Limaj dhe Ahmeti ia prezantojnë BE-së ligjin për dialogun

Aktuale January 30, 2019 - 08:06
Lexo tjera detaje
Image

Bashkëkryesuesit e Delegacionit Shtetëror për Bisedimet me Serbinë, Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, të martën në Bruksel e kanë prezantuar ligjin për dialogun, i cili pritet të kalojë në Kuvendin e Kosovës, shkruan Gazeta "Zëri".

Dy bashkëkryesuesit e ekipit negociator për bisedimet me Serbinë, Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, dje kanë zhvilluar një takim në Bruksel me zyrtarë të Bashkimit Evropian nga zyra e përfaqësueses së lartë Federica Mogherini, ku ndër të tjera u diskutua lidhur me modalitetet e mëtejshme se si do të vazhdojë dialogu mes Kosovës e Serbisë. Në këtë takim pala kosovare shpalosi edhe ligjin për dialogun, i cili pritet shumë shpejt të votohet në Kuvendin e Kosovës.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian pas këtij takimi thanë për radion “Evropa e Lirë” se BE-ja e bashkëkryesuesit e dialogut nga Prishtina kanë rishikuar përparimin e arritur deri më tani në normalizimin e raporteve në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Zyrtarët e BE-së thanë po ashtu se “bashkëkryesuesit nga Prishtina kanë ofruar të dhëna rreth zhvillimeve të fundit, duke përfshirë edhe ligjin për dialogun dhe punën e Komisionit, i cili po punon në platformën për dialog. BE-ja mirëpret përpjekjet e tyre për të çuar përpara mandatin e Kuvendit të Kosovës drejt një pozicioni më unifikues në koordinim të ngushtë me të gjitha trupat kushtetues”, kanë thënë këta zyrtarë.

Pas këtij takimi në Bruksel dy bashkëkryesuesit e ekipit negociator nga Prishtina, Limaj e Ahmeti, nuk janë deklaruar për medie.

Limaj e Ahmeti, të bindur se do të kenë rol vendimmarrës në dialog

Mirëpo ndryshe ndodhi në takimin e parë të ekipit negociator me zyrtarë të BE-së, kur bashkëkryesuesit e këtij ekipi, Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj, u shprehën të bindur se roli i tyre do të jetë vendimmarrës në procesin e dialogut me Serbinë.

Në takimin e zhvilluar më 8 janar të këtij viti mes palës kosovare dhe shefes së Zyrës së BE-së, Frederica Mogherini, krerët e ekipit thanë se ia kanë bërë të qartë BE-së që nuk do të ketë marrëveshje finale me Serbinë nëse vetëm njëra palë do të dalë fituese nga kjo marrëveshje. Po ashtu ata thanë se derisa të arrihet një marrëveshje finale Kosova nuk do të heqë taksën prej 100%, të vendosur ndaj produkteve serbe. “Ka shumë kushte që Serbia duhet t’i plotësojë për ta hequr taksën. Ka shumë gjëra që Serbia nuk i ka respektuar. Është politika e saj agresive për mosanëtarësimin e Kosovës në organizata. Me një marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk ka për të pasur më nevojë për taksë. Marrëdhëniet Kosovë - Serbi janë jonormale. Sot u bisedua për reciprocitetin mes dy vendeve”, kishte thënë Limaj pas këtij takimi.

Për dallim nga takimi i djeshëm, ku Limaj e Ahmeti nuk u deklaruan për medie, në takim e parë temë diskutimi kishte qenë edhe çështja e liberalizimit të vizave. “Nuk ka më dialog me tema të veçanta e të mos arrihet asnjë marrëveshje. Ne sot e biseduam edhe çështjen e liberalizimit të vizave. Ne e vlerësojmë punën e komisionarëve, por kërkojmë të kemi angazhim shtesë që ditëve në vijim të futet në diskutim çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ne e bëmë të qartë se Kosova ka ekip shtetëror dhe jo individë. Sot e kemi pasur një takim shumë të rëndësishëm. Jam jashtëzakonisht i kënaqur me këtë takim”, pati thënë Limaj.

Ndërsa Shpend Ahmeti para medieve më 8 janar kishte deklaruar edhe se tashmë në dialogun me Serbinë do të diskutohet edhe çështja e të pagjeturve, si dhe çështje të tjera të rëndësishme për Kosovën.

Opozita i quan qesharake takimet e ekipit negociator në Bruksel

Në anën tjetër këto takime të ekipit negociator me BE-në po i kritikojnë ashpër përfaqësues të partive opozitare.

Ish-kandidati i Lidhjes Demokratike të Prishtinës, Arban Abrashi, pas takimit të djeshëm të ekipit negociator me zyrtarë të BE-së ka thënë se Shpend Ahmeti është bërë pjesë e grupit të dialogut vetëm që të largohet nga problemet e dështimet me të cilat po përballet kryeqyteti. “Për z. Ahmeti kjo ka qenë një tentim për t’u larguar prej dështimeve në Prishtinë, duke thënë se tashmë po merrem me probleme më të mëdha. Ndërkohë dështimet po ndodhin edhe në Prishtinë, edhe në Bruksel”, ka thënë Abrashi për medie.

Sipas tij takimi i djeshëm që delegacioni kosovar, i prirë nga Limaj e Ahmeti që kanë pasur me zyrtarë të BE-së, është qesharak dhe sa për sy e faqe. “Unë besoj se ata pasi të kthehen sot nga Brukseli nuk do të shkojnë më, sepse janë takime sa për sy e faqe. Ata po të ishin të mençur nuk e bëjnë fare publik këtë takim, sepse është qesharak se për çfarë kanë shkuar aty”, ka thënë ndër të tjera Abrashi.

Ai thotë se dialogu i Brukselit ka stagnuar dhe ky delegacion nuk ka se çfarë të kërkojë më në takime të tilla./ZËRI