Kamuflimi i Thaçit me korrigjimin 'e lehtë' të kufirit

Aktuale February 11, 2019 - 07:56
Lexo detajet!
Image

Presidenti Hashim Thaçi vazhdon të këmbëngulë në idenë e tij për korrigjim të kufirit me Serbinë, por së fundi ka zbutur diskursin, duke përmendur korrigjimin “e lehtë”. Përfaqësuesit e opozitës dhe analistët politikë thonë se kjo është lojë me fjalë e kreut të vendit, pasi që ideja është e njëjtë dhe ekziston rreziku që “Kosova me lehtësi t’i humbë dy-tri komuna në veri”, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili verën e kaluar kishte dhënë idenë për korrigjim të kufijve me Serbinë, po vazhdon të qëndrojë prapa idesë së tij, por duke e zbutur diskursin.

Në një debat me ekspertë të Ballkanit në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington presidenti Thaçi ka deklaruar se marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të përfshijë edhe korrigjimin “e lehtë” të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Njëra nga pikat do të jetë edhe demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë...kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë. Nëse një korrigjim i lehtë i kufirit është çmimi për marrëveshje përfundimtare të paqes, atëherë kjo do të duhej të ishte e pranueshme”, është shprehur ndër të tjera Thaçi.

Presidenti Thaçi korrigjimin e kufijve e kishte nisur fillimisht me idenë për shkëmbim territoresh me Serbinë, e cila u kundërshtua kategorikisht pasi vlerësohej se kjo përbënte rrezik që Kosova të humbte veriun në këmbim të Luginës së Preshevës.

Duke e zbutur diskursin ai e ka kthyer në korrigjim të kufijve idenë e tij, por duke qenë se edhe kryeministri, por edhe partitë opozitare në vend vazhdojnë të jenë kundër këtij korrigjimi Thaçi ka nisur të luajë me fjalët, duke e quajtur “korrigjim i lehtë”.

Deputeti i partisë së kryeministrit Haradinaj, Ahmet Isufi, në një përgjigje për “Zërin”, duke bërë të qartë qëndrimin e Qeverisë ndaj kësaj çështjeje, u shpreh se Kosova do t’i mbrojë kufijtë që ka pasur në kohën kur është shpallur shtet.

“Shteti i Kosovës e ka shpallur pavarësinë në bazë të kufijve që i ka tash dhe që kanë qenë edhe më 17 shkurt 2008. Interesat e Kosovës janë që të mbrohet Kosova si shtet në kufijtë e saj në kuadër të Kushtetutës dhe në bazë të të gjitha angazhimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë Isufi.

Beqa: PDK-ja është pro korrigjimit, por kundër shkëmbimit të territoreve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, ka thënë për “Zërin” se partia e tij është kundër shkëmbimit dhe humbjes së territorit të Kosovës dhe se janë pro rregullimit të kufijve me Serbinë dhe me të gjitha shtetet që e rrethojnë Kosovën.

“Korrigjimi nuk mund të barazohet me ndërrim të territoreve. Askush nuk ka folur për ndërrim të territoreve. Si PDK jemi kundër ndërrimit të territoreve, por normal që jemi për t’i rregulluar kufijtë edhe me Serbinë, edhe me të gjitha shtetet që e rrethojnë Kosovën”, u shpreh Beqa. Ai ka thënë se nuk e di çfarë përmban ideja e presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve.

“Nuk e di çfarë përmban saktësisht ideja e zotit Thaçi, por një gjë e di, është me interes nacional që çështja e hapur mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë të mbyllet, është me rëndësi që Kosova të mos humbë territor. Normal që ne edhe me shtete tjera kur e kemi rregulluar çështjen e kufijve ka pasur ndryshime, edhe me Maqedoninë, edhe me Malin e Zi”, potencoi Beqa.

Beqa theksoi se është e rëndësishme të ketë unitet të spektrit politik për t’i zgjidhur problemet përgjithmonë me Republikën e Serbisë dhe në këtë drejtim duhet të angazhohet si pozita, ashtu edhe opozita, sepse secili ka rolin e vet në këtë çështje.

LDK-ja e konsideron të çmendur idenë e Thaçit për korrigjim

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, e ka vlerësuar si të çmendur idenë e Thaçit për korrigjim të kufijve.

Në një prononcim për “Zërin” Gaxherri ka thënë se nuk ka bashkëpunim nga koalicioni qeverisës që t’ia bëjë me dije presidentit Thaçi se nuk ka kompetencë të flasë për çështje territoresh.

“Shumica e partive politike në Kosovë nuk e përkrahin një ide të çmendur të tillë. Prandaj ne po mundohemi me gjithë mundësitë që t’ia bëjmë me dije presidentit se nuk ka të drejtë të bisedojë për çështje as të kufirit e as të territorit, sepse për një gjë të tillë kompetent ose të drejtë kushtetuese ka vetëm Kuvendi i Republikës së Kosovës. Për këtë çështje nuk ka vullnet në koalicionin qeverisës dhe kjo është shumë shqetësuese”, deklaroi Gaxherri.

Gaxherri e ka quajtur lojë mënyrën sesi Thaçi është shprehur për korrigjimin e kufijve, ajo thotë se duke i ditur raportet me Serbinë është e palogjikshme të mendohet që ajo do të na japë territor dhe të mos kërkojë asgjë në këmbim.

“Presidenti Thaçi na ka fyer inteligjencën duke thënë se nuk do të japim asgjë prej territorit të Kosovës, por do ta marrim Luginën. Çdo njeri që është normal e ka të qartë, duke parë raportet Kosovë – Serbi, se sa është gatshme Serbia të japë territor. Ne si Kosovë nuk kemi pasur absolutisht asnjë nevojë që të bëjmë deklarata të tilla, sepse kufirin e kanë pranuar mbi 100 shtete të rëndësishme të botës dhe në qoftë se ne vetë e hapim këtë temë, atëherë aleatët tanë mund të fillojnë të krijojnë mëdyshje dhe atëherë situata do të ishte vërtet shqetësuese”, është shprehur ajo.

LVV: Dora “e lehtë” e presidentit mund t’i kushtojë Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, është shprehur se ndryshimi i diskursit nga ana e presidentit po mundohet ta shfaqë idenë e tij si një rrezik jo të madh nga korrigjimi.

Ai theksoi se një gjë e tillë mund t’i kushtojë shumë Kosovës.

“Ndryshimi i diskursit dhe i terminologjisë së Thaçit nga korrigjim i kufirit në korrigjim ‘të lehtë’ të kufirit ka një analogji të fjalës: unë e kam dorën e lehtë, por në fakt ai nuk e ka dorën e lehtë, sepse Kosovës do t’i kushtojë shumë dora e lehtë e tij. Këtë po e bën vetëm sa për ta shitur më lehtë te populli idenë e tij për korrigjim”, ka thënë Selimi.

Demhasaj: Ideja për korrigjim është e njëjtë, është zbutur vetëm termi

Analisti politik Artan Demhasaj në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka deklaruar se presidenti Thaçi ka ndryshuar vetëm terminologjinë, sepse ideja qëndron ajo që ka qenë, pra korrigjim i kufijve dhe mundësi që Kosova të humbë territor.

“Prejse ka filluar ideja e marrëveshjes finale me Serbinë, që është luajtur me terma gjithmonë, është përmendur shkëmbimi i territoreve, korrigjimi i kufijve e tani korrigjimi i lehtë i kufirit. Kjo është vetëm çështje retorike që po përdoret, por në esencë nuk është se ka ndryshuar ideja, ajo është e njëjtë dhe e kemi parë të proklamuar nga disa figura se çfarë nënkupton kjo. Kjo nënkupton se mundet të ketë një rishikim të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë që mundet të pasojë me humbje të territorit, kështu si po duket tani”, ka theksuar ai.

Sipas Demhasajt, loja me këta terma e presidentit Thaçi po bëhet për të mos u informuar saktë publiku se çka saktësisht përfshijnë këto ide të presidentit Thaçi.

“Luajtja me terma të tillë është ndoshta edhe për arsye që nuk po dëshirohet të njoftohet shumë publiku se për çfarë po diskutohet dhe cila është esenca potenciale që mundet të arrihet dhe po luhet me terma të tillë. Askush nuk e kupton se çfarë do të thotë korrigjimi i lehtë i kufirit. Korrigjimi i lehtë i kufirit mundet të jetë humbja e dy-tri komunave, varësisht çka ai konsideron lehtë ose rëndë. Pra mendoj që nuk po dëshirohet të informohet publiku saktë se çfarë është arritur dhe çfarë mundet të ndodhë në këtë marrëveshje”, ka thënë ai.