KQZ-ja, e bllokuar tash e dhjetë muaj

Aktuale January 23, 2019 - 08:13
Lexo tjera detaje
Image

Që nga fundi i marsit të vitit të kaluar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është i bllokuar, pasi në atë kohë u ka përfunduar mandati anëtarëve të këtij organi. Ndërkohë, emërimin e anëtarëve të rinj e pati vonuar presidenti Hashim Thaçi, i cili pas disa muajsh bllokade iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar nëse grupet parlamentare që janë formuar pas zgjedhjeve duhet të kenë përfaqësues në KQZ, shkruan Gazeta "Zëri".

Megjithatë, Kushtetuesja e pati refuzuar kërkesën e Thaçit, duke thënë se kjo çështje nuk është në kompetencën e saj dhe se tashmë ekziston një sqarim i Gjykatës Kushtetuese për atë se çka konsiderohet grup parlamentar. Më pas në dhjetor të vitit që lamë pas presidenti Thaçi u bëri kërkesë gjashtë grupeve parlamentare shqiptare që të propozojnë nga një përfaqësues për anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Dy partitë opozitare LDK-ja dhe LVV-ja, të cilat e konsiderojnë këtë gjë si shkelje të Ligjit për Zgjedhje dhe e Kushtetutës së Kosovës, kanë dërguar nga dy emra për përfaqësues në KQZ e jo nga një, sa u ka kërkuar Thaçi. Pavarësisht kësaj, Thaçi ende nuk i ka dekretuar emrat e anëtarëve të rinj të KQZ-së, ndërkohë që të paktën dy parti ende nuk ia kanë dërguar Thaçit emrat e përfaqësuesve të tyre.

LDK e LVV: Mosfunksionalizimi i KQZ-së, lojë e Thaçit dhe e PAN-it

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, ka thënë për “Zërin” që mosemërimi i kandidatëve të KQZ-së është lojë e presidentit Hashim Thaçi dhe e koalicionit qeverisës. “Kjo vonesë që po i bëhet KQZ-së është një skandal kushtetues, një lojë e presidentit dhe e koalicionit qeverisës që në çdo formë të dominojë dhe kjo me të vërtetë është e papranueshme. Ne si LDK kërkojmë të drejtën tonë me çdo kusht dhe ne nuk e kemi dërguar vetëm një emër, siç e ka bërë presidenti, por dy, sepse neve na takojnë aq përfaqësues”, ka thënë ajo.

Gaxherri vlerëson se janë shkelur të gjitha afatet për funksionalizimin e KQZ-së. 

Ndërsa Adnan Rrustemi, ish-anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, e ka quajtur pazar vonesën që presidenti Thaçi është duke ia bërë KQZ-së. “Po shihet qartë që presidenti nuk e ka seriozisht funksionalizimin e KQZ-së, sepse ajo ka mbetur qe një vit e bllokuar dhe tashmë është jashtë funksionit të saj kushtetues. Nuk e justifikon asgjë vonesën e deritanishme, po shihet qartë që presidenti po e mban KQZ-në të bllokuar edhe për shkak të pazareve të tij ditore politike”, ka thënë ai për “Zërin”.

Vendimi i presidentit Thaçi që secilës parti politike t’i takojë nga një anëtar në KQZ, sipas Rrustemit, është vendim antikushtetues dhe antiligjor.

Mosfunksionalizimi i KQZ-së, shkelje kushtetuese

Në anën tjetër, Isuf Zena nga Demokracia Plus për “Zërin” ka thënë se bllokimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga ana e presidentit po bëhet për qëllime politike të tij, gjë që sipas tij është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. “Presidenti me qëllim që t’u sigurojë numra më të favorshëm disa subjekteve politike po e mban pa nevojë të bllokuar këtë institucion, ka mjaftueshëm praktikë dhe bazë ligjore që të emërohen anëtarët e rinj të KQZ-së në përputhje me mandatet që i kanë fituar subjektet politike në zgjedhjet e fundit”, ka thënë ai.

Ndërkohë, sipas tij, e tërë kjo bllokadë nga ana e Thaçit po bëhet për shkak të ndarjes së ulëseve të KQZ-së. “Problemi qëndron te ndarja e ulëseve të KQZ-së. Me qëllim që të mos ua japë nga dy vende dy subjekteve politike, LDK-së e LVV-së, presidenti ka bërë një interpretim të ri të Kushtetutës dhe ka thënë që duhet t’u dërgojë ftesa gjitha grupeve parlamentare pavarësisht si kanë garuar në zgjedhje, mirëpo ne kemi interpretimin e Gjykatës Kushtetuese që e sqaron saktë se çka është grupi parlamentar dhe kur kemi të bëjmë me këso lloje emërimesh”, ka thënë ai./ZËRI