VV: Ne nuk duam të hetohet lufta e UÇK-së si luftë kriminale

Aktuale January 20, 2019 - 15:10
Lexo Detajet

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur mbledhjen e këshillit të qendrës së Prishtinës.

Kryetari i VV-së për Prishtinë, Arben Vitia, gjatë hapjes së mbledhjes së Këshillit të Qendrës së Vetëvendosjes në Prishtinë, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk dëshiron të hetohet lufta e UÇK-së si luftë kriminale, sepse ajo ka qenë luftë çlirimtare ndaj një pushtuesi kriminal.

Ai deklaroi se Kosova po udhëhiqet nga njerëz të shantazhuar, e për këta të fundit, tha se nën shantazh po e pranojnë edhe Gjykatën Speciale.

“Ne nuk duam të luftohet ose të hetohet lufta e UÇK-së si luftë kriminale, sepse ajo ka qenë luftë çlirimtare ndaj një pushtuesi kriminal, por ne duam dhe do të punojmë vazhdimisht që të gjykohen të gjithë ata që kanë abuzuar me pushtetin, të korruptuarit që po e gërryejnë Kosovën përbrenda dhe po e shtrembërojnë fotografinë tonë nga jashtë, madje, këtë njerëz të shantazhuar po përpiqen të japin edhe territor për Serbinë sipas të ashtuquajturit kompromis të dhimbshëm”, ka thënë Vitia.

Vitia po ashtu tha se situata në Kosovë edhe pas 10 vitesh nuk është aspak e mirë, sipas tij asgjë nuk ka ndryshuar brenda 10 vitesh.

“Viti 2019 po na pret edhe me më shumë sfida. Situata në Kosovë nuk është aspak e mirë dhe nëse e bëjmë dallimin mes dhjetë viteve vërejmë se shumë pak ka ndryshuar. Me këtë nivel dhe shkallë të zhvillimit Kosovës do i duhen edhe 40 vite për ta arritur Kroacinë”, tha Vitia, raporton EO.

“Sot më pak vende e njohin Kosovën se para 10 vitesh. Korrupsioni i tyre i ka bërë ata të shantazhueshëm. Me tërë këtë fatkeqësi që po na sjellin këta qeveritar është një rritje masive e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.

“Gjatë këtij viti na duhet një vullnet i madh i çdo aktivisti. Ne do vazhdojmë të jemi opozita që ngremë zërin pa ndalur për problemet e qytetarëve. Na pret punë dhe angazhim qe e kemi dëshmuar se kur jemi bashkë dhe të organizuar asnjëherë nuk mungojnë rezultatet”, shtoi Vitia.