Lenjani: Klinika Emergjente nuk bën transportin e të sëmurëve nëpër shtëpi

Aktuale January 19, 2019 - 08:14
Lexo tjera detaje
Image

Basri Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente në QKUK, në një konferencë me gazetarë ka thënë se personi që gjendet në videot e publikuara të enjten gjatë ditës i shtrirë në korridor të Klinikës Emergjente ka marrë trajtimin e duhur në Klinikën që ai drejton. Lenjani thotë se pacientit në fjalë i janë bërë 19 analiza. Sipas tij, pas kontrollit ai është udhëzuar të shkojë në shtëpi, por në korridor ka pritur derisa familjarët e tij kanë ardhur për ta marrë, shkruan Gazeta "Zëri".

Pas publikimit të një videoje ku shihet një i moshuar në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) duke rënkuar nga dhimbjet, Drejtoria e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar e Kosovës (SHSKUK) ka kontrolluar kamerat në këtë klinikë, me ç’rast ka njoftuar se të moshuarit A. E. i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore dhe është liruar për në shtëpi.

Sipas Drejtorisë së SHSKUK-së, pacientit i është ofruar ndihma mjekësore disa herë e për këtë ata posedojnë edhe dokumente. “Zyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së dëshiron të sqarojë opinionin në lidhje me rastin e të moshuarit, filmimet e të cilit kanë dalë mbrëmë në medie. Mjekët kujdestarë në Klinikën Emergjente më datën 16.01.2019, në bazë të raporteve mjekësore, dëshmojnë për trajtimin e pacientit me inicialet A. E. I njëjti është pranuar, diagnostikuar dhe në të njëjtën kohë janë konsultuar shërbimet subspecialistike.

Pacienti fillimisht është sjellë me autoambulancë nga Mitrovica për në Klinikën Emergjente në Prishtinë”, është thënë në reagimin e SHSKUK-së. Sipas Drejtorisë, pacienti ka qëndruar edhe më tej në Klinikë, pasi që ka pritur që të vijë dikush ta marrë atë. “Pacienti A. E. është kontrolluar edhe në Klinikën Emergjente disa herë brenda kohës sa ka qëndruar në Klinikën Emergjente dhe të njëjtit i janë dhënë edhe këshilla të mëtutjeshme mjekësore. Pacienti ka qëndruar në Klinikën Emergjente edhe për një kohë pas trajtimit për shkak se është pritur që të vijë ndonjë i afërm ta marrë”, është thënë më tej. Drejtoria e SHSKUK-së ka bërë të ditur se pacienti A. E. edhe në tetor të vitit 2018 kishte kërkuar trajtim në QKUK dhe ishte i shtrirë për trajtim në Klinikën e Kardiologjisë.

Lenjani: Pacientit i kemi bërë 19 analiza, s’e kemi për detyrë ta dërgojmë në shtëpi

Përveç SHSKUK-së, gjatë ditës së djeshme ka reaguar edhe drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Basri Lenjani. Ai ka thënë para medieve se pacientit i janë bërë mbi 19 analiza laboratorike dhe vetëm pasi është konstatuar se ai mund të vazhdojë trajtimin në shtëpi është liruar. Sipas Lenjanit, Klinika Emergjente nuk e ka për detyrë që të bëjë transportin e të sëmurëve në komunat që ata i takojnë.

“Rasti ka qenë nga Mitrovica. Kemi më shumë se 19 analiza laboratorike që janë kryer për rastin në fjalë. Në bazë të ekzaminimeve është vlerësuar se trajtimi mund të bëhet në shtëpi ose në institucionin më të afërt në komunën së cilës i takon i sëmuri”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se për trajtimin që i është bërë pacientit ata kanë edhe fakte. “Klinika Emergjente në vitin e kaluar është rinovuar dhe është pajisur me pajisje të domosdoshme për monitorim. Të gjithë pacientët marrin shërbime emergjente brenda 24 orëve. Sa i përket rastit në fjalë, ai është pranuar në Klinikën Emergjente.

Atij i janë kryer të gjitha ekzaminimet përcjellëse dhe pas trajtimit është drejtuar në dhomën e Kirurgjisë. Pas konfirmimit ai është liruar për trajtim të mëtutjeshëm në shtëpi. Shërbimet emergjente kanë qenë në detyrë dhe e kanë për obligim që çdo qytetari t’i ofrojnë kujdes mjekësor. Stafi ka qenë në detyrë dhe për çdo gjë janë kamerat, ku shihet qartë gjithçka që ka ndodhur”, ka thënë ai.

Millaku: Gjendja në shëndetësi po vjen duke u përkeqësuar

Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, Drita Millaku, ka thënë për “Zërin” se në rastin e të moshuarit nga Mitrovica nuk duhej të veprohej në atë mënyrë. Sipas saj, nëse nuk merren parasysh kërkesat e mjekëve gjendja në shëndetësi do të përkeqësohet dhe qytetarët do t’i vuajnë pasojat. “Rasti i djeshëm është shumë prekës dhe jo vetëm mjekët që kanë dhënë betimin, por edhe një njeri i ndershëm nuk do të duhej të vepronte në atë mënyrë. Gjendja në sektorin e shëndetësisë çdo ditë po vjen duke u keqësuar si rezultat i neglizhencës dhe i injorancës së Qeverisë.

Në kohen kur kryeministri bëri rritje të pagave për vete dhe për stafin politik ka qenë e arsyeshme që do të rriten pakënaqësitë te të gjithë, andaj sot jemi në këtë gjendje si jemi. Në qoftë se nuk merren parasysh kërkesat e mjekëve kjo gjendje do të përkeqësohet dhe ata që do t’i vuajnë pasojat janë qytetarët e mjerë”, ka thënë ajo.

Millaku ka kërkuar nga mjekët dhe qytetarët që të bashkohen dhe të rrëzojnë qeverinë “Haradinaj”, pasi që, sipas saj, Qeveria nuk e ka hallin e mjekëve dhe të pacientëve. “Unë e kam një këshillë edhe për mjekët, edhe për qytetarët e pacientët, duke e parë situatën që po vjen duke u përkeqësuar, atëherë më mirë është që të bëhemi bashkë secili dhe ta largojmë këtë qeveri përmes protestës, nuk mjafton me grevë, sepse me grevë po e pësojnë pacientët. Nuk ka mbetur zgjidhje tjetër, t’i heqim qafe se përndryshe ata nuk e kanë hallin as të mjekëve, as të mësimdhënëseve, as të pacientëve e as të popullit, vetëm hallin e vet e kanë këta”, ka shtuar ajo.

Nëse mjeku nuk është në vendin e tij të punës shkelen të drejtat e pacientit

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNJ), Behxhet Shala, ka thënë për “Zërin” se me mungesën e mjekëve në vendet e tyre të punës shkelen të drejtat e pacientëve.

“Kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të pacientëve, sepse mjeku në orar të punës, nëse nuk ka ndonjë leje, nuk ka të drejtë të mungojë. Ministria ka marrë disa masa ndaj mjekëve të cilët nuk janë gjetur në vendet e tyre të punës.

Është bërë një lëvizje, duke e krahasuar me më herët dhe kjo ka ndikuar në disiplinimin e stafit mjekësor. Ai është tani më i përgjegjshëm. Është një lëvizje e vogël pozitive. Në kohën kur mjeku e ka orarin e caktuar për të qenë në shërbim të pacientit është shkelje e të drejtave të pacientit ka thënë ai. Shala ka vlerësuar se për mjekët të cilët përsërisin mungesën e tyre pa arsye në vende të punës duhet të merren masa më të ashpra./ZËRI