Thaçi sot i 'çel letrat'

Aktuale January 21, 2019 - 07:49
Lexoni më shumë lajme nga vendi
Image

Presidenti Hashim Thaçi pritet sot t’ia dorëzojë Ekipit Negociator dokumentacionin për mbarëvajtjen e bisedimeve në Bruksel me Serbinë. Partitë opozitare shprehen skeptike se i pari i shtetit do ta bëjë transparent dokumentacionin e bisedimeve, pikërisht për shkak se përmban marrëveshje të dëmshme për vendin, shkruan sot gazeta "Zëri".

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot pritet të mbajë një takim me Ekipin Negociator për Dialogun me Serbinë. Në këtë takim është thënë që presidenti Thaçi do t’ia dorëzojë delegacionit shtetëror dokumentacionet që posedon nga bisedimet paraprake me Serbinë në Bruksel pas kërkesës së negociatorëve që t’i kenë në dispozicion të gjitha dokumentet zyrtare, të cilat ndërlidhen me dialogun.

LEXO EDHE: 'LDK kërkon vetëm zgjedhje të reja'

“E kam bërë të qartë se deri më tani nuk ekziston asnjë dokument i shkruar zyrtar ose draftmarrëveshje e përgatitur nga BE-ja. Kjo është e natyrshme, sepse ne jemi në fazën fillestare të negociatave për të arritur një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse. Përkundër kësaj, sapo ta mbaroj pushimin, të hënën do të takojë Ekipin Negociator dhe do t’ua jap edhe në formë të shkruar informacionet e përgjithshme për periudhën e deritashme të bisedimeve. Në këtë proces historik ne do të punojmë së bashku dhe në koordinim me njëri-tjetrin”, ka thënë ditë më parë Thaçi për radion “Evropa e Lirë”.

Edhe deputeti i Koalicionit Qeverisës, Rasim Selmanaj, ka thënë për “Zërin” se ka dakordancë mes presidentit e Ekipit Negociator për dorëzimin e atyre dokumenteve. Ai shprehet se në dialogun me Serbinë të gjithë janë një. “Edhe presidenti, edhe Ekipi Negociator kanë rënë dakord për dorëzimin e dokumenteve që ekzistojnë. Bashkëpunimi dhe koordinimi do të jetë i domosdoshëm dhe unë jam i bindur në këtë sepse presidenti dhe ekipi janë një në këtë proces”, ka thënë Selmanaj.

LVV: Thaçi nuk po i dorëzon dokumentet për shkak të përmbajtjes

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, në një prononcim për “Zërin” u shpreh se ka frikë se dokumentet, të cilat i posedon presidenti, mund të përmbajnë marrëveshje të dëmshme për vendin. Ai thotë se ky edhe mund të jetë njëri prej shkaqeve që presidenti e ka vonuar procesin e dorëzimit të këtyre dokumenteve te Ekipi Negociator.

“Përherë gjërat të cilat fshihen ato nuk mund të arsyetohen para publikut. Prandaj kam frikë që aty ka diçka që është e dëmshme për vendin dhe që nuk mund të arsyetohet nga presidenti dhe kjo është arsyeja edhe pse po fshihen këto dokumente”, u shpreh Kurteshi.

Kurteshi thotë se praktikat e mëhershme të presidentit për jotransparencë e shtyjnë të jetë skeptik nëse presidenti do ta dorëzojë këtë dokumentacion.

“Duke u bazuar në praktikat e deritanishme ka munguar transparenca në dialogun që e ka zhvilluar presidenti dhe deri më tash ai nuk i ka dhënë llogari askujt dhe as nuk ka njoftuar për asgjë, prandaj unë kam frikë se do të vazhdojë me të njëjtën praktikë që vështirë se do t’i japë dokumentet. Megjithatë pritet të shohim nesër se çfarë do të ndodhë”, shtoi Ismaili.

LDK: Presidenti nuk guxon ta fshehë dokumentacionin për dialogun

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Abdyli, ka thënë për gazetën “Zëri” se presidenti Hashim Thaçi nuk guxon ta fshehë dokumentacionin e mbarëvajtjes së bisedimeve në Bruksel, pasi bisedimet për Kosovën nuk janë çështje personale e tij.

“Këto dokumentacione nuk guxojnë të fshihen nga askush e as nga Hashim Thaçi, sepse ai nuk është në dialog për të biseduar për çështjen e tij personale, por është çështje që ka të bëjë për Kosovën”, pohoi ai.

Abdyli theksoi se dokumentet që posedon presidenti duhet të bëhen transparente sa më parë, jo vetëm për Ekipin Negociator, por edhe për Kuvendin, edhe për mbarë opinionin.

“Dorëzimi i dokumenteve është një obligim ligjor që nuk duhet as të kontestohet, as të bisedohet, sepse presidenti nuk është duke shkuar për të bërë dialog për çështje të veta, por për çështje të përgjithshme të Kosovës. Normalisht çdo transkript i bisedës së tij duhet të jetë transparent jo vetëm për trupën mbështetëse të këtyre bisedimeve, por edhe për Kuvendin, edhe për opinionin e gjerë”, deklaroi Abdyli.

Ai shtoi se sjellja jotransparente e Hashim Thaçit duhet të ndërrojë ose në të kundërtën organet kompetente duhet t’ia ndalin këtë “aventurë”.

“Kjo qasje e Hashim Thaçit duhet të ndërrojë, ai duhet të jetë më transparent dhe të tregojë çfarë ka biseduar, kush e ka autorizuar atë që të flasë për territore, pastaj me çfarë autorizimi po i bën ai këta dialogë dhe normalisht tani kjo sjellje e tij duke mos e dorëzuar dokumentacionin ia ka vënë kulmin këtij procesi. Duhet të gjitha organet ta shikojnë rolin e tij në dialog dhe të veprohet më tutje që aventurat e tij të ndalen njëherë e përgjithmonë”, ka thënë ai.

Krasniqi: Presidenti t’i përgjigjet kërkesës së Ekipit Negociator

Monitoruesja e procesit të dialogut Kosovë - Serbi në Institutin Demokratik të Kosovës, Jeta Krasniqi, ka thënë për gazetën “Zëri” se është shumë e rëndësishme që dokumentet që i posedon presidenti Thaçi t’i vihen në dispozicion Ekipit Negociator për të arritur një dakordim të punës nga të gjitha institucionet për procesin e dialogut Kosovë - Serbi, në të cilin duhet të përfaqësohen të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Mbetet e rëndësishme që këto dokumente të dorëzohen, të ketë bashkërendim në mes të institucioneve, të ketë llogaridhënie dhe transparencë e të ketë komunikim mes delegacionit dhe presidentit, meqë me anë të Rezolutës delegacioni është përgjegjës për procesin e dialogut Kosovë - Serbi. Prandaj, të gjitha institucionet duhet të punojnë së bashku pasi kemi të bëjmë me qëndrimin e shtetit të Kosovës në këto bisedime”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi thotë se afatet që janë vënë në Rezolutë për dorëzimin e këtyre dokumenteve duhet të respektohen nga ana e presidentit Thaçi, kështu duke kërkuar transparencë në këtë proces.

“Presidenti duhet t’i respektojë rezolutat e Kuvendit, por edhe obligimet që secili institucion ka dhe për këtë çështje si presidenti, si Ekipi Negociator duhet të jenë transparentë dhe llogaria të jepet në fund në Kuvend”, ka thënë Krasniqi./ZERI