Lekaj i përgjigjet Thaçit për taksën

Aktuale January 19, 2019 - 17:04
Lexoni më shumë lajme nga vendi

Nënkryetari tjetër i AAK’së, Pal Lekaj, ka thënë se vendimi për mos heqjen e taksës me Serbinë nuk cenon raportet e Kosovës me Amerikën.

Në këtë mënyrë, Lekaj i është përgjigjur Presidentit Hashim Thaçi, i cili kërkoi nga Qeveria që të dëgjohet këshilla e SHBA’së për heqjen e takës.

“Të gjithë jemi krenarë për miqësinë që e kemi me Amerikën. Vendimet e institucioneve shtetërore, siç është ky për taksën, nuk e rrezikojnë miqësinë dhe koordinimin që e kemi që dhjetëra dekada me SHBA’në”, ka thënë Lekaj, për Express, të shtunën.

Qeveria Kosovës kishte marrë vendim për taksë ndaj produkteve serbe e boshnjake pasi Serbia kishte nisur një fushatë kundër njohjeve të Kosovës.

Fillimisht ishte vendosur taksa 10 për qind për t’u vendosur në fund të vitit të kaluar në 100 për qind.

LEXO EDHE: Thaçi: Teket personale nuk guxojnë të lëndojnë interesin ndaj SHBA-së

SHBA ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të taksës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar sot të dëgjohet këshilla e amerikanëve. Ka thënë se SHBA nuk e ka të pakushtëzuar përkrahjen për Kosovën. Madje, ka thënë se për teke të ndonjë lideri s’bën të rrezikohet partnertiti i Kosovës me SHBA’në.

Lekaj ka thënë se askush s’mund t’i lëvizë raportet Kosovë-Serbi. Ka thënë se Ramush Haradinaj vetëm sa i ka thelluar këto raportet me amerikanët.

“Ashtu siç e kemi çliruar, e ndërtuar shtetin e Kosovës, bashkë me Amerikën do të vazhdojmë t’ua ruajmë sovranitetin nga jashtë dhe të zhvillojmë brenda. Miqësia jonë me Amerikën është e ndërtuar në themelet e dy popujve, të cilën vështirë se mund ta lëkund dikush. Kryeministri e ka dëshmuar në vazhdimësi bashkëpunimin me SHBA për të mirën e dy popujve”, ka shtuar ai.