Ministria e Punës ende nuk e ka hartuar ligjin për shtesat

Aktuale January 19, 2019 - 21:28
Lexoni më shumë lajme nga vendi

Fëmijët kosovarë nuk do t’i marrin shtesat këtë vit, siç u premtua. Rezoluta e votuar në Kuvendin e Kosovës ende nuk është hartuar në ligj nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe rrjedhimisht me këtë vonesë nuk do të mundë të përfshihet as në buxhetin e vitit 2019, kur të dalë në votim, shkruan gazeta "Zëri".

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ende nuk e ka hartuar legjislacionin që parashihet në rezolutën e miratuar në Kuvend në nëntorin e vitit të kaluar, mirëpo ata kanë njoftuar që janë duke punuar në të dhe në pjesën e parë të këtij viti pritet ta përfundojnë.

“MPMS-ja do të marrë përsipër hapat e nevojshëm për hartimin e legjislacionit, ashtu siç parashihet në rezolutë dhe kjo do të bëhet në pjesën e parë të këtij viti”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

LEXO EDHE: Fëmijët nuk do të marrin shtesa këtë vit

Ministria e Punës ka bërë të ditur se është duke bërë reformën pensionale dhe për të kanë hartuar një koncept-dokument nga i cili do të dalin dy ligje, ndër to edhe ligji për sigurime sociale, në të cilin përfshihen shtesat për fëmijë.

“Krahas rezolutës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është në fazën e reformës pensionale, ku tashmë kemi hartuar koncept-dokumentin për reformë në fushën e pensioneve dhe beneficioneve, koncept-dokument të cilin e kemi dorëzuar në Qeveri për miratim. Nga ky koncept-dokument do të burojnë dy ligje, ligji unik për pensionet dhe ligji për sigurime sociale. Pas hartimit të ligjit për sigurime sociale do të krijohet fondi për sigurime sociale dhe nëpërmjet këtij fondi MPMS-ja ka paraparë financimin sa i përket mbrojtjes prindërore ose shtesave për fëmijë”, thuhet më tutje në përgjigjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale./ZERI