Java e grevave

Aktuale January 23, 2019 - 08:24
Lexo tjera detaje
Image

Është bërë një javë prejse mësimdhënësit kosovarë kanë nisur grevën, duke kërkuar rritjen e koeficientit të pagave, përderisa sindikalistët e arsimit po këmbëngulin se greva do të vazhdojë, shkruan Gazeta "Zëri".

Në anën tjetër, zyrtarët qeveritarë dhe Këshilli i Prindërve të Kosovës po kërkojnë që greva të ndërpritet dhe fëmijët t’u kthehen bankave shkollore, sidomos pas ofertës së fundit të ekzekutivit të vendit për rritje të pagave të mësimdhënësve, të cilën po e refuzojnë drejtuesit e Sindikatës për Arsim të Kosovës.

Ndonëse është raportuar se shkollat në komunën e Deçanit dhe ato në Istog kanë ndërprerë grevën, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë për “Zërin” se greva e mësimdhënësve po vazhdon të jetë e fuqishme.

Ai ka thënë se do të qëndrojnë pas kërkesave të tyre derisa ato të realizohen. “Raportet që i kemi ne flasin se greva është e fuqishme edhe sot. Greva është si ditëve tjera, jemi unikë, jemi të qëndrueshëm dhe kërkesat tona janë të realizueshme nëse është vullneti edhe i Qeverisë dhe të tjerëve”, ka thënë ai.

Universitetet në grevë, shtyhen provimet e janarit

Tashmë përveç çerdheve, shkollave fillore dhe atyre të mesme edhe universitetet publike në Kosovë i janë bashkëngjitur grevës.

Bardh Bardhi, kryetar i Sindikatave të Universitetit,  ka thënë për “Zërin” se edhe profesorët, edhe administrata janë në grevë.

Sipas tij, derisa të përfundojë greva universitetet do t’i shtyjnë provimet. “Grevës i janë bashkëngjitur Universiteti Publik i Prizrenit, i Pejës, i Mitrovicës, i Ferizajt, i Gjilanit dhe i Prishtinës. Për Universitetin e Gjakovës nuk jam i sigurt se a është bashkëngjitur, por këto universitete nuk mbajnë as provime, as nuk lëshojnë dokumentacione. Sot komplet është në grevë si administrata, edhe profesorët. Dje me një vendim kolegjiumi i dekanëve të Universitetit të Prishtinës ka dalë se të gjitha veprimtaritë pezullohen deri në përfundimin e grevës”, ka thënë ai.

Bardhi ka bërë të ditur se mësimdhënësit nuk po kërkojnë rritje të pagave, por rritje të koeficientit prej 30 për qind.

MASHT: Të ndërpritet greva e mësimdhënësve

Këshilltari politik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Valmir Gashi, ka thënë për “Zërin” se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndarjen e 20 milionë eurove për mësimdhënësit, pas propozimit që i ka bërë Ministria e Arsimit. “Vendimi i Qeverisë është marrë pas propozimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për rritje të koeficienteve për mësimdhënësit në sektorin e arsimit, propozim ky që është bërë duke u bazuar në mundësitë buxhetore të shtetit”, ka theksuar ai.

Gashi ka thënë se në takimet e mbajtura me udhëheqës të SBASHK-ut ata kanë kërkuar ndërprerjen e grevës. “Vazhdimisht kemi pasur takime dhe vazhdojmë të kemi takime me SBASHK-un, ku jemi duke u bërë thirrje që të reflektojnë pas këtij vendimi të Qeverisë, në mënyrë që të ndërpritet greva dhe të mos vazhdohet edhe më tutje kjo situatë që është në dëm të nxënësve dhe të gjithë procesit mësimor”, ka thënë ai.

Këshilli i Prindërve: Kërkesat e SBASHK-ut, politike

Këshilli i Prindërve të Kosovës (KPK) në një letër për kryeministrin Ramush Haradinaj ka kërkuar që urgjentisht të bëhet ndryshimi i Ligjit për Greva dhe t’u pamundësohet mbajtja e grevës punëtorëve të arsimit, njëjtë siç vlen edhe për Policinë, FSK-në, zjarrfikësit dhe shërbimet emergjente shëndetësore.

Pasi që Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës nuk pranoi rritjen e koeficientit prej 0.2, Këshilli i Prindërve ka thënë se thelbi i kërkesës së kësaj sindikate është politik. “Veprimet e fundit të SBASHK-ut me të cilin refuzuan ofertën e Qeverisë për rritje të koeficienteve të pagës së mësimdhënësve për 0.20 dhe për ta vazhduar grevën tregojnë përfundimisht se thelbi i kërkesës së SBASHK-ut nuk ka karakter social, por puro politik”, është thënë në letrën e KPK-së.

Në këtë letër prindërit kanë vlerësuar se po dëmtohen interesat e 359 mijë fëmijëve në Kosovë.

Duke parë rrezikun që greva të vazhdojë deri në qershor, KPK-ja ka kërkuar nga Qeveria që të mbrohet e drejta për arsimim në vend.

Hoti: Të rriten pagat e mësimdhënësve e të mjekëve

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ia ka rikujtuar qeverisë “Haradinaj” nënshkrimin e marrëveshjes me SBASHK-un, e cila do t’u garantonte mësimdhënësve rritje të pagave për 30 për qind. Ai këto i ka quajtur mashtrime elektorale.

Hoti, i cili ishte edhe ministër i Financave, ka thënë se Qeveria duhet të anulojë dyfishimin e pagës për vete dhe t’ua rrisë pagat institucioneve tjera publike në vend.

“Zgjidhja është e thjeshtë: Qeveria të anulojë vendimin për dyfishimin e pagës për vete,

Projektligji i Pagave të tërhiqet dhe të rishkruhet në konsultim me arsimtarët, mjekët, shërbyesit civilë, Policinë, zjarrfikësit, doganierët, inspektorët tatimorë, komunat dhe sektorët e tjerë”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social “Facebook”.

Kurteshi: Ministria dhe SBASHK-u të gjejnë një zgjidhje

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim kanë kërkuar ndërprerjen e grevës së mësimdhënësve dhe fillimin e procesit mësimor.

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, ka kërkuar që Ministria e Arsimit dhe SBASHK-u të gjejnë një zgjidhje për ndërprerjen e grevës.

“Ne si komision para se të fillojë greva kemi bërë përpjekje që të evitohet greva, duke i inkurajuar të dyja palët, edhe Qeverinë, edhe Sindikatën, që të ulen të bisedojnë dhe të gjejnë një zgjidhje në mënyrë që të mos humbin nxënësit. Pas fillimit të grevës ne kemi organizuar një takim, ku e kemi drejtuar të njëjtën kërkesë të të dyja palëve dhe tani pas këtij hapi të Qeverisë dhe refuzimit të sindikatave ne prapë kërkojmë nga palët që sa më parë të merren vesh, sepse humbjet e 400 mijë shkollarëve janë të pakompensuara”, ka thënë ai për gazetën “Zëri”.

Kurteshi ka vlerësuar se koeficienti për mësimdhënësit nuk është i duhuri, megjithatë ai ka kërkuar nga Sindikata e Arsimit që të ndërpresin grevën dhe të mbrojnë interesat e nxënësve./ZËRI