MPJ: Serbia po pengon shtetndërtimin e Kosovës

Aktuale January 21, 2019 - 10:01
Lexoni më shumë lajme nga vendi

Serbia po vazhdon lobimin për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga shtete të ndryshme të botës, përderisa vazhdimin e dialogut në Bruksel po e kushtëzon me heqjen e taksës 100% ndaj mallrave të tyre. Analistët politikë në vend vlerësojnë se derisa po vazhdon një lobim i tillë i shtetit serb, atëherë dialogu në mes të dyja vendeve është i pakuptimtë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Fatmir Haxholli, këshilltar politik i ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, ka thënë për “Zërin” se Serbia po mundohet ta krijojë një opinion të rrejshëm për Kosovën në botë.

“Synimet e Serbisë janë që përmes fushatës propagandistike, pra përmes asaj që e quan ajo ‘çnjohje’ të bëjë një presion mbi Kosovën dhe përmes kësaj synon të krijojë një opinion të rrejshëm në botë kinse Kosova ka ende probleme të pazgjidhura, të cilat lidhen me pavarësinë e saj. Ajo po e përdor këtë presion në proces të dialogut, por edhe si një levë në raport me Bashkimin Evropian për të arritur përfitime për vete”, ka thënë ai.

Haxholli vlerëson se Serbia me çdo kusht po tenton ta pengojë Kosovën në proceset e saj.

LEXO EDHE: Çnjohje po, taksë jo!

“Serbia përdor edhe forma të tjera të kundërshtimit të Kosovës në të gjitha instancat, ta zëmë arrestimin e pjesëtarëve serbë të FSK-së, idenë e saj që përmes Rusisë të provojë t’i adresojë çështjet që lidhen me njohjen e pavarësisë së Kosovës, nota proteste dhe shkresat që ua çon vendeve lidhur me aktivitete e veprime shtetërore dhe diplomatike të Kosovës. Pra Serbia po shfrytëzon çdo formë dhe çdo instrument me synimin që të ushtrojë presion mbi Kosovën”, ka thënë ai.

Haxholli e ka mohuar edhe deklaratën e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, se Republika e Palauit e ka tërhequr njohjen e Kosovës.

“As nuk kemi marrë një kërkesë të tillë e as nuk presim të marrim, siç nuk kemi marrë as edhe nga vendet tjera për të cilat pretendon Serbia, sepse duke qenë se njohjet që i kemi marrë janë të pakthyeshme, të parevokueshme, vullnetlira nga 116 vendet dhe presim edhe njohje të reja. Besoj se nuk ekziston opsioni që ndonjë shtet tani për hatër të Serbisë të bëjë ndonjë shkresë zyrtare në adresë të Kosovës, në të cilën do të theksohej se ne e revokojmë njohjen”, ka potencuar ai.

Kjo ngase një gjë e tillë do të prodhonte një skandal diplomatik në kundërshtim me praktikën dhe me Ligjin Ndërkombëtar, si dhe do të nënkuptonte një situatë joserioze për imazhin e cilitdo vend që bën një gjë të tillë./ZERI