Kompromis për taksën

Aktuale January 18, 2019 - 07:55
Lexoni më shumë lajme nga vendi
Image

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë për “Zërin” se masa e vendosur ndaj produkteve serbe nuk hiqet pa u eliminuar fillimisht arsyet për të cilat është vendosur kjo tarifë. Por, pas rritjes së presionit nga SHBA-ja dhe BE-ja për heqjen e taksës 100% analistët politikë vlerësojnë se duhet arritur kompromis për këtë çështje, përkatësisht duhet të dihet se çka përfiton Kosova nga heqja e saj, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ende pa u bërë dy muaj të plotë prejse Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën prej 100 për qind ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina është rritur dukshëm presioni ndërkombëtar, veçmas nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe nga Bashkimi Evropian (BE) për heqjen e kësaj tarife. Pavarësisht kërkesës së SHBA-së për largimin e menjëhershëm të taksës ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Endrit Shala ka thënë për “Zërin” se masa e vendosur ndaj produkteve serbe nuk hiqet pa u eliminuar fillimisht arsyet për të cilat është vendosur kjo tarifë.

LEXO EDHE: Ftesa të reja nga Specialja

Megjithëkëtë, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka deklaruar se Kosova s’mund ta refuzojë kërkesën e SHBA-së për heqjen e taksës. Por, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se në rast se shfuqizohet tarifa në fjalë Kosova duhet të kërkojë të dijë saktë se çka përfiton nga një veprim i tillë. Si kusht për heqjen e taksës sipas tyre duhet të kërkohet njohja e Kosovës nga Serbia, rrjedhimisht edhe ndalimi i pengesave që Serbia vazhdimisht ia ka bërë Kosovës në politikën e jashtme.

Qeveria zotohet për mosshfuqizim të taksës

Të pyetur se si do të veprohet me taksën pas presionit të SHBA-së, nga zyra e kryeministrit nuk kanë dhënë përgjigje, pasi sipas tyre shefi i ekzekutivit Ramush Haradinaj tashmë është deklaruar për këtë çështje. Ndërkohë, Haradinaj gjatë kësaj jave përsëriti se nuk do të ketë heqje të tarifës, megjithëse shtoi se taksa mund të hiqet vetëm nëse paraprakisht ka një marrëveshje për njohje të Kosovës nga Serbia.

“Sot e heqim nëse ka marrëveshje për njohje. Por mund të mos e heqim asnjëherë nëse Serbia s’është e gatshme të na njohë. Kjo s’ka të bëjë me Amerikën, ka të bëjë me Rusinë e Serbinë”, deklaroi Haradinaj.

Shala: Taksa hiqet kur të eliminohen arsyet e vendosjes së saj

Ndërkohë, edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala ka pohuar se taksa ndaj produkteve serbe nuk do të shfuqizohet. Kjo pasi, siç ai është shprehur, arsyet për të cilat është vendosur kjo tarifë nuk janë larguar akoma.

“Asnjë arsye që na ka shtyrë ta vendosim atë nuk është hequr që ne të veprojmë ndryshe. Taksa është në fuqi deri kur të eliminohen arsyet që na kanë shtyrë si Qeveri ta vendosim një taksë të tillë”, ka potencuar i pari i MTI-së gjatë një prononcimi për “Zërin”.

Megjithëkëtë, mediet në Sarajevë gjatë ditës së djeshme kanë raportuar se ministri i Tregtisë së Jashtme dhe i Marrëdhënieve Ekonomike i Bosnjë e Hercegovinës, Mirko Sharoviq, ka thënë se pala kosovare ka pranuar negociata bilaterale për largimin e tarifës 100 për qind të vendosur ndaj produkteve të këtij shteti.

Kërkohet presion edhe ndaj Serbisë

Teksa ka folur rreth taksës, Edita Tahiri, ish-zëvendëskryeministre dhe njëherësh ish-kryenegociatore e dialogut me Serbinë, ka vlerësuar se vendosja e taksës ndaj produkteve serbe ka qenë një reagim i drejtë dhe ka shprehur reciprocitet, pasi sipas saj Serbia ka pasur sjellje shumë destruktive ndaj shtetit të Kosovës gjatë vitit të kaluar.

“Serbia ka shkelur frymën e dialogut të Brukselit, ka shkelur marrëveshjet, u ka ikur obligimeve zbatuese dhe ka bërë pengesa për Kosovën në INTERPOL dhe në organizata të tjera ndërkombëtare”, ka deklaruar ajo për “Zërin” teksa ka arsyetuar vendosjen e tarifës.

Sa i përket presionit nga SHBA-ja dhe BE-ja për heqjen e taksës, Tahiri ka vlerësuar se presioni nuk duhet të bëhet njëanshëm vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj shtetit serb. Një gjë të tillë sipas saj duhet ta kërkojnë vetë institucionet e Kosovës.

Por në rast se largohet taksa, sipas Tahirit, kushti i parë dhe kryesor duhet të jetë që në dialogun e Brukselit si fazë finale të mos hapet tema e kufijve.

Dy rrugë për të vepruar rreth taksës

Njohësi i çështjeve politike Imer Mushkolaj ka vlerësuar se në momentin kur është vendosur taksa ata që e kanë marrë këtë vendim është dashur ta dinë që do të vijë koha kur do të ketë presion të madh edhe nga SHBA-ja. Në kohën kur as partnerët e koalicionit qeverisës nuk janë të njëzëshëm sa i takon taksës Mushkolaj ka thënë se ka dy rrugë për të vepruar lidhur me këtë çështje.

“Tash jemi në një situatë kur presioni është shumë i madh, po i shohim përplasjet në koalicion, por ekzistojnë dy rrugë: ose të hiqet taksa dhe të vazhdohet dialogu, ose të insistohet që taksa të mos hiqet. E kemi qëndrimin e kryeministrit që po insiston që taksa të mos hiqet”, ka deklaruar ai.

Por qëndrimi i shefit të ekzekutivit sipas tij absolutisht nuk do të thotë asgjë për shkak se, siç Mushkolaj ka deklaruar, kryeministri edhe në shumë raste të tjera ka dhënë premtime të cilat nuk i ka mbajtur, siç janë ato rreth demarkacionit e liberalizimit.  

Rrjedhimisht, ai ka konsideruar se mund të arrihet një kompromis sa i përket çështjes së tarifës së vendosur ndaj produkteve serbe.

“Kur po them kompromis, nëse hiqet taksa, të dihet se çka përfiton Kosova nga heqja e taksës në raport me Serbinë. Përndryshe, nëse hiqet ose pezullohet taksa pa kurrfarë përfitimi, atëherë ky do të ishte një dëm shumë i madh për Kosovën”, ka theksuar ai, duke shtuar se ideja e garancionit për njohje nënkupton edhe faktin që Serbia të mos e pengojë Kosovën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare e rreth njohjeve./ZERI