Qeveria s’ka informacion pse mungoi presidenti

Aktuale January 17, 2019 - 11:35
Lexoni më shumë lajme nga vendi

Ka disa ditë që presidenti Hashim Thaçi nuk gjendet në Kosovë, por askush nuk e di vendndodhjen e saktë të tij. Jozyrtarisht thuhet se i pari i shtetit po zhvillon takime në Bruksel, por një gjë e tillë nuk konfirmohet nga Zyra e presidentit. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se agjenda e kreut të shtetit duhet të jetë publike, në mënyrë që të dihet se çfarë takimesh po zhvillon ai, shkruan gazeta "Zëri".

I pyetur nëse ka informacion se pse presidenti Hashim Thaçi nuk ka marrë pjesë në dy takimet që janë zhvilluar gjatë kësaj jave mes ekipit negociator dhe krerëve të institucioneve, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili njëherësh është edhe anëtar i delegacionit shtetëror, ka thënë se nuk ka çfarë të deklarojë rreth kësaj, pasi që kjo është çështje që i takon Presidencës.

LEXO EDHE: “Ekzili” i fshehtë i Hashim Thaçit

“Kryetari i Kuvendit e ka ftuar takimin, sa di janë ftuar të gjithë, është mirë ta pyetni Zyrën e presidentit se s’di çka të them unë prej Qeverisë”, ka deklaruar Hoxhaj.

Gazeta “Zëri” ndërkohë ka tentuar gjatë tërë ditës së djeshme të marrë një përgjigje nga Zyra e presidentit, por askush nuk ka pranuar të përgjigjet as nëpërmjet telefonit, as nëpërmjet pyetjeve të dërguara me shkrim. Ndonëse pjesëtarët e Zyrës së presidentit janë zotuar disa herë se do të kthejnë përgjigje rreth kësaj çështjeje, nuk e kanë bërë një gjë të tillë.