Pas presionit të SHBA-së për heqjen e taksës deklarohet Kadri Veseli

Aktuale January 18, 2019 - 10:47
Lexoni detajet

Pak ditë pas raportimeve se SHBA ka kërkuar urgjentisht heqjen e taksës ndaj produkteve serbe, është deklaruar Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me ç’rast ka thënë se SHBA do të jetë gjithmonë partner i Kosovës, raporton zeri.info.

Në një konferencë për media, Veseli tha se taksa 100 përqind i ka bërë mirë Serbisë, pasi që, siç ai u shpreh, ka qenë një reaksion pikërisht ndaj agresivitetit që ka sjellë Serbia.

“Do të bëjmë çdo ditë që Serbia ta respektojë këtë shtet tonë të pavarur për vetë faktin që çdo veprim yni nuk është i drejtuar kundër asnjë qytetari, asnjë komuniteti etnik. Në të njëjtën kohë të jeni të sigurt që ka veç një partner për vendin tim, kombin tim, ky është SHBA”, ka deklaruar ai.

Kreu i kuvendit tutje garantoi se Kosova nuk do t’i cenojë raportet me SHBA-në. 

“Nuk do ta dëmtojmë edhe këtë partneritet, as nuk do të lejojmë që dikush të na e dëmtojë. Jemi vend perëndimor, jemi vend krenar që kemi raporte të shkëlqyera me SHBA-në. Letrat e presidentit Trump, qëndrimet e ambasadorit, janë mesazhe që i marrim shumë seriozisht dhe janë mesazhe të miqësisë sonë të përbashkët. Partneriteti me SHBA-në do të jetë i përjetshëm”, nënvizoi kryekuvendari Kadri Veseli.

Ndërkohë, deklaroi se SHBA nuk ka kërkuar heqjen e taksës por ka kërkuar që t’i jepet perspektivë dhe fuqi Kosovës në procesin e dialogut.

“Ka një kërkesë që t’i jepet perspektivë dhe fuqi Kosovës në procesin e dialogut, nuk ka kërkesë për t’u hequr, ka kërkesë që  t’i jepet mundësi procesit të dialogut në të cilin do të veprojmë bashkërisht. Shqetësimet që janë të SHBA-së do të jenë edhe tonat, të përbashkëta. Në të njëjtën kohë Serbia duhet të dijë që ky shtet është i pavarur dhe sovran”, ka theksuar Veseli./Zeri