Abrashi e Ahmeti në pritje të vendimit të Kushtetueses

Aktuale January 25, 2019 - 08:55
Lexoni detajet
Image

Ka më shumë se një vit qëkur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka certifikuar Shpend Ahmetin si kryetar të Prishtinës, por kundërkandidati i tij Arban Abrashi vazhdon të mos pajtohet me këtë fakt. Në mars të vitit të kaluar ai kishte dërguar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e balotazhit të zgjedhjeve për kryetar të kryeqytetit, duke kërkuar nga Kushtetuesja të merrte vendimin final nëse Prishtina duhet të kthehet në votim për shkak të parregullsive, shkruan sot gazeta "Zëri".

Por, as gati pas një viti Kushtetuesja nuk ka marrë kurrfarë vendimi për këtë çështje. Në një përgjigje për gazetën “Zëri” zyra për informim e Gjykatës Kushtetuese bën të ditur se shqyrtimi i kësaj lënde është në fazën finale

“Kjo lëndë tanimë është në fazën përfundimtare të shqyrtimit dhe Gjykata ende nuk ka marrë vendim. Vendimi do të merret brenda një afati të arsyeshëm kohor, ndonëse nuk ka afat të vendimmarrjes në këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.

LEXO EDHE: BE: Vizat, të luftohet korrupsioni i nivelit të lartë

Kurse ish-kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Arban Abarashi, e ka vënë në pikëpyetje paanshmërinë e Kushtetueses. Sipas tij, vendimi nga Gjykata është dashur të merrej në qershor të vitit të kaluar, sepse me këto vonesa Abrashi konsideron se i janë shkelur dhe i janë dëmtuar të drejtat e tij.

“Shqetësues është fakti se vendimi është dashur të merrej më së largu në fillim të qershorit të vitit të kaluar, sepse ashtu përcaktohen afatet e vendosjes me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Nëse Gjykata ka pasur nevojë për kohë më të gjatë është dashur të vendosë masën e përkohshme dhe të mos lejojë dëmtimin e të drejtave të mia edhe më tej”, ka thënë ai në një përgjigje për “Zërin”.

Abrashi ka akuzuar Ahmetin se po bën pazare politike për ta ruajtur pozitën që mban.

“Lajmet nëpër medie, por edhe deklarimet e disa gazetarëve që ka pazare politike mes Shpendit e PAN-it për ruajtjen e pozitës se tij janë shqetësuese. Vënia në pikëpyetje e paanshmërisë dhe profesionalizmit të Gjykatës Kushtetuese do të duhej të shërbente si alarm për shoqërinë në përgjithësi”, ka thënë ai.

Ndërsa bashkëpartiaku i Shpend Ahmetit Nol Nushi, asamblist i Partisë Socialdemokrate në Asamblenë e Prishtinës, ka thënë për “Zërin” se nuk ka asnjë shans që Prishtina të kthehet në zgjedhje, pasi që, siç ka thënë ai, rezultati pas balotazhit i ka kaluar të gjithë filtrat për vlerësim dhe certifikim.

“Sipas të gjitha rregullave që ne kemi në zbatim në Kosovë, nuk ka asnjë shans që Prishtina të kthehet në zgjedhje. Procesi i zgjedhjeve në Prishtinë i ka tejkaluar krejt sfidat prej momentit kur janë shpallur rezultatet, janë shqyrtuar ankesat, janë bërë gjetje të reja dhe nuk ka asnjë arsye, asnjë fakt e as bazë për dyshim që Prishtina të kthehet në zgjedhje”, u shpreh Nushi.

Ai më tutje potencoi se insistimi i Abrashit për këtë çështje po bëhet më shumë për përdorim politik sesa për drejtësi, sepse sipas tij në këtë proces nuk është bërë asnjë shkelje.

“Nuk ka asnjë padrejtësi gjatë procesit zgjedhor, rrjedhimisht kjo nuk është çështje e gjykatave, ato merren vetëm kur ka padrejtësi e këtu nuk ka. Megjithatë Abrashit proceduralisht i lejohet të bëjë ankesë të tillë dhe do të kisha qenë shumë i lumtur që Gjykata Kushtetuese ta shpallë sa më shpejt atë vendim dhe ta mbyllë këtë debat”, ka thënë Nushi./ZERI