Ahmeti i reagon Vuçiqit: Mendimet e tij nuk kanë kurrfarë peshe juridike

Aktuale February 04, 2019 - 15:31
Lexo Detajet

Kushtëzimeve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për ta vazhduar dialogun vetëm nëse hiqet taksa dhe mos ndërrimit të statutit të Trepçës, i është përgjigjur bashkë-kryesuesi i ekipit negociator, Shpend Ahmeti.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Ahmeti ka shkruar se mendimet e presidentit serb nuk kanë asnjë peshë juridike.

Ahmeti tutje ka thënë se vendimet sovrane të Kosovë, mund t’ia prishin planet Vuçiqit.

“Presidenti i Serbisë e paska shtuar një kusht të ri për pjesëmarrje në dialog – atëherë kur Kosova pushon së provokuari siç e paska kuptuar Vuçiqi miratimin në Kuvend të Statusit të ndërmarrjes “Trepça”! Një gjë Vuçiqi dhe gjithë të tjerët duhet ta kuptojnë : Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, që i merr vendimet në mënyrë demokratike e sipas procedurave institucionale  Vuçiqi mund të mendojë çfarë të dojë për Kosovën, por mendimet e tij nuk kanë kurrfarë peshe juridike. Rrjedhimisht është duke humbur kohë. Vendimet e tilla edhe mund t’i prishin plan atij. Por prapë kjo nuk është dhe nuk mund të jetë brengë e Kosovës”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka thënë se Kosova është e gatshme ta vazhdojë dialogun, dhe Serbia vendos nëse do të marrë pjesë në këtë proces.

LEXO EDHE: Vuçiq e shton edhe një kusht për vazhdimin e dialogut me Kosovën

Por sipas tij, shteti serb asnjëherë nuk do të mund ta shfrytëzojë dialogun për ta mohuar Republikën e Kosovës.

“Kosova është e gatshme të dialogojë. Për këtë jemi duke i bërë gati të gjitha dokumentet e nevojshme (Delegacionin, Ligjin, Platformën). Është vendim i Serbisë se si do të përgatitet për këtë dialog. Është po ashtu vendim i Serbisë nëse do të bëhet pjesë e dialogut. Por nuk mundet në asnjë mënyrë ta përdorë dialogun për ta mohuar Republikën e Kosovës, sovranitetin institucional të vendit”, ka shkruar Shpend Ahmeti.

Bashkë-kryesuesi i dialogut në fund ka thënë se dialogu është për ta përmbyllur temën e hapur me Serbinë, që është mosnjohja dhe mospranimi i Republikës së Kosovës.

“Në këtë dialog shkojmë për ta përmbyllur çështjen e hapur që e kemi me Serbinë e që është mosnjohja e mospranimi i shtetësisë së Republikës së Kosovës. Kjo e definon karakterin e dialogut. Tjetër synim nga ky dialog nuk kemi. Dhe tjetër synim të këtij dialogu nuk pranojmë”, ka përfunduar Shpend Ahmeti postimin e tij në Facebook.

Ndryshe, sipas Vuçiqit, dialogu mund të vazhdojë kur Prishtina siç tha ai të ndalë provokimet, e në veçanti tentimit për t’ia ndërruar statutin Trepçës që vlerëson se është rrëmbim i pronës serbe.

Në komunikatën e lëshuar për media pas takimit me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Beograd, Denis Kiff, Vuçiq, ka thënë se Serbia gjithmonë do të jetë e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon.

">http://