Fillojnë shkyçjet nga sistemi i ujësjellësit dhe kanalizimit për borxhlinjtë

Fillojnë shkyçjet nga sistemi i ujësjellësit dhe kanalizimit për borxhlinjtë

Aktuale janar 24, 2019 - 11:47

Kompania rajonale e Ujësjellësit ”Prishtina” sh.a. njofton të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit, se nga data 1 shkurt 2019, e martë, do të rifillohet me masa ndëshkuese për të gjithë borxhlinjtë e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.

“Me shkyçje do të përballet sërish secili konsumatorë që ka, dy e më shumë fatura të papaguara ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.Në të njejtën kohë, do të vazhdohet me procesimin e lëndëve të konsumatorëve borxhlinj të përmbaruesit privat”, thuhet në njoftimin e KRU ‘Prishtina’.

Përgjatë vitit 2018, janë realizuar 1270 shkyçje individuale nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit për shkak të mospagesave, prej të cilëve janë rikyçur 782 konsumatorë pas realizimit të pagesave të tyre ndaj shërbimeve.

Përgjatë inspektimeve në teren, në vitin 2018 janë identifikuar 88 konsumatorë që janë kyçë ilegalisht dhe që të gjithë janë shkyçë nga të gjitha shërbimet.

Në shkyçje do të përfshihen tetë komunat në të cilat operon KRU ” Prishtina” sh.a.si : Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Podujeva, Shtimja, Drenasi, Lipjani dhe Graçanica.

Fokusi i ekipeve të shkyçjes do të jenë jenë qytetet dhe fshatrat.

Mbi 50 ekipe të shkyçjes dhe inspektorë do të jenë të shpërndarë në secilën zonë të shërbimit. Aksioni do të vazhdojë deri në fund të vitit 2019.

Paralelisht me shkyçjet, duke filluar nga data 1 shkurt 2019, të gjithë konsumatorët që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike në periudhën e caktuar në vitin 2018 dhe nuk iu janë përmbajtur kontratës për pagesën me këste të borxhit të riprogramuar, do të iu rikthehet borxhi i falur, bazuar në Ligjin për Faljen e Borxheve Publike, dhe njëkohësisht lëndët e tyre do të procesohen te përmbaruesit privat, dhe shkyçja nga shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit do të jetë e pashmangshme.