“Avullimi” i njohjeve

Aktuale January 22, 2019 - 07:39
Lexo Detajet
Image

Fushata e egër e diplomacisë serbe ka bërë që disa shtete ta pezullojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Një veprim të tillë dje e bëri shteti i Palaut, derisa po vijnë paralajmërimet se njëjtë do të veprojnë së shpejti edhe katër shtete tjera të botës.Në kohën kur, sipas zyrtarëve serbë, njohjet e pavarësisë së vendit kanë marrë tatëpjetën, Kosova qe disa muaj nuk ka ambasadorë në Angli, në Suedi, në Australi, por as në Shqipëri, shkruan gazeta "Zëri".

Ndonëse në vitin 2013 kishin nënshkruar Marrëveshjen e Parë të Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve, Serbia nuk po rresht së ndaluri fushatën e egër kundër Kosovës duke lobuar te shtetet e ndryshme të botës që t’i tërheqin njohjet.


Gjatë ditës së djeshme mediet serbe raportuan se shteti i Palaut ka marrë vendim që ta pezullojë njohjen e Kosovës derisa të përfundojë procesi i dialogut me Serbinë. Pos kësaj, përfaqësuesit e institucioneve serbe kanë paralajmëruar se shumë shpejt në drejtim të Kosovës do të vijnë edhe katër tërheqje të tilla. Pavarësisht kësaj, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) kanë mohuar të ketë ardhur pezullimi i njohjes nga shteti i Palaut. Në anën tjetër, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se termi “Çnjohje” nuk njihet me të Drejtën Ndërkombëtare, megjithëkëtë sipas tyre një “luftë” e tillë diplomatike nga ana e Serbisë i sjell efekte negative shtetit të Kosovës. Ata me këtë rast diplomacinë kosovare e cilësojnë të dobët karshi propagandës serbe. Ndërkohë, duke marrë parasysh që shumë ambasada të Kosovës nëpër botë janë pa ambasadorë, ekspertët e çështjeve ndërkombëtare vlerësojnë se mungesa e marrëdhënieve diplomatike prej anës së Kosovës ka krijuar avantazhe për Serbinë. Në këtë kontekst, siç ata janë shprehur, mund të shpjegohet edhe “tërheqja e njohjeve” dhe pozicioni defensivë i Kosovës.

Palau pezullon njohjen e Kosovës

Mediet serbe gjatë ditës së djeshme kanë raportuar se presidenti i Republikës së Palaut, Thomas Remenges, i ka dorëzuar ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, një notë të vendimit për t’i pezulluar të gjitha vendimet dhe deklaratat e mëparshme në lidhje me çështjen e statusit të Kosovës, si dhe vendimin për njohjen deri në përfundimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.

Por një gjë të tillë e ka demantuar Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës. Në një prononcim për “Zërin” Fatmir Haxholli, këshilltar politik i ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosova nuk ka marrë kurrfarë njoftimi për çnjohje.

Ndërkohë, duke komentuar tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arben Fetoshi, ka vlerësuar se “lufta” që po bën Serbia karshi Kosovës është në kundërshtim me marrëveshjen e nënshkruar për normalizim të raporteve në mes të dyja vendeve. “Serbia e ka të qartë se Kosova është e pavarur, por sa më shumë që arrin ta dobësojë pozitën ndërkombëtare të saj, po aq edhe i rriten gjasat për një kompromis sa më të favorshëm në marrëveshjen finale”, ka deklaruar ai.

Sipas Fetoshit, ky është kalkulimi i Serbisë, e cila me lajmet për tërheqje të njohjeve ka arritur ta krijojë perceptimin se Kosova po dështon si shtet përderisa diplomacia e dobët vetëm sa e ka shtuar demoralizimin e qytetarëve.

Opozita: Qeveria ka dështuar në raport me njohjet

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë se Serbia me shekuj lobon kundër Kosovës. Rrjedhimisht sipas tij edhe në momentin kur Serbia e pranon Kosovën si shtet nuk do të ndalet së lobuari kundër Republikës së Kosovës. “Por natyrisht që njëri nga kushtet për normalizim duhet të jetë edhe ndërprerja e këtij lobimi që Serbia po e bën në dëm të Kosovës”, ka theksuar ai.

Kurteshi më tej ka thënë se Qeveria, veçanërisht MPJ-ja, nuk ka treguar kurrfarë rezultati sa i përket diplomacisë. Ndaj, siç ai është shprehur, dikush duhet të bartë përgjegjësi lidhur me këtë çështje.

Kurse Emrush Ujkani, profesor i së drejtës evropiane, ka thënë se termin “Çnjohje” nuk e njeh e Drejta Ndërkombëtare. Ndaj sipas tij, një shtet që ka njohur pavarësinë e një shteti nuk mund ta tërheqë atë njohje.

“Çnjohjen si koncept nuk e njeh e Drejta Ndërkombëtare. Këtu Serbia po luan me kartën e vet, por prapëseprapë unë nuk e besoj që kjo do ta dëmtojë shumë atë çka është shtetësi e Kosovës”, ka theksuar ai.

Megjithatë, Ujkani nuk ka përjashtuar mundësinë që nga një “luftë” e tillë e Serbisë të shkëputen marrëdhëniet diplomatike me shtetet e ndryshme.

Ambasadat, pa ambasadorë

Përderisa Serbia po vazhdon të lobojë kundër Kosovës te shtetet e ndryshme, disa ambasada të Kosovës tash e disa muaj po vazhdojnë të jenë pa ambasadorë. Australia, Anglia, Suedia, Shqipëria janë vetëm disa prej shteteve në të cilat Kosova nuk ka ambasadorë.

Pavarësisht kësaj Fatmir Haxholli, nga MPJ-ja, ka thënë se ky institucion është duke u angazhuar që ta bëjë Kosovën të jetë e pranishme kudo në botë, në të gjitha vendet njohëse dhe jonjohëse. “Kosova ka qenë dhe është e përkushtuar që të vendosë marrëdhënie diplomatike me vendet demokratike, por edhe me vendet të cilat gjejnë gjuhë të përbashkët e interesa të përbashkëta”, theksuar Fatmir Haxholli.

Ndërkohë Arben Fetoshi ka konsideruar se Kosova nuk ia ka dalë që ta ndërtojë një shërbim të fuqishëm diplomatik. “Mungesa e marrëdhënieve diplomatike ka krijuar avantazh për Serbinë, e cila ka një shërbim diplomatik të trashëguar shumë më të shtrirë në botë. Në këtë kontekst mund të shpjegohet pjesërisht tërheqja e disa njohjeve dhe pozicioni defensivë i Kosovës”, ka theksuar ai./Zeri/