Qeverisë nuk i ngutet për komunat veriore

Aktuale January 23, 2019 - 08:20
Lexo tjera detaje
Image

Janë bërë gati dy muaj prejse kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje. Pavarësisht kësaj, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe zyrës së kryeministrit nuk po u ngutet për ta zgjidhur vakumin institucional në Mitrovicën e Veriut, në Zveçan, në Leposaviq e në Zubin Potok, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ka gati dy muaj që katër komunat veriore kanë mbetur pa kryetarë, ndërkohë që ekzekutivi i vendit ende nuk ka ndonjë vendim se si do të veprohet më tutje. Pas ofrimit të dorëheqjeve Qeveria ka thënë se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal duhet të vendosë nëse pranohen dorëheqjet, pasi kryetarët serbë të këtyre katër komunave i janë referuar Republikës së Kosovës si “Kosova e Metohija”. Por as kjo ministri dhe as zyra e kryeministrit ende nuk e kanë të qartë se si do të veprohet më tutje. Në anën tjetër, analistët vlerësojnë që meqë Qeveria nuk i ka pranuar dorëheqjet është dashur deri më tash t’i shkarkonte këta kryetarë, të cilët e kanë injoruar shtetin e Kosovës dhe nuk e kanë respektuar as zotimin që kanë dhënë për të shërbyer brenda Republikës së Kosovës.

Qeveria: Dorëheqjet nuk janë të vlefshme

Qeveria e Kosovës është shprehur disa herë se nuk i pranon dorëheqjet e kryetarëve e rrjedhimisht nuk ka arsye as për të shkuar në zgjedhje. Në një përgjigje për gazetën “Zëri” zyra e kryeministrit e ka konfirmuar edhe një herë tjetër se “Dorëheqjet e kryetarëve të komunave me shumicë serbe nuk janë të vlefshme për shkak të mënyrës sesi i janë drejtuar shtetit të Kosovës dhe si të tilla janë të papranueshme”.

As Ministria e Administrimit të Pushteti Lokal nuk merr përgjegjësi për zgjidhjen e këtij vakumi institucional në komunat veriore. Zëvendësministri i kësaj ministrie, Beqir Fejzullahu, ka konfirmuar se kjo çështje ende mbetet e padefinuar.

Ndërsa anëtarja e Komisionit për Qeverisje Lokale, Xhevahire Izmaku, është shprehur se nuk kanë informata se si do të veprohet më tutje. “Kjo kompetencë është e lidhur direkt me autoritetin e Qeverisë dhe nuk bie në fushëveprimin e Komisionit. MAPL-ja dhe kryeministri ushtrojnë këtë të drejtë për të pranuar ose jo dorëheqjet në rrugën zyrtare, pastaj vendimi për zgjedhje i takon presidentit dhe KQZ-së”, theksoi ajo.

Kusari: Situata në veri dëshmon papërgjegjësinë e Thaçit e të Haradinajt

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se situata aktuale në veriun e Kosovës dëshmon papërgjegjësinë e krerëve institucionalë dhe mungesën e menaxhimit me atë pjesë të vendit.

“Situata në veri ngërthen në vete krejt kompleksitetin e situatës së absurditeteve në Kosovë, sepse tregon papërgjegjësinë e presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçit, e tregon mungesën e përgjegjësisë së Qeverisë së Kosovës dhe tregon situatën e pamenagjueshme që e kemi me veriun, në momentin kur dorëheqjet vijnë si rrjedhojë e pakënaqësisë së tyre me taksën”, u shpreh ajo.

Kusari ka thënë se në momentin kur këta kryetarë kanë dhënë dorëheqje është dashur të shpallen zgjedhjet dhe se deri më tani Qeveria e Kosovës është dashur të jepte përgjegjësi se si po funksionojnë aktualisht ato komuna.

“Përderisa kemi dorëheqje të kryetarëve të komunave me shumicë serbe në pakënaqësi me Prishtinën, ka qenë e drejtë edhe të shpalleshin zgjedhjet. Konsideroj që Qeveria e Kosovës do të duhej të jepte përgjegjësi dhe të raportonte mbi atë se kush po i kryen funksionet në këto komuna, nëse nuk janë duke u kryer nga kryetarët e veriut”, theksoi ajo.

Baraliu: Qeveria është dashur t’i shkarkojë kryetarët e komunave veriore

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë për “Zërin” se meqë Qeveria e Kosovës nuk i ka pranuar dorëheqjet e kryetarëve të komunave veriore me arsyetim referencën e tyre jokushtetuese, atëherë kryeministri është dashur t’i shkarkojë në mënyrë që ta shmangë vakumin institucional në pjesën veriore dhe t’i shpallë zgjedhjet. “Janë shkelur të gjitha afatet ligjore, është dashur që nga Kryeministria të ndërmerret veprimi i shkarkimit të atyre kryetarëve, meqë dorëheqjet që i kanë dhënë nuk i ka njohur as Qeveria, por as MAPL-ja. Ata i kanë injoruar dhe e kanë refuzuar zotimin që kanë dhënë për të respektuar institucionet e vendit, atëherë është dashur të shkarkohen dhe ky shkarkim është dashur të bëhet brenda 30 ditësh”, pohoi Baraliu.

Ai theksoi se institucionet e vendit nuk është dashur ta tolerojnë injorimin dhe mohimin e shtetit të Kosovës nga ata zyrtarë, por është dashur të reagojnë menjëherë. “Qeveria ka treguar thjesht një tolerancë të pajustifikueshme, që do të thotë edhe mosrespektim i afateve ligjore për të vepruar, për ta vënë gjendjen nën kontroll dhe për t’i vënë mekanizmat zëvendësues. Kjo qeveri pashpjegueshmërisht ka heshtur në marrjen e vendimeve dhe bashkë me të është dashur të reagojë edhe MAPL-ja, edhe presidenti i Kosovës, por edhe KQZ-ja”, deklaroi Baraliu./ZËRI