Remi e shpjegon statusin e tij si 'dëshmitar i dyshuar' i Gjykatës Speciale

Aktuale January 21, 2019 - 21:40
Lexo Detajet

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, i njohur si Remi, ka folur për paraqitjen e tij tek Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, në Hagë.

Remi ka treguar në T7, se pse ka zgjatur shumë marrja e tij në pyetje në Holandë.

“Interesimi i tyre, për mua është serioz. Nuk kam si t’i përgjigjem ndryshe, veçse seriozisht”, është shprehur ai.

“Jam përgjigjur me mundësitë e mia, sa kam kapacitete serioze, siç e kërkon rendi”, ka thënë Remi.

Ai ka treguar edhe si e ka marrë ftesën për paraqitje në Hagë.

“Ftesa më ka ardhur, mua personalisht, me telefon”, ka thënë Remi, duke treguar se ka komunikuar me dikë në anglisht.

“Jemi kuptuar mirë me atë zotërinë...”, ka shtuar Remi, duke theksuar se nuk ka negociuar për datën e marrjes së tij në pyetje atje.

I pyetur se në çfarë cilësie është marrë në pyetje, ai ka ripërsëritur deklaratën e tij se është “dëshmitar i dyshuar”.

“Gjykata Speciale është speciale, edhe termet janë speciale”, ka theksuar ai.

“Unë jam dëshmitar, për të dëshmuar mbi strukturimin dhe të bëmat e luftës aty ku kam qenë”, ka treguar Remi.

Ai ka shtuar se mund të jetë edhe i dyshuar për ndonjë rast.

Remi ka treguar se Specialja interesohet sidomos për qendrat ndaluese të UÇK'së.

Ish-komandanti i UÇK'së ka thënë se nuk do të marrë avokat ndërkombëtar.