Nesër Haradinaj takohet me ambasadorin e SHBA-së, ç'do të ndodhë me taksën

Nesër Haradinaj takohet me ambasadorin e SHBA-së, ç'do të ndodhë me taksën

Aktuale janar 21, 2019 - 22:05
Lexo Detajet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri, Ramush Haradinaj dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett pritet të takohen nesër.

Gjatë javës së kaluar Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan nga Qeveria e Kosovës ta tërheq taksën ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Burime të lajmi.net brenda Kuvendit bëjnë të ditur se takimi do të mbahet nesër me ftesë të kryetarit, Kadri Veseli ku do të diskutohet për taksën 100 për qind.

Këshilltari i kryeministrit, Avni Arifi i ka thënë lajmi.net se nuk ka detaje rreth këtij takimi mirëpo ka theksuar se Qeveria vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim.

“Për momentin nuk shoh asnjë lëvizje tek Qeveria e Kosovës për ndonjë ndryshim në politikat ekzistuese. Nuk ka asnjë indikacion se mund të ketë ndryshime”, ka deklaruar Arifi.

Kryeministri, Ramush Haradinaj ditë më parë e pranoi se SHBA-të kanë kërkuar zyrtarisht heqjen e vendimin për taksën, por ka thënë se ky vendim nuk do të hiqet derisa të arrihet një marrëveshje për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Nga Ambasada e SHBA-ve në Kosovë kanë deklaruar se qëndrimi i tyre lidhur me tarifat nuk ka ndryshuar. Sipas tyre, Kosova nuk përfiton asgjë nga këto masa.

Heqjen e taksës e ka kërkuar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Ai ka thënë se taksa 100 për qind duhet të hiqet dhe se për teke personale nuk duhet t’i rrezikojmë raportet me SHBA-të.

Pas takimit të nesërm mbetet të kuptohet nëse Haradinaj do të ndryshojë qëndrim rreth kësaj çështje dhe të arrijë ndonjë marrëveshje.