Kërkohet zhbërja e Ekipit Negociator

Aktuale January 24, 2019 - 12:45
Lexo tjera detaje

Ekipi Negociator Qeveritar i formuar para më shumë se një muaji asnjëherë nuk ka arritur të takohet deri më tani me palën serbe në kuadër të dialogut që po zhvillohet në Bruksel. Pengesë për një takim të tillë vlerësohet taksa prej 100 për qind, shkruan Gazeta "Zëri".

Teksa është deklaruar rreth zhvillimeve të fundit rreth taksës, ish-ministrja e Tregtisë Mimoza Kusari-Lila, e cila njëherësh është deputete e Kuvendit të Kosovës, ka vlerësuar se vendosja e tarifës me kushtin e vetëm, për njohjen e Kosovës nga Serbia e jo me ndonjë kusht tjetër, e paralizon tërësisht procesin e dialogut me Serbinë. Në këtë kuptim, sipas saj, Kosova nuk ka nevojë fare që të ketë Ekip Negociator për Dialogun. “Për arsye se përmes procesit të dialogut vjen njohja e Kosovës nga ana e Serbisë, andaj nëse kryeministri e ka seriozisht, siç po deklaron, atëherë lirisht le ta dërgojë në Kuvend edhe zhbërjen e Ekipit, edhe të procesit negociator, për arsye se ka mekanizmin e taksës, i cili pret që ta sigurojë njohjen”, ka potencuar ajo në një prononcim për “Zërin”.

Pavarësisht Kusari-Lilës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi ka vlerësuar se taksa dhe procesi i negociatave nuk ndërlidhen aspak mes vete. “Taksa është një vendim sovran i Kosovës dhe kjo nuk ka të bëjë asgjë me negociatat. Këto dy procese mund të vazhdojnë”, ka deklaruar ai.

Kushti i Qeverisë i vënë karshi Serbisë, që taksa të hiqet vetëm me njohje, sipas Kurteshit është plotësisht i drejtë dhe i duhur./ZËRI