Mbi 5 milionë euro për projektin e qendrës së kompetencës në Vushtrri

Aktuale January 24, 2019 - 08:17
Detajet
Image

Është nënshkruar marrëveshja në mes të Komunës së Vushtrrisë dhe projektit KSV/020 “Mbështetje reformës së arsimit dhe aftësimit profesional (AAP) në Kosovë – Faza 2” me qëllim të shndërrimit të shkollës së mesme profesionale “Lutfi Musiqi” në qendër të kompetencës. MI-ja ndan edhe 1.3 milion euro për përfundimin e rrugës “R220”, ndërkaq investitorë të EBA-s janë ftuar të investojnë në Zonën Ekonomike në Lumëmadh, shkruan Gazeta "Zëri".

Pas Skenderajt dhe Malishevës, edhe Vushtrria bëhet me qendër të kompetencës, pasi është nënshkruar një marrëveshje në mes të Komunës së Vushtrrisë dhe projektit KSV/020 “Mbështetje reformës së arsimit dhe aftësimit profesional (AAP) në Kosovë – Faza 2” me qëllim të përkrahjes së shkollës së mesme profesionale “Lutfi Musiqi” në Vushtrri. Shuma totale e projektit, i cili pritet të zbatohet me shumë aktivitete, deri në vitin 2022 është 5 milionë euro, derisa Komuna e Vushtrrisë ka ndarë një buxhet prej 179,644.66 eurosh.

Kryetari i Vushtrrisë,  Xhafer Tahiri, ka thënë se Komuna e Vushtrrisë është e interesuar të fillojë procesin, i cili do të kulmojë me avancimin e shkollës profesionale “Lutfi Musiqi” në një qendër të kompetencës shumësektorëshe. Ky projekt është financuar nga qeveria e Dukatës së Madhe të Luksemburgut nëpërmjet “Luxembourg Aid & Development” dhe zbatohet nga “Lux Development” e Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë e Republikës së Kosovës. “Bashkëpunimi me  ‘Luxembourg Aid & Development’ është një hap shumë i rëndësishëm në shkollimin profesional. Qëllimi i këtij projekti është që në shkollën teknike të kemi ndryshim të kurrikulës e po ashtu të kemi trajnime për mësimdhënësi, por edhe për nxënësit, me qëllim që të kemi akreditim ndërkombëtar për nxënësit të cilët përfundojnë aftësimin këtu”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se qëllimi final është të eliminohet boshllëku mes shkollimit profesional dhe tregut të punës, që të rinjtë të cilët kryejnë shkollimin profesional të gjejnë punë më lehtë.

Zona Ekonomike në Lumëmadh si një mundësi për investime

Në anën tjetër Daniele Cristian Passalacua, përfaqësues i “Luxembourg Aid & Development”, tha se arsyeja e investimit  kaq të madh në Vushtrri konsiston në atë se “vizioni ynë për zhvillimin e arsimit profesional përputhet me vizionin e Komunës së Vushtrrisë”. “Projekti për zhvillimin e arsimit dhe arsimit profesional që financohet nga qeveria e Luksemburgut dhe nga MASHT-i, e në këtë rast nga Komuna e Vushtrrisë, fillimisht është menduar të mbështesë Shkollën Teknike, por Komuna e Vushtrrisë është e vendosur që kjo shkollë të shndërrohet në qendër të kompetencës”, ka thënë Passalacua.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se në vitin 2019 pos këtij projekti të rëndësishëm në fushën e arsimit do të realizohen edhe një varg projektesh të tjera. Tahiri ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik në mes të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të Kosovës, që është mbajtur në Dubai, i vetmi kryetar komune.  Në këtë Forum Tahiri ka prezantuar potencialin ekonomik të qytetit të Vushtrrisë dhe mundësitë e jashtëzakonshme që ofron Vushtrria për investitorët e mundshëm. Tahiri ka theksuar se Zona Ekonomike në Lumëmadh si një mundësi për investime nga investitorët e mundshëm të Emirateve të Bashkuara, të cilët edhe janë ftuar që të investojnë në komunën e Vushtrrisë.

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka folur edhe për problemet që e kanë përcjellë projektin e rrugës “R22O”, Bukosh – Prelluzhë, e gjatë 18 kilometra që lidh shumë fshatra të Artakollit me qytetin e Vushtrrisë, i cili në mungesë të mjeteve ka mbetur e papërfunduar, por që sipas Tahirit, e duke iu referuar premtimeve të Ministrisë së Infrastrukturës, në veçanti të ministrit Pal Lekaj, rruga do të përfundojë në vitin 2019. Banorët e fshatrave që lidhen me këtë rrugë disa herë kishin protestuar në muajt e fundit të vitit të kaluar, për shkak të rrugës që ishte bërë e pakalueshme, madje ata edhe kishin bllokuar autoudhën Prishtinë – Mitrovicë, në Pestovë, duke kërkuar që Ministria e Infrastrukturës të gjejë mjete dhe projektin ta përfundojë deri në përfundim të vitit 2018, ose të paktën t’i vihet një shtresë e asfaltit. Rruga është shtruar vetëm me zhavorr në mungesë të mjeteve, ndërsa këtë vit pritet asfaltimi i kësaj rruge, pasi Ministria e Infrastrukturës ka ndarë edhe 1.3 milion euro për përfundimin e rrugës.

Rruga Prelluzhë - Bukosh, projekt trevjeçar

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka sqaruar se rruga Prelluzhë - Bukosh ka qenë projekt trevjeçar dhe në mungesë buxheti ka mbetur pa u përfunduar, ndonëse punët kishin filluar në fillim të vitit 2018. Lekaj ka bërë të ditur se fillimisht janë ndarë 400 mijë euro dhe me kërkesa shtesë për buxhet janë shtuar edhe 250 mijë euro, por të cilat nuk kanë mjaftuar për ta përfunduar projektin e rrugës. “Në vitin 2019 rruga Prelluzhë - Bukosh, e cila lidh shumë fshatra të komunës së Vushtrrisë do të përfundojë pasi janë ndarë 1.300 milion euro për përfundimin e saj. Kjo rrugë është jetike për banorët e asaj ane, sepse i lidh shumë fshatra. Me përfundimin e saj banorët do të kenë qasje më të mirë dhe lëvizje më të lehtë”, ka thënë ministri i Infrastrukturës i Republikës së Kosovës, Pal Lekaj./ZËRI