazbatuara nga ana e Serbisë dhe të nënshkruara. Prandaj taksa është masë e domosdoshme, por duhet të ketë kushtëzime dhe objektiva më të qarta. Vendimi i cili është shkruar lë një hapësirë shumë të gjerë, por edhe kërkesa që taksa të hiqet kur Kosova të njihet nga Serbia, synimi që të marrë pjesë në dialog dhe ta mbajë taksën nuk është i arritshëm”, ka vlerësuar ajo.

Heqja e taksës pa asnjë kusht nga ana e Kosovës sipas saj është e paarsyeshme derisa Serbia po vazhdon me qëndrimin armiqësor ndaj Kosovës.

Baraliu: BE-ja po favorizon Serbinë

Në anën tjetër, analisti Mazllum Baraliu presionet e Bashkimit Evropian kundrejt Kosovës për heqjen e taksës i sheh si të padrejta, pasi që i njëjti presion nuk po bëhet edhe ndaj Serbisë, e cila po vazhdon propagandën ndaj shtetit të Kosovës.

“Presionet e BE-së për heqje të taksës janë kërkesa të padrejta dhe të papranueshme, sepse po i bëhen vetëm Kosovës dhe në asnjë çast Serbisë, e cila jo vetëm që ka qenë agresore, por ka qenë gjenocidiste ndaj Kosovës dhe ka bërë krime të panumërta në Kosovë. Serbia vazhdimisht ka nënshkruar marrëveshje me Kosovën dhe nuk i ka zbatuar ato, vazhdimisht BE-ja si ndërmjetësuese e ka favorizuar Serbinë në dëm të Kosovës”, ka thënë ai për “Zërin”.

Sipas tij, vendimi për taksë 100% ndaj produkteve serbe është vendim i një shteti sovran dhe si i tillë duhet të respektohet nga të gjithë.

“Qëndrimi konsistent i qeverisë ‘Haradinaj’ është plotësisht me vend dhe në frymën e interesave të qytetarëve të Kosovës, nuk është në dëmin e askujt. Duke e pasur parasysh këtë, miqtë e Kosovës nga të gjitha anët duhet ta kenë të qartë që presioni është joparimor, sepse Serbisë nuk po i bëhet presion, derisa ajo ka obligim ndaj neve sepse ajo ka bërë krime lufte”, ka thënë ai.

Baraliu e vlerëson taksën si veprim të drejtë të Qeverisë, e cila nuk duhet të ndikojë në dialog me Serbinë.