Sot vendoset për taksën

Aktuale January 22, 2019 - 07:53
Lexo Detajet
Image

Kryeministri Ramush Haradinaj sot pritet ta takojë ambasadorin amerikan në Prishtinë Philip Kosnett, ku do të diskutohet për taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe, masë kjo tregtare që kërkohet të hiqet urgjentisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), shkruan gazeta "Zëri".

Takimi mes Haradinajt dhe Kosnett do të zhvillohet në zyrën e kryeparlamentarit Kadri Veseli. Ky i fundit javë më parë kishte deklaruar për medie se ka qenë iniciator për vendosjen e taksës 100 për qind, ndonëse deputetë të partisë së tij pas presionit të ndërkombëtarëve kanë filluar të ndryshojnë qëndrim rreth taksës.

LEXO EDHE: “Avullimi” i njohjeve

Kreu i Qeverisë së Kosovës dje nuk ka dashur të komentojë nëse do të hiqet taksa ndaj mallrave serbe, ashtu siç po kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. “Bora do të shkrihet dikur”, është përgjigjur Haradinaj në pyetjen e gazetarëve rreth mundësisë së heqjes së taksës në takimin që do ta zhvillojë sot me ambasadorin Kosnett.

Në anën tjetër, presidenti Hashim Thaçi ka bërë apel që të tërhiqet taksa, pasi që, sipas tij, ajo po cenon marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në. Ndërkohë, deputet nga radhët e opozitës janë shprehur të bindur që taksa 100% ndaj produkteve serbe do të suspendohet, pas kërkesave që vijnë nga SHBA-ja. Ndërsa analistët vlerësojnë që institucionet kosovare do të “dorëzohen” përballë presionit të SHBA-së që taksa të hiqet. Sipas tyre, kjo gjë nuk duhet të ndodhë pa u bërë e qartë se çka do të përfitojë Kosova nga ky kompromis.

Thaçi, kundër taksës

“Raportet me SHBA-në janë më të rëndësishme sesa çdo interes elektoral dhe kushdo që i cenon investimet e SHBA-së në Kosovë natyrisht që nuk ka mbështetje qytetare dhe përkrahje. Nëse ndokush në Kosovë pret që Serbia ta ndihmojë Kosovën i tejkalon kornizat e naivitetit, prandaj me rëndësi është që ne të mos gabojmë dhe të jemi unikë”, ka thënë presidenti Thaçi në një konferencë për medie.

Haziri: Taksa do të suspendohet, Qeveria do të bjerë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri, është shprehur i bindur se edhe taksa ndaj mallrave serbe, por edhe rrëzimi i Qeverisë do të ndodhin shumë shpejt. “Edhe do të hiqet taksa, edhe do të bjerë qeveria. Të dyja bashkë. Nuk ka të bëjë taksa, ka të bëjë me suspendim, jo me heqje, por është qëndrim i partnerit më të madh strategjik, me të cilat kanë marrëdhënie speciale dhe të veçanta. Zaten ata po e ruajnë këtë Republikë. Kështu që duhet të sillemi dinjitetshëm me mikun gjithmonë”, ka thënë Haziri për medie.

Sipas tij, buxheti do të jetë procesi i parë që do të rrezikojë ekzistencën e qeverisë “Haradinaj”. “Taksa do të suspendohet, Qeveria do të bjerë, përfundimisht. Buxheti është procesi i parë që do ta rrezikojë rënien e Qeverisë”, ka përfunduar Haziri.

PSD-ja kërkon të merren parasysh sugjerimet e amerikanëve

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuqi, për “Zërin” ka thënë që taksa 100% ndaj produkteve serbe është vendosur si kundërpërgjigje ndaj lobimit të vazhdueshëm agresiv të Serbisë ndaj Kosovës. Sipas saj, duhet të merren parasysh edhe sugjerimet e SHBA-së, duke i trajtuar edhe shkaqet që kanë sjellë vendosjen e kësaj take. “Taksa është vendosur si rezultat i politikës agresive të Serbisë kundër Republikës së Kosovës, sidomos në arenën ndërkombëtare. Ky agresivitet po vazhdon edhe sot me dinamikë të shtuar. Partia Socialdemokrate vlerëson se duhet marrë seriozisht sugjerimet e SHBA-së, duke trajtuar shkaqet dhe arsyet që e kanë nxitur vendosjen e taksës. E ajo është mbi të gjitha fushata agresive e Serbisë kundër Kosovës, e cila nuk është në frymën e dialogut dhe në funksion të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ajo.


Mushkolaj: Taksa të mos hiqet pa kompromis!


Analisti Imer Mushkolaj ka thënë për “Zërin” që taksa 100% ndaj produkteve serbe duhet të hiqet vetëm nëse qartësohet se çfarë përfiton Kosova nga kjo gjë, në të kundërtën, thotë ai, taksa duhet të qëndrojë. “Nuk ka asnjë arsye që të hiqet taksa përderisa Beogradi thotë që nuk do të vazhdojë dialogun pa e hequr taksën. Ata po e vazhdojnë betejën për çnjohje nga shtete të ndryshme të Pavarësisë së Kosovës dhe ky është një argument i fuqishëm që Kosova e ka në anën e saj. Nëse SHBA-ja kërkon që taksa të hiqet, pavarësisht kërkesës së Beogradit dhe insistimit të Haradinajt që taksa të mbetet në fuqi, atëherë do të duhej të dihet se çka përfiton Kosova nëse taksa hiqet”, ka theksuar ai.
Mushkolaj thotë që assesi nuk duhet që Kosova ta heqë taksën pa u siguruar se do të përfitojë nga kjo gjë. “Vendimi për taksën ishte i drejtë dhe tash është dëm shumë i madh që taksa të hiqet pa përfituar asgjë. Taksa duhet të hiqet vetëm me një kompromis me SHBA-në karshi Serbisë. Taksa përpos që ka shërbyer si mjet politik e që e ka dëmtuar Serbinë ekonomikisht, e ka rritur edhe vetëdijen tonë për konsumime vendore”, ka thënë ndër të tjera ai.
Pavarësisht kësaj, ai thotë që presioni amerikan për heqjen e taksës do të zërë vend, mirëpo Kosova duhet të tregohet e bindur për këtë çështje. “Presioni amerikan e bën të veten dhe ne e dimë që zakonisht përballë qëndrimeve dhe kërkesave të SHBA-së ne nuk mundemi të rezistojmë, por paraprakisht ne duhet të bëjmë një bilanc se çka është arritur me këtë taksë dhe si do të procedohet më tutje”, ka thënë ai për “Zërin”.

Haxholli: Heqja e taksës, në koordinim me SHBA-në


Në anën tjetër, Violeta Haxholli nga KDI-ja ka thënë për “Zërin” që meqenëse SHBA-ja po e kërkon heqjen e taksës, atëherë kjo gjë do duhej të bëhej në koordinim me të. “Do duhet të bëhet një marrëveshje me SHBA-në për mënyrën më të mirë që të hiqet kjo taksë, duke mos u dëmtuar as pozicioni i Kosovës në raport me Serbinë në dialog, por as të mos dëmtohen marrëdhëniet tona me SHBA-në si njëri nga aleatët kryesorë tanë”, ka thënë ajo.
Haxholli ka thënë se nuk pret që taksa të hiqet menjëherë, megjithatë, sipas saj, ka mundësi që pas takimit të Haradinajt me ambasadorin amerikan Kosnett kjo taksë të pezullohet përkohësisht. “Në skenarin më të mirë pres që do të ketë një lloj dakordimi për mënyrën sesi do t’i qasemi kësaj takse. Nuk besoj që do të hiqet menjëherë, ndoshta më shumë besoj që mund të ketë pezullim, me një marrëveshje të tillë që të mos hiqet ashtu menjëherë, në mënyrë që Kosova të mos e dëmtojë pozicionin e saj në dialog. Nuk duhet që asnjëra palë të dalë shumë e humbur, as pala e Kosovës, por as pozicioni amerikan të mos mbetet si i padëgjuar”, ka thënë ndër të tjera ajo./Zeri