Syla: Mjekët po ikin në Evropë, të punësohen në Kosovë

Aktuale January 25, 2019 - 11:22
Lexoni detajet

Rreth 200 mjekë specialistë po vazhdojnë të presin me muaj ose me vite për t’u punësuar në institucionet shëndetësore të vendit, por këtë vit as një e treta e tyre nuk pritet të punësohet. Kështu kanë thënë për “Zërin” sindikalistët e shëndetësisë, sipas të cilëve, pas miratimit të buxhetit për vitin 2019 pritet të punësohen rreth 60 mjekë specialistë, shkruan gazeta "Zëri".

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se duhet të punohet intenzivisht që specialistëve t’u hapen vende të punës në Kosovë.

“Ne kemi pasur marrëveshje me ministrin që të punësohen specialistët e papunë. Diku po sillet një numër rreth 200 të papunësuar. Me kalimin e buxhetit do të hapen disa vende, më shumë se 60 në QKUK. Ndërsa sa u përket stomatologëve, ne duhet të punojmë intenzivisht që poliklinikat e stomatologjisë në qytete të kthehen në ombrellën e sistemit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe atëherë do të hapen edhe vende të tjera”, ka thënë ai.

LEXO EDHE: Rreth 200 mjekë specialistë të papunë, vetëm 60 do të punësohen

Syla ka thënë se ndonëse institucionet shëndetësore në vend kanë mungesë të personelit mjekësor, ka ende mjekë të cilët vazhdojnë të jenë të papunë, pavarësisht nevojave për punësim të tyre. Sipas tij, nëse personeli mjekësor vazhdon të shkojë jashtë Kosovës për punësim, atëherë vendi mund të mbetet pa kuadër mjekësor.

“Kërkesat nga vendet e Bashkimit Evropian për mjekë specialistë e për infermierë janë të përditshme. Ata mund të punësohen jashtë. Por fatkeqësia është se mund të mbetemi pa kuadër. Është një mospajtim mes kuadrove që kemi ne. Në të njëjtin kohë kemi numër të mangët të punëtorëve shëndetësorë për kokë banori dhe në anën tjetër kemi të papunë”, ka thënë ai./ZERI