Vulin në panik: Shqipëria e Madhe po krijohet para syve tanë

Aktuale January 20, 2019 - 18:03
Lexoni detajet

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e ka dërguar një mesazh shumë të qartë diplomatik dhe politik, se Rusia e mbështet çdo zgjidhje që Serbia arrin me Kosovën.

Aleksandar Vulin, ministër i Mbrojtjes në Serbi, vlerëson se çfarëdo që përkon me Serbinë lidhur me marrëveshjen me Kosovën do të përkrahet nga Rusia.

Vulin ka theksuar se Rezoluta 1244 është ende në fuqi dhe nëse dikush mendon se pa këtë rezolutë mund të gjendet zgjidhje e ka gabim, përcjell lajmi.net.

“Është shumë e vështirë të shpjegohet rruga evropiane për shkak të politikës me standarde të dyfishta të Prishtinës. Ata vendosën tarifa ndaj produkteve të Serbisë për të cilat Evropa nuk po bën sa duhet presion”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka potencuar se Evropa po heshtë përdersia ‘një Shqipëri e madhe po krijohet para syve tanë’.

“Asnjë fjalë e vetme për këtë. Mund ta imagjinoni se çfarë do të ndodhte nëse dikush në Serbi do përmendte diçka të tillë. Një Shqipëri e madhe është shumë e rrezikshme për Ballkanin”, është shprehur Vulin.

Ministri serb ka shtuar se serbët nuk duhet të pranojnë të bëhen pjesë e Ushtrisë së Kosovës pasi me një gjë të tillë dëshmojnë se janë kundër vëllezërve dhe fqinjëve serb.