Mosdakordancë mes ekipit negociator, “luftë” mes Qeverisë e Presidencës

Aktuale January 17, 2019 - 13:45
Lexoni detajet

Ekipi negociator ka shkelur premtimin e parë të dhënë se të mërkurën do ta votojë platformën për bisedime me Serbinë dhe atë do ta dërgojë në Kuvend, shkruan sot gazeta "Zëri".

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për “Zërin” se ndër shkaqet për vonesën e prezantimit të platformës është edhe mosdakordanca mes ekipit për përmbajtjen e platformës.

“Kjo vonesë e paraqitjes së platformës vjen si rezultat i faktorëve të ndryshëm, një prej të cilëve potencialisht mund të jetë edhe mungesa e dakordancës mes ekipit mbi platformën ose mbi parimet se si duhet të vazhdojë procesi i dialogut. Është krejtësisht e palogjikshme të mos respektohet një rezolutë, e cila ka pasur një bujë aq të madhe nga ana e vetë propozuesit, pra në këtë rast është pikërisht PSD-ja së bashku me partnerët e koalicionit qeverisës, të cilët janë duke i shkelur afatet kohore të cilat ata vetë i kanë përcaktuar”, ka thënë Cakolli.

LEXO EDHE: Dështimi i parë i ekipit negociator

Cakolli thotë se ideja e presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve do të sjellë “luftë” mes Presidencës e Qeverisë.

“Do të jetë një luftë, le të themi mes vetë Qeverisë e Presidentit, duke qenë se është përmendur mundësia që si pjesë e kësaj platforme të jetë edhe ndalimi për diskutimin rreth territorit të Kosovës, pra të kodifikohet në mënyrë të shkruar mundësia që të mosnegociohet për shkëmbim eventual të territoreve, por në anën tjetër kemi presidentin, i cili vazhdon të shtyjë përpara këtë ide të tijën për një periudhë mjaft të gjatë kohore”, theksoi Cakolli. /ZERI