Qeveria i kundërpërgjigjet grevistëve, thotë se është bërë e pamundshmja për këtë ligj

Aktuale January 21, 2019 - 18:10
Lexo Detajet

Qeveria e Kosovës ka thënë se është bërë e pamundura për për t’i ofruar mësimdhënësve rritje prej 10 për qind të koeficientit të tyre.

Besnik Tahiri, këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë sot për Klan Kosovën se propozimi i qeverisë ka ardhur pas një analize “shumë të thellë” nga Ministria e Financave.

“Ne kemi një propozim i cili ka dalë nga një analizë shumë e thellë dhe shumë e thuktë e Ministrisë së Financave. Një profesor i shkollës së mesme do ta ketë rrogën afër 600 euro, dhe këtu nuk jemi duke folur për rritje të vogël”, ka thënë Tahiri.

LEXO EDHE: SBASHK-u akuzon Qeverinë në lidhje me pagat

“Nuk qëndron [pretendimi se nuk janë rritur pagat], në aspektin monetar rritja më e madhe është po në këtë sektor. Ky ligj i barazon secilin dhe i ul pagat në shumë sektor dhe i rrit pagat në sektorin e arsimit”, ka thënë ai. “Qeveria e ka bërë të pamundshmën për të ardhur deri tek kjo ofertë”.

SBASHK ka vendosur që të refuzojë ofertën e Qeverisë së Kosovës për ndërprerjen e grevës, pas ofertës së kryeministrit Haradinaj për ngritje të koeficionetit të pagave për 10 për qind, për këtë sektor.