Me kaq para mund të bëheni shtetas të BE-së

Aktuale January 24, 2019 - 08:56
Lexo tjera detaje

Komisioni Evropian ka kërkuar nga shtetet anëtare që të shtrëngojnë kontrollet në personat që nuk kanë nënshtetësi evropiane e të cilët mund të pajisen me të ashtuquajturat “pasaporta të arta” nëpërmjet investimeve.

Komisioni planifikon të monitorojë nga afër skemat e tilla të cilat mundësojnë vendbanim në këmbim të investimeve të mëdha, transmeton Gazeta Express. Thuhet se këto viza mund të abuzohen për evazion fiskal e pastrim parash.

Kjo nënshtetësi e përfituar në këtë formë u mundëson personave të ndryshëm lëvizje në pothuajse të gjitha shtetet e BE-së dhe qasje në tregun e lirë.

20 shtete të BE-së kanë skema të tilla.

Qipro, Malta e Bullgaria u japin pasaporta të BE-së investitorëve të pasur të huaj të cilët bëjnë investime në këto shtete. Pasanikët e huaj mund të blejnë pasaporta në këto shtete për 1 deri në 2 milionë euro, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Këto shtete bashkë me 17 tjera, duke përfshirë edhe Britaninë e Madhe, gjithashtu u mundësojnë të drejta të banimit investitorëve. Kjo e drejtë e vë personin në rrugën e marrjes së nënshtetësisë.

Shuma që duhet investuar për të pasur të drejta të vendbanimit dallon, duke filluar me 13,500 euro në Kroaci e deri në mbi 5 milionë euro në Luksemburg e Sllovaki.

Në një raport të ri, Komisioni Evropian thotë se nuk ka informata të mjaftueshme se si veprojnë këto skena andaj rrjedhimisht është formuar një ekip i veçantë që do ta bëjë monitorimin e skemave dhe do të promovojë ndarjen e informatave.

Sipas këtij raporti, investitorët mund të marrin nënshtetësi të Bullgarisë, Qipros e Maltas, rrjedhimisht të BE-së “pa banuar asnjë ditë në një nga këto shtete”.