Pesë vjet pritje për një mamograf që kushtoi 41.700 euro

Aktuale January 19, 2019 - 08:17
Lexo tjera detaje
Image

Pas pesë vjetësh, kur OJQ “Mundësia” kishte nisur aksionin për grumbullimin e mjeteve për blerjen e një mamografi për diagnostikimin e sëmundjes së kancerit të gjirit për gratë e Mitrovicës, mamografi i cili ka kushtuar 41.700 euro është vendosur në QKMF “Dr. Nexhat Çuni” në Mitrovicë, shkruan Gazeta "Zëri".

Mitrovica, respektivisht spitali rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri”, si dhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë kanë qenë të vetmet në Kosovë që nuk kanë poseduar një aparat, mamograf tepër i nevojshëm për diagnostikimin e sëmundjes së kancerit të gjirit. Gratë e Mitrovicës dhe të komunave të rajonit, Skenderaj e Vushtrri, janë detyruar që kontrollet t’i kryejnë në Prishtinë, të shumtën në QKUK, por shumë sosh në pamundësi për t’i kryer shërbimet në Prishtinë janë vonuar me diagnostikimin e kësaj sëmundjeje dhe për pasojë kanë gjetur vdekjen. Duke parë këtë gjendje alarmante në shëndetësinë e Komunës së Mitrovicës dhe duke qenë të bindur se Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës nuk është duke ndërmarrë asgjë për ta pajisur Spitalin Rajonal të Mitrovicës me mamograf, si dhe duke u nisur nga fakti i rritjes së vazhdueshme të rasteve me tumor në gji, por edhe problemeve të trajtimit dhe kontrollit në mamograf për gratë dhe femrat e komunës së Mitrovicës, organizata “Mundësia”, e cila udhëhiqet nga Hasime Tahiri, para pesë vjetësh pati ndërmarrë një aksion për grumbullimin e mjeteve për ta blerë mamografin.

Pas dy vjetësh grumbullojnë paratë

Pas dy vjetësh nga fillimi i aksionit për blerjen e mamografit organizata “Mundësia” kishte njoftuar se janë mbledhur saktësisht 40.800 euro, të pamjaftueshme për t’u pajisur me një mamograf digjital. Sipas drejtoreshës së organizatës “Mundësia”, Hasime Tahiri, Komuna e Mitrovicës kishte dhënë 20.400 euro, Komuna e Skenderajt 10.000 euro, Bashkësia Islame e Mitrovicës 3.000 euro, kombinati “Trepça” 1.000 euro, “Rotary Club” 5000 euro, OJQ “Mundësia” 500 euro.

“Me këto para ne kemi mundur të sigurojmë një mamograf të tipit të vjetër. Mirëpo kemi vlerësuar se më mirë do të ishte që ta blejmë një mamograf digjital, që është shumë më i përshtatshëm dhe më bashkëkohor, me të cilin diagnostikimi i kancerit në gji është më i suksesshëm. Për këtë arsye edhe patëm vendosur që të vazhdojmë aksionin dhe aktivitetet tona për sigurimin edhe të 25.000 eurove, aq sa duheshin për një mamograf të këtillë”, ka thënë ajo.

E në anën tjetër, ndonëse dy komunat, Mitrovica dhe Skenderaj, edhe kishin kontribuar sadopak, me asnjë cent nuk ka kontribuar Ministria e Shëndetësisë. Në fakt, siç thoshin gratë e Mitrovicës, për t’ua siguruar mamografin dy komunave, Mitrovicës e Skenderajt, si dhe Ministrisë së Shëndetësisë u ka pasur “hije” që të investojnë vetë për ta blerë mamografin, pa i pritur organizatat e ndryshme, ndërmarrjet dhe institucionet tjera që të japin para.

“Kush e di sa para harxhojnë në këto komuna pa kryer asnjë punë e për ta blerë një mamograf nuk kanë mundur t’i sigurojnë 40 mijë euro. Për pesë vjet ata nuk kanë qenë në gjendje t’i sigurojnë 40 mijë euro”, thonë tani pothuajse shumica e grave të Mitrovicës, së cilave më në fund u është siguruar mundësia e kontrollit me mamograf në qytetin e tyre. Por më në fund, pas pesë vjetësh, Mitrovica është bërë me mamograf, pasi që qendra kryesore e mjekësisë familjare “Dr. Nexhat Çuni” në Mitrovicë është pajisur me mamograf digjital të enjten.

Mamografi digjital

“Jam shumë e lumtur që të konfirmoj se kemi siguruar mamografin, i cili është vendosur në qendrën kryesore të mjekësisë familjare ‘Dr. Nexhat Çuni’, ai është digjital dhe ka materiale të nevojshme për vënie në funksion, në të njëjtën kohë kemi mbështetur edhe rregullimin e dhomës së veçantë ku është vendosur mamografi”, ka thënë dukshëm e kënaqur me rezultatin e këtij aksioni drejtoresha e OJQ “Mundësia” Hasime Tahiri –Hasani.

Ajo ka shtuar se nuk ka qenë aspak i lehtë promovimi i nismës për blerjen e mamografit, bisedat dhe shpjegimi i nevojës së mbështetjes për te, “kur dihen vështirësitë e realizimit të një kontrolli në mamograf në Prishtinë ose në qendrat tjera, ku veç pritjeve, femrat është dashur të paguajnë një kosto aspak të vogël nga buxheti edhe ashtu i rënduar i familjeve tona”.

Sipas drejtoreshës Tahiri-Hasani, në aksionin e OJQ-së “Mundësia” janë mbledhur 41.700 euro, sa ka kushtuar mamografi tashmë i dhënë në përdorim dhe në shërbim për femrat e Mitrovicës, ndërkohë Drejtoria e Shëndetësisë së Komunës së Mitrovicës, përkatësisht drejtoresha Erseka Hasanaj-Berani, i ka plotësuar edhe rreth 20 mijë euro mjete për digjitalizuesin, duke kompletuar aparaturën e nevojshme.

Të kënaqur edhe drejtuesit e komunave

Të kënaqur dhe mirënjohës për ata që kontribuuan me mjete financiare për blerjen e mamografit janë shprehur edhe kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri dhe ai i Skenderajt Bekim Jashari.

“Është kënaqësi e veçantë që përurojmë një mjet digjital, i cili është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Mitrovicës dhe të rajonit, sepse përmes tij mund ta parandalosh një sëmundje e madje ta shërosh atë përgjithmonë. Prandaj i falënderoj dhe i përgëzoj të gjithë ata që kanë kontribuar për blerjen e këtij mamografi, sepse me këtë gjë ata do të shpëtojnë jetë të njerëzve”, tha kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, ndërsa ai i Skenderajt Bekim Jashari, duke u uruar qytetarët e Mitrovicës dhe të Skenderajt, konstatoi se mamografi ka qenë shumë i nevojshëm.

 E ndërkaq drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Erseka Hasanaj-Barani, tha se ndihet jashtëzakonisht mirë që pas 5 vjetësh Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Mitrovicë më në fund është pajisur me mamograf.