'Vendimet e Qeverisë për rritje të pagave po degradojnë buxhetin e Kosovës'

Aktuale January 18, 2019 - 11:28
Lexoni detajet

Anëtari i Komisionit për Buxhet dhe Financa nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Osmani, ka thënë për “Zërin” se anëtarët e këtij Komisioni ende nuk kanë pasur qasje në draftin e pagave, pasi ai ende është për shqyrtim në Komisionin për Administratë Publike. Ai ka thënë se vendimet e Qeverisë për rritje të pagave për disa institucione janë duke e degraduar buxhetin e shtetit.

“Edhe punëtorët e arsimit, edhe punëtorët shëndetësorë me plot të drejtë kërkojnë rritjen e pagave me pretekstin e asaj se Qeveria dhe kryeministri kanë ngritur paga gjatë vitit 2018 për institucione të caktuara, si Prokuroria. Ligji për Menaxhimin e Financave Publike e precizon qartë se paga mund të rritet vetëm atëherë kur të rritet edhe brutoprodukti shoqëror. Varësisht prej rritjes së brutoproduktit shoqëror merret vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave qoftë 3.5 ose 4. Është duke u degraduar buxheti me vendimet e Qeverisë”, ka thënë ai, për "Zërin".

LEXO EDHE: S’ka buxhet për rritje të pagave, grevat vazhdojnë

Sipas Osmanit, buxheti i vendit nuk duhet të harxhohet vetëm për paga.

“Qeveria ka ndërhyrë dhe e ka shkelur Ligjin për Menaxhim të Financave Publike dhe i ka rritur pagat e ka ndarë mjete me vendime të Qeverisë për sektorë të veçanta, atëherë e arsyetoj kërkesën e arsimtarëve dhe të personelit të shëndetësisë, pavarësisht se a mundet buxheti ta përballojë atë ose jo. Qeveria është dashur ta dijë se nuk mundet buxheti të shpenzohet vetëm për shpenzime rrjedhëse, nuk mundet të harxhohet një buxhet vetëm për paga”, ka shtuar ai. /ZERI