Selmanaj: Taksa nuk hiqet, AAK-ja e gatshme për zgjedhje

Aktuale January 30, 2019 - 08:12
Lexo tjera detaje

Image

Qeveria e Kosovës nuk do ta heqë taksën prej 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake pavarësisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Bashkimit Evropian (BE), por edhe të partnerit të madh të koalicionit qeverisës (PDK). Kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetën “Zëri” deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Rasim Selmanaj, duke shtuar se taksa do të qëndrojë në fuqi derisa të arrihet qëllimi i vendosjes së saj, shkruan Gazeta "Zëri".

Duke i komentuar deklaratat e kryeministrit Ramush Haradinaj, njëherësh kreut të AAK-së se kjo mund të jetë java e tij e fundit si shef i Qeverisë, deputeti Selmanaj thotë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të parakohshme, por, siç thotë ai, nuk tërhiqet nga vendimet e drejta.

Qeveria pret përgjigjen nga BE-ja dhe SHBA-ja

Zëri: Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja po kërkojnë heqjen e taksës ndaj produkteve serbe. Si i shihni këto thirrje të miqve ndërkombëtarë?

Selmanaj: Vendimi për taksën 100% ndaj Serbisë është vendim legjitim i një shteti sovran dhe është një vendim që ne nuk e kemi dashur, por është vënë për shkak të politikave që po vazhdon t’i zbatojë Serbia kundër Kosovës e që realisht po e sheh këtë fakt edhe bashkësia ndërkombëtare. Pa i ndryshuar këto politika Serbia dhe pa pasur në njëfarë mënyre garanci nga bashkësia ndërkombëtare nuk mendoj se taksa duhet të hiqet.

Zëri: A mendoni se do të pranohen kushtet e kryeministri Haradinaj, të cilat ia ka vënë SHBA-së dhe BE-së për heqjen e taksës?

Selmanaj: Unë nuk e di a do t’i pranojë këto kushte bashkësia ndërkombëtare, por mendoj se kushtet që kryeministri Haradinaj i ka vënë janë të ligjshme dhe të drejta, unë pres që bashkësia ndërkombëtare dhe miqtë tanë ndërkombëtarë të reflektojnë në këto kërkesa që ka vënë Haradinaj karshi Bashkimit Evropian dhe SHBA-së.

Nuk rrezikohen raportet me SHBA-në

 

Zëri: A po i rrezikon raportet me SHBA-në mosheqja e taksës?

Selmanaj: Jo, ne me asnjë çmim nuk i rrezikojmë raportet me SHBA-në, sepse ata janë miqtë tanë dhe do të mbeten përgjithmonë. Por megjithatë ne po vazhdojmë ta kemi të njëjtin qëndrim, sepse është qëndrim i drejtë. E kemi provuar ndryshe me Serbinë, por e kemi parë që ajo vazhdon me të njëjtat politika. Mendoj që është një moment kthese edhe i politikave të Kosovës, sepse është momenti që duhet të tregojmë që jemi shtet sovran dhe kemi të drejtë të marrim vendime sovrane.

Veseli po jep ide, por Haradinaj ka qëndrime të prera

Zëri: Si e shihni propozimin e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli për pezullimin e taksës për 120 ditë?

Selmanaj: Është një ide e zotit Veseli, por qëndrimi i Qeverisë dhe i zotit Haradinaj është i prerë. Ne nuk heqim dorë nga taksa përderisa nuk marrim garanci se dialogu do t’i ketë rezultatet e veta.

Zëri: A ka filluar të lëkundet koalicioni qeverisës?

Selmanaj: Unë nuk mund të paragjykoj, megjithatë rreth taksës tash kemi deri diku qëndrime të ndryshme, por do të shohim si do të zhvillohet situata. Nuk mendoj se do të ishte mirë që për shkak të taksës koalicioni t’i lëkundë raportet e veta, sepse është një vendim i përbashkët i Qeverisë, në këtë rast edhe i PDK-së dhe gjithë partnerëve tjerë të koalicionit.

Zëri: Por a ka indikacione të tilla, duke qenë se kryeministri Haradinaj nuk e përjashtoi mundësinë që PDK-ja të dalë nga koalicioni?

Selmanaj: Nuk mund të flas për indikacione, ne vazhdojmë ta kemi të njëjtin qëndrim sa i përket taksës, sepse jemi të bindur që është vendim i drejtë dhe i favorshëm për zhvillimet që na presin si Kosovë.

Ideja e Thaçit për taksën, e ngutshme

Zëri: Presidenti Hashim Thaçi ka qenë i pari që ka shprehur gatishmërinë për heqjen e taksës. A mendoni se pikërisht Thaçi mund të jetë iniciuesi i prishjes së koalicionit qeverisës?

Selmanaj: Ideja e zotit Thaçi që të hiqet taksa është e ngutshme dhe në fund të fundit Qeveria vendos a do të hiqet taksa, sepse ajo e ka vendosur atë, kështu që vendimi i Qeverisë do të jetë sovran. Nuk mendoj që ideja e zotit Thaçi ka qenë e mirë edhe si kërkesë për ta hequr taksën.

Zëri: A është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e gatshme për zgjedhje?

Selmanaj: Po. Në çdo kohë Aleanca është e gatshme për të shkuar në zgjedhje, por mendojmë që zgjedhjet në këtë fazë nuk janë të favorshme për zhvillimet që e presin vendin tonë. Kur kemi parasysh faktin që ne të tërhiqemi nga vendimet e drejta ose të shkojmë në zgjedhje, vendimi ynë përfundimtar do të jetë që ne vazhdojmë të jemi konsekuentë në qëndrimet që kemi sa i përket taksës dhe zhvillimeve tjera.

Korrigjimi i kufijve nuk duhet të përfshihet në dialog

Zëri: Çka prisni nga faza përfundimtare e dialogut me Serbinë?

Selmanaj: Ne e mbështesim dialogun që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe që garanton njohjen e ndërsjellë mes Serbisë dhe Kosovës, por asnjë kusht tjetër Kosova nuk guxon e as nuk do të duhej ta pranonte sa i përket kësaj çështjeje.

Zëri: A duhet të jetë pjesë e dialogut edhe ideja e presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve?

Selmanaj: Jo! Ideja për korrigjim të kufijve ose shkëmbim të territoreve nuk mendoj që është ide e mirë, sepse ne duhet të hyjmë në bisedime me Deklaratën e Pavarësisë së 17 Shkurtit, që në fakt jemi të thirrur të gjithë ta respektojmë, sepse e garanton në fund të fundit Kushtetuta dhe është vullnet i popullit.

Zëri: Cili është roli i ekipit negociator në këtë proces?

Selmanaj: Është një ekip legjitim që është votuar në Kuvend dhe do ta shohim si do të shkojë rrjedha e këtij dialogu. Mendoj që është ekip kompetent që të vazhdojë të kemi dialog me Serbinë, por dihet për cilat tema askush nuk ka të drejtë të diskutojë.

Zëri: Kosova ka hyrë në vitin 2019 pa buxhet, çfarë komplikimesh mund të sjellë kjo situatë nëse buxheti nuk arrin të miratohet as në seancën e 31 janarit?

Selmanaj: Unë pres që buxheti të kalojë, sepse janë të gjitha parakushtet dhe mendoj që do të jenë votat e mjaftueshme, kështu që besoj se do të vazhdojmë të ecim më tutje sa i përket buxhetit. Nëse nuk kalon, atëherë do të shohim se si do të zhvillohet situata.