Haradinaj zvogëlon Qeverinë e ardhshme, por jo aktualen

Aktuale January 26, 2019 - 08:17
Lexo tjera detaje
Image

Kosova në mars të këtij viti pritet ta miratojë ligjin për Qeverinë, i cili parasheh zvogëlimin e numrit të ministrive. Por nuk dihet nëse kjo “tkurrje” do të fillojë me Qeverinë aktuale. Opozita kërkon që ligji të fillojë të zbatohet menjëherë pas miratimit, shkruan Gazeta "Zëri"

Kosova që nga paslufta ka pasur 6 qeveri, të cilat kanë funksionuar pa një ligj që e rregullon qeverisjen e tyre. Më 8 maj të vitit të kaluar qeveria “Haradinaj” mori vendim që të themelojë Komisionin për Hartimin e Projektligjit për Ekzekutivin, i cili planifikon që ligji të miratohet deri në fund të marsit të këtij viti, por ende nuk është bërë e qartë nëse zbatimi i tij do të nisë me Qeverinë aktuale.

Deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës qeveritë kanë funksionuar me rregulloren e UNMIK-ut, me statusin e së cilës kanë funksionuar 15 ministri. Pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës Qeveria nuk i referohet më kësaj rregulloreje. Ligji për Qeverinë, që tashmë është duke u hartuar, parasheh zvogëlimin e ministrive, numri i të cilave me Qeverinë aktuale ka shkuar në 21. Pavarësisht që hartimi i këtij ligji për Qeverinë është mirëpritur, opozita shpreson që ndryshimet dhe reduktimet e ministrive të nisin nga kjo Qeveri, ndërsa analistët janë skeptikë që ky ligj do të procedohet dhe do të kalojë në Kuvend këtë vit.

Tahiri: Ligji për Qeverinë do ta reduktojë numrin e ministrive

Kryesuesi i Komisionit për hartimin e projektligjit për Qeverinë, Besnik Tahiri, një prononcim për “Zërin” është shprehur se ky ligj do ta reduktojë numrin e ministrive dhe deri në fund të muajit mars të dërgohet për miratim në Qeveri pa e bërë ende të qartë nëse ky reduktim do të fillojë me këtë Qeveri. “Për momentin grupi punues i Qeverisë është duke i parë të gjitha opsionet që ta përfshijë edhe zvogëlimin e ministrive dhe po ashtu datën e hyrjes në fuqi. Ky grup punues është duke i bërë të gjitha analizat, duke i parë edhe aspektet kushtetuese, në mënyrë që kur t’ia dërgojë Qeverisë për miratim në fund të muajit mars ky ligj të parashohë saktësisht nenet e tij në raport me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh Tahiri.

Tahiri u shpreh se ende janë duke analizuar pjesën e zvogëlimit të ministrive dhe se është herët të flitet se në sa do të reduktohet ky numër. “Për momentin nuk mund të flasim për numra për shkak se jemi duke analizuar aspektet që lidhen me fushëveprimin e ministrive, madhësinë e tyre, buxhetin e tyre dhe të njëjtën kohë jemi duke i parë provizionet ligjore që hyjnë në këtë temë. Pra, nuk kemi njëherë përnjëherë diskutim, mirëpo gjithsesi ky ligj do ta zvogëlojë numrin e ministrive”, u shpreh Tahiri.

Deputetja e koalicionit qeverisës, Time Kadrijaj, në një përgjigje për “Zërin” ka thënë se është mirë që Qeveria e ka sjellë këtë ligj pavarësisht nëse ndryshimet duhet të nisin me këtë qeveri ose atë të ardhshmen. “Për momentin është e mirë që qeveria ‘Haradinaj’ e ka sjellë këtë ligj, i cili do të amendamentohet në Kuvendin e Kosovës. Qeverisja është bërë pa ligj dhe nuk mund të supozojmë se kur do të nisin ndryshimet, sepse për këtë punë janë procedurat parlamentare që do të flasin”, theksoi ajo.

Kajtazi: Ligji duhet t’i reduktojë ministritë e Qeverisë aktuale

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirie Kajtazi, në një përgjigje për “Zërin” ka thënë që është e paarsyeshme që reduktimi ministrive të fillojë me Qeverinë e ardhshme dhe jo me aktualen. Sipas saj, kjo qeveri ka shkaktuar mjaft dëm, kushdo që vjen pas saj do ta trashëgojë. “Nuk është në rregull që ligji të fillojë ndryshimet me Qeverinë e ardhshme dhe jo me këtë aktualen. Nëse kjo qeveri me të vërtetë e ka qëllimin e mirë ndryshimet duhet t’i nisë nga vetja me zvogëlim të numrit të ministrive, me ulje të pagave e me procese tjera të dëmshme, sepse çdokush që e trashëgon pushtetin do të ketë probleme të mëdha të trashëguara nga kjo qeveri”, theksoi Kajtazi.

Ajo ka thënë se ligji për Qeverinë është zvarritur shumë, por megjithatë është i mirëseardhur. “Është një ligj që është zvarritur prej kohësh. Besoj që është i mirëseardhur kur ai është i arsyeshëm dhe që u përgjigjet interesave të qytetarëve, jo atyre të pushtetit dhe të koalicioneve. Në të tash duhet të përfshihet edhe zvogëlimi i ministrive, pasi që kjo qeveri duke i kënaqur kërkesat e partnerëve të koalicionit e ka rritur në tepri numrin e ministrave dhe të zëvendësministrave”, pohoi Kajtazi.

Alija: Pak gjasa që ligji për Qeverinë të miratohet këtë vit

Analisti politik Rasim Alija është shprehur skeptik se ligji për Qeverinë do të kalojë këtë vit. Në një përgjigje për “Zërin” ai ka thënë se ky ligj është e rëndësishme të nisë reduktimin e ministrive nga Qeveria aktuale. “Nuk besoj që ligji do të vlejë për Qeverinë aktuale dhe as nuk besoj që do të procedohet këtë vit, të paktën nuk do të kalojë në këtë vit sipas të gjitha gjasave në filtrat e Kuvendit e rrjedhimisht t’i dërgohet për aprovim më tutje. Absolutisht që nuk është gjë e mirë që ky ligj, në të cilin përfshihet edhe zvogëlimi i numrit të ministrive, të fillojë nga ajo e ardhshmja dhe jo kjo aktualja”, u shpreh Alija.

Sipas tij, reduktimi i numrit të ministrave do të reflektonte edhe në rikonfigurimin e koalicioneve partiake, pasi që, siç u shpreh ai, për të rehatuar militantët partiakë qeveritarët është dashur të shpikin edhe pozita si e koordinatorëve nacionalë e të tjera. Alija thotë se numri i ministrive për kapacitet që ka Kosova është mirë që nga 21 të reduktohet në 12 ose 13. “Kosova me kapacitetet çfarë i ka duhet t’i ketë më së shumti 12 ose 13 ministri. Kemi numër enorm të ministrive që duhet ristruktuaruar dhe lirisht mund të pozicionohen ose të shkrihen në divizione ose departamente brenda ministrive të caktuara, në mënyrë që të mos ngarkohet as buxheti i Kosovës”, potencoi ai./ZËRI