Gjini i reagon Selmanajt për taksën, ka një porosi për të e për LDK-në

Gjini i reagon Selmanajt për taksën, ka një porosi për të e për LDK-në

Aktuale janar 22, 2019 - 23:19
Lexo tjera detaje

Gjini ka dalë me një porosi për deputetin dhe për partinë e tij.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, njëherësh nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, i ka reaguar deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, pas deklaratave të tij për taksën që Qeveria e Kosovës ka vënë ndaj mallrave nga Serbia.

Selmanaj tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë porosi të qartë ndaj Kosovës për taksën, dhe ka vlerësuar se kjo masë nuk guxon t’i rrezikojë raportet Kosovë-SHBA.

Pas këtyre deklaratave të Selmanajt, Gjini ka dalë me një porosi për deputetin dhe për partinë e tij, nëpërmjet një shkrimi në Facebook.

Shkrimi i plotë i Gjinit:

E ftoj Driton Selmanajn dhe LDK ta thërrasin Kuvendin në një seancë të jashtzakonshme për heqjen e taksës ndaj Serbisë.

Nëse po ia shohim sherrin taksës, sipas tyre, le ta thërrasin seancen, dhe ta shpëtojnë Kosovën.

Nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, do ta vërtetojnë (për të njëqindten herë) se janë krejt oportunistë. E shajnë Haradinajn se e vendosi taksën dhe me tërë qenien shpresojnë që ajo të hiqet, dhe atë aspak për hir të Kosovës, por vetëm që të mund të shajnë prap.

Në të njejtën kohë, as gishtin e vogël nuk e lëvizin për ta bërë realitet atë për çka flasin. Bëhuni të zotët dhe thirreni një seancë të jashtzakonshme. Keni mundësi. Fjalët janë krejt shterpe kur keni mundësinë të veproni. LDK e ka bërë zakon të thërrasë seanca të jashtzakonshme për çfarëdo temash! Ajo seancë, të paktën sipas jush, do ta shpëtojë Kosovën!