Xhavit Haliti për taksën: Është dashur të ketë më shumë konsulta para se ta vendosnim

Aktuale January 18, 2019 - 22:42
Lexo tjera detaje

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti konsideron se ka pasur nevojë që të ketë më shumë konsultime para se të vendosje taksa prej 100% ndaj produkteve që prodhohen në Serbi e në Bosnjë e Hercegovinë, shkruan GazetaBlic.

Krejt kjo sipas tij është dashur të ndodhte sepse në Kuvend e kanë votuar marrëveshjen e CEFTA-s, dhe është dashur të shihet se çfarë çmimi mund të paguaj Qeveria e Kosovës në rast se nuk e respekton një marrëveshje të tillë.

Haliti në “BlicInterview me Astrit Gashin” ka thënë se nëse Serbia po thuhet se ka shkelur marrëveshjet e CEFTA-s, atëherë Qeveria e Kosovës është dashur të bëjë konsulta me specialistë të kësaj fushe dhe të ankohej në CEFTA si në të njëjtin rast siç po bëjnë tani Serbia e BeH.

“Shiko, për me vendosë një taksë të tillë unë mendoj që ka pasë nevojë që të ketë konsulta më shumë. Pse? Ne kemi nënshkruar marrëveshjen e CEFTA-s dhe duhet pa, duhet pa ajo marrëveshje se cila janë dhe se çfarë çmimi mund të paguaj një Qeveri e cila nuk respekton një marrëveshje ndërkombëtare.

GASHI – Por Kosova nuk është pjesë e CEFTA-s realisht, është vetëm pjesëmarrëse, vëzhguese?

Kemi votuar marrëveshjen e CEFTA-s në Kuvend dhe kemi marrë obligimet për marrëveshjen e CEFTA-s si Kosovë. A jemi fuqiplotë qysh janë të tjerat vende të Ballkanit Perëndimore është një tjetër çështje. Por në çoftë se ne kemi marrë obligimet që nga marrëveshja e CEFTA-s të atëhershme për të cilën jemi krenuar dhe kanë bërë një propagandë të madhe – veçanërisht atëherë ministri përkatës, kanë qenë edhe ministrat e atëhershëm se kemi arritur shumë bashkë me deputetët e Kuvendit, atëherë unë mendoj që do të duhej pas, specialistët më shumë të flasin se cilët janë pasojat në qoftë se ne nuk e respektojmë marrëveshjen e CEFTA-s. Duhet me e ditë se a ka të drejtë pastaj cilado palë, çoftë Serbia, çoftë Bosnja e Hercegovina, çoftë Mali i Zi, çoftë ndonjë vend tjetër. Maqedonia për shembull, Shqipëria në çoftë se Kosova nuk e respekton Marrëveshjen e CEFTA-s, cilat do të jenë pasojat për Kosovën. A kanë të drejtë të bëjnë ankesa. A kanë të drejtë të padisin Kosovën dhe a kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim vendet përkatëse.

Unë besoj që këtu është një komision, është një Gjykatë që përcakton raportet, rregullat e marrëdhënieve në këtë rast të CEFTA-s të vendeve të veçanta dhe të gjithave. Në qoftë se Serbia ia ka shkel këto që po thoni ju, atëherë unë do të dëshiroja që Qeveria e Kosovës të kishte ndërmarrë masa që në këto raporte të bënte padi, të bënte ankesa dhe ankimime të ndryshme çfarë i ka bërë në këtë rast edhe Bosnja edhe Serbia dhe të shohim se në të vërtetë a ka bërë ankesa apo ka bërë padi kundër pengesave që i kanë bo Kosovës, në qoftë se janë bërë.

Unë nuk kam informata të sakta rreth kësaj dhe nuk mund të flas për procesin.

Tani unë nuk mund të flas thashë, unë iu kisha sugjeruar të gjithëve që marrin vendime dhe që janë vendimmarrës që kur është në pyetje kjo – variantet e përafërta me këtë duhet të konsultohen institucionet juridike, avokatë të mirë, juristë të mirë të cilët i lexojnë, edh ne vet i lexojmë marrëveshjet e të shohim se a mundemi dhe se cilat janë pasojat e një vendimi të tillë,” – ka shtuar ai.