Veseli: 2019-a, vit i Kosovës në OKB

Aktuale January 18, 2019 - 10:51
Lexoni detajet

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, është shprehur i vendosur se gjatë këtij viti Kosova do të bëhet pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), raporton zeri.info.

Në një konferencë për media, të mbajtur pas mbledhjes së sotme të kryesisë, Veseli tha se ky vit do të jetë një vit i suksesit për Republikën e Kosovës.

“Po ecim mirë, po aq sa jemi të vetëdijshëm viti 2019 do të jetë viti i suksesit, i shpërthimit, edhe politik edhe diplomatik edhe ekonomik, vit i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, deklaroi ai.

LEXO EDHE: Pas presionit të SHBA-së për heqjen e taksës deklarohet Kadri Veseli

Veseli tutje, bëri të ditur se kryesia ka vendosur që gjatë këtij muaji të ketë dy seanca të reja plenare, ku në rend dite do të jetë edhe projektligji për buxhetin për vitin 2019.

“Do ta kemi seancën parlamentare me datën 30, me datën 31 do të kemi edhe një seancë parlamentare e cila do të jetë me disa pika shumë të rëndësishme, është ligji i buxhetit, po ashtu është statuti i Trepçës, ligji për paga dhe një mori ligjesh”, theksoi Veseli. /Zeri