Nesër pritet të prezantohet platforma për dialogun

Aktuale February 11, 2019 - 08:12
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Ekipi negociator pritet që të martën (nesër) ta prezantojë në Kuvendin e Kosovës platformën për dialogun me Serbinë. Përveç PSD-së, kjo platformë nuk pritet të ketë përkrahje nga partitë tjera opozitare. Analistët vlerësojnë që platforma nuk do të jetë e plotë, pasi që në përpilimin e saj nuk ka pasur kontribut nga LDK-ja e LVV-ja, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ka kaluar gati një muaj nga koha e paraparë me rezolutë që ekipi negociator do të duhej të dilte me platformën për dialogun. Me gjithë këto vonesa këto ditë pritet që në Kuvendin e Kosovës të prezantohet kjo platformë.

LEXO EDHE: Një parti, dy deputetë, zero unitet

Shpend Ahmeti, bashkëkryesues i këtij ekipi, ka paralajmëruar para disa ditëve që të martën do ta dorëzojnë në Kuvend platformën, ku shpreson që do të ketë përkrahje nga deputetët, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Mirëpo, si për Projektligjin për Dialogun, as platformën nuk do të mbështesin dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Analistët  vlerësojnë që kjo platformë mund të kalojë në Kuvendin e Kosovës, por nuk do të jetë gjithëpërfshirëse pa kontributin e LDK-së dhe të LVV-së.

PSD-ja pret që platforma të përkrahet nga LDK-ja e LVV-ja

Deputetja e Partisë Socialdemokrate, Besa Baftiu, në një përgjigje për “Zërin” është shprehur se edhe pse LDK-ja e LVV-ja kanë dalë kundër ekipit negociator për dialogun me Serbinë, ajo shpreson që do ta përkrahin platformën që ky ekip do ta prezantojë në Kuvend.

“Ne besojmë që do të ishte e drejtë që ata ta mbështesnin këtë platformë dhe i thërrasim që të bëhen pjesë e grupeve punuese, edhe të Projektligjit për Dialogun, edhe pse nuk e kanë votuar në lexim të parë, sepse ka raste që edhe ne si opozitë nuk e votojmë në lexim të parë, por pas ndryshimeve që varen nga grupet punuese mund ta ndërrojmë qëndrimin dhe të votojmë pro kur dalin në lexim të dytë. Ne presim që ata të japin kontribut, ndonëse janë deklaruar që nuk do të japin kontribut e nuk do ta përkrahin as platformën e as Projektligjin”, ka thënë Baftiu.

Baftiu e sheh të paarsyeshme që opozita ka dalë kundër Projektligjit për Dialogun, i cili, siç thotë ajo, ia pamundëson presidentit Thaçi që vetë të dialogojë për Kosovën, gjë të cilën e kanë dashur dy partitë e mëdha opozitare.

“Sa i përket platformës, ne presim që të ketë mbështetjen e të gjithë deputetëve të Kosovës, në atë mënyrë që të jemi më të unifikuar, të jemi më të bashkuar me një platformë që ne e paraqesim në dialog karshi Serbisë. Të gjitha këto veprime dhe qëndrime të LDK-së dhe të LVV-së janë të paarsyeshme dhe të pajustifikueshme. Nëse këto dy parti përmes një rezolute kanë dashur që nga bisedimet me Serbinë të largohet kryetari i shtetit, është e pakuptueshme që nuk e kanë votuar Projektligjin i cili ia mohon ose pamundëson presidentit që ai vetë të dialogojë në bisedime me Serbinë”, ka potencuar Baftiu.

Kurteshi: LVV-ja nuk e përkrah platformën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, në një përgjigje për “Zërin” ka thënë se Vetëvendosja mban qëndrimin kundër ekipit negociator dhe kundër platformës që ata do ta prezantojnë.

Duke iu referuar vonesës së prezantimit të platformës, Kurteshi u shpreh se me këtë ekip e gjithë rrjedha e dialogut ka shkuar mbrapsht.

“Çështja është që ky ekip ka mbjellë një ligj të cilin unë e kam quajtur ligj topuz, domethënë që nxjerr ligje tjera nga fuqia dhe pas kësaj tash e kanë një platformë. Kanë nxjerrë ligj para se ta dinë për çka do të bisedohet, platforma do të duhej të ishte themeli mbi të cilën do të duhej të ndërtoheshin me strategji, me taktikë, me delegacion, me kërkesa e me çdo gjë tjetër”, ka thënë Kurteshi.

Ai deklaroi se negociatorët deri tash nuk i kanë vënë kushte Serbisë në dialog, por i janë drejtuar me oferta, ai thotë se LVV-ja e kupton faktin që duhet të dialogohet, por nuk pajtohet me mënyrën e dialogut që është bërë deri më tash.

“Negociatorët në të vërtetë deri tash i kanë bërë oferta Serbisë dhe nuk i kanë bërë kërkesa. Ne si Kosovë jemi kundër në këtë proces, nuk ka dialog Serbi – Kosovë, por po bisedohet për Kosovën dhe ky është problemi. Si do të ketë normalizim me Serbinë kur ajo ende nuk na pranon kufijtë, nuk na pranon subjektivitetin, as të brendshëm e as ndërkombëtar, atëherë me kë po dialogojmë pra. Ne si LVV e dimë që në çdo rrethanë, qoftë edhe me armikun më të madh, duhet të bisedohet, por bisedimet që i kanë bërë këta deri më tani janë dëshmuar si jashtëzakonisht të dëmshme dhe jashtëzakonisht të rrezikshme për Kosovën”, theksoi ai

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila nuk e votoi Projektligjin për Dialogun, ka dalë disa herë kundër ekipit dhe platformës që mund ta sjellin ata në Kuvend. Kjo parti është shprehur se ekipi negociator me këtë përbërje nuk mund t’i përfaqësojë dhe t’i parashtrojë në dialog kërkesat e Kosovës.

Murati: Platforma është e papërmbushur pa kontributin e opozitës

Analisti Politik Artan Murati ka vlerësuar se platforma për dialogun e ekipit negociator nuk është e plotë pa kontributin e LDK-së dhe të LVV-së.

“Qysh prej fillimit ideja ka qenë të jetë një platformë gjithëpërfshirëse dhe një platformë shtetërore, me vetë faktin që LDK-ja dhe LVV-ja nuk janë të përfshira, kjo nuk e arrin atë konsensusin e përgjithshëm që e kemi kërkuar tash e sa kohë. Pa LDK-në dhe LVV-në është problem që të konsiderohet gjithëpërfshirje çfarëdolloj dokumenti i cili do të hartohet dhe do të kalojë në Kuvendin e Kosovës për këtë proces”, ka thënë Murati.

Ai beson që me një shumicë të thjeshtë, nëse eventualisht do të kenë kuorum, kjo platformë do të kalojë me përkrahjen e koalicionit qeverisës dhe të PSD-së, mirëpo nuk pret përkrahje nga dy partitë tjera opozitare.

“Sa i përket përkrahjes prej partive opozitare, konsideroj që kjo platformë do ta marrë së paku përkrahjen prej PSD-së, pasi që ata janë prej drejtuesve kryesorë në ekip, ndërsa për LDK-në dhe Vetëvendosjen është pak vështirë e besueshme që do të përkrahin gjithçka që lidhet me dialogun me Serbinë e që nuk del prej tyre ose që nuk kanë qenë të përfshirë në të”, deklaroi Murati.

Ai thotë që edhe LDK-ja dhe LVV-ja do të duhej t’i kishin argumentet ose qëndrimet e tyre se si do të duhej të ishte platforma shtetërore për dialogun, mirëpo në këtë fazë Murati konsideron që është pak vonë të binden LDK-ja dhe LVV-ja që të përfshihen në ekipin qeveritar për dialogun me Serbinë.