Mijëra operacione anulohen për shkak të grevës

Aktuale January 24, 2019 - 08:13
Lexo tjera detaje
Image

Prej datës 17 dhjetor të vitit 2018 në Klinikën e Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë anuluar mbi dymijë operime efektive (jourgjente) për shkak të grevës së personelit mjekësor. Përfaqësuesi i Kolegjiumit të Kirurgëve, Arbër Morina, ka thënë për “Zërin” se në ditë ata anulojnë deri në 200 operacione. Për më shumë, ai ka thënë se tashmë grevës së kirurgëve po u bashkëngjiten edhe klinikat tjera. “Kanë hyrë në grevë edhe mjekët e Kirurgjisë Vaskulare. Greva po vazhdon me të njëjtin intensitet, me të njëjtin ritëm dhe ne po bëhemi edhe më të mëdhenj”, ka deklaruar Morina. Ai ditë më parë kishte bërë të ditur se grevës u ishin bashkuar edhe ortopedët në QKUK, shkruan Gazeta "Zëri".

Më tej Morina ka thënë se do të vazhdojnë me grevë sikurse kanë vazhduar deri tani. “Kërkesa jonë është e drejtë dhe e qartë. Ne nuk po kërkojmë lëmoshë, ne po kërkojmë atë që na takon dhe ne po vazhdojmë me të njëjtin sistem”, ka thënë ai, duke shtuar se deri tani nuk kanë pasur ndonjë tendencë për të bashkëbiseduar me zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me grevën.

Syla: Greva po dëmton sistemin shëndetësor

Kryetari i Federatës  Sindikatave të Shëndetësisë  Kosovës, Blerim Syla, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se greva e kirurgëve është duke dëmtuar sistemin shëndetësor. “Të mos manipulojnë me këto gjëra sepse është gjynah për popullin. Nuk është e arsyeshme, kjo nuk është grevë, është bojkot. Kjo është duke shkuar në dëm të sistemit shëndetësor dhe të neve si sindikatë për të mos kaluar Ligji i Pagave. Është për të ardhur keq kjo që po e bëjnë”, ka thënë ai.

Syla po ashtu ka thënë se përveç kirurgëve në QKUK, asnjëri nga mjekët e spitaleve regjionale nuk i është bashkangjitur grevës. Sipas tij, as mjekët e Spitalit të Ferizajt, të cilët javë më parë ishin solidarizuar me kirurgët, nuk janë në grevë. “Spitali i Ferizajt e ka bërë një solidarizim. Nëse punon në sallë të operacionit, por nuk punohet vetëm në ambulanca specialistike, edhe ajo është bojkot, nuk është grevë. Kjo është diçka e tmerrshme që po ndodh në Kosovë. Grevës nuk i është bashkëngjitur asnjë regjion. Vetëm katër kirurgë të Kirurgjisë Vaskulare që u janë bashkëngjitur”, ka shtuar ai.

Ndërsa edhe drejtori i Spitalit të Ferizajt, Jeton Zeqiri, e ka mohuar se ky spital i është bashkangjitur grevës. Ai ka thënë për “Zërin” se kërkesa e stafit të këtij spitali ka qenë që të pritet deri më datën 31 dhjetor, kur pritet të mbahet edhe një seancë në Kuvendin e Kosovës.

“Jemi duke punuar dhe asnjë nuk është në grevë. Doktorët e Spitalit të Ferizajt kanë bërë një lloj sensibilizimi para një jave, por kërkesa e tyre ka qenë që të presim më datën 31 mbajtjen e seancës, që t’ia japim Qeverisë shansin për ndryshimin e Ligjit të Pagave”, ka thënë Zeqiri.

Avdyli: Shqetësuese që mijëra operacione po anulohen

Anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Haxhi Avdyli, i ka vlerësuar si të padrejta pagat e kirurgëve në Kosovë. Ai ka thënë se personeli mjekësor kryen punën më të madhe në vend, andaj edhe duhet të marrin trajtimin e duhur. “Kirurgët bëjnë trajnime dhe shkollime më të gjata se të gjitha profesionet sepse kanë të bëjnë me jetët e njerëzve, me shpëtimin e një jete dhe përveç fakultetit 6-vjeçar dhe specializimit 6-vjeçar u duhen edhe trajnime të përditshme. Si kirurg me pagën afër 600 euro, e cila është e barabartë me një shofer, ose e cila është më e ulët se një këshilltar i kryeministrit dhe pesë herë më e ulët se e një prokurori, kjo është e padrejtë dhe konsideroj që duhet të gjendet një modalitet dhe këta njerëz ta kryejnë punën e të jetojnë me dinjitet”, ka thënë ai.

Avdyli është shprehur i shqetësuar që mijëra operacione janë anuluar si pasojë e grevës, andaj edhe ka kërkuar që kësaj çështjeje Qeveria t’i qaset më seriozisht. Ai gjithashtu ka thënë se personeli mjekësor mund të ndihmohet financiarisht edhe duke u dhënë shtesa për punën që bëjnë. “Nuk është e mjaftueshme, por mendoj që kuota 5 ose 6 që kemi kërkuar ne si komision do të ishte një kuotë e fillimit të mirë, por për kirurgët dhe mjekët është edhe një mundësi tjetër se si mund t’ua rrisim pagat, duke krijuar edhe një fondacion për performancë. Nëse institucionet tona shëndetësore krijojnë një ndikim për performancën, për secilin operacion mjekut i bëhet një shtesë e vogël, atëherë ata kirurgë që janë më punëtorë do të marrin trajtimin e duhur edhe me pagesa”, ka thënë ai, duke shtuar se LDK-ja do të japë kontributin e saj pozitiv në kalimin e Ligjit për Paga./ZËRI