'Vendndodhja e presidentit duhet të dihet në çdo kohë'

Aktuale January 17, 2019 - 11:18
Lexoni më shumë lajme nga vendi

Ka disa ditë që presidenti Hashim Thaçi nuk gjendet në Kosovë, por askush nuk e di vendndodhjen e saktë të tij. Jozyrtarisht thuhet se i pari i shtetit po zhvillon takime në Bruksel, por një gjë e tillë nuk konfirmohet nga Zyra e presidentit. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se agjenda e kreut të shtetit duhet të jetë publike, në mënyrë që të dihet se çfarë takimesh po zhvillon ai, shkruan gazeta "Zëri".

Teksa ka folur rreth kësaj çështjeje, politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se nuk është e domosdoshme që presidenti t’i bëjë publike të gjitha vizitat e tij jashtë vendit. Megjithëkëtë, ai ka konsideruar se Thaçi në të tilla raste duhet t’i njoftojë të paktën institucionet e shtetit.

“Dihet se ka takime dhe biseda që presidenti i mban të fshehura nga publiku, por jo që të mos i dijë askush, sepse për ato duhet të dijë ose kryetari i Kuvendit, ose kryeministri, ose dikush tjetër prej strukturave”, ka deklaruar ai. Kjo pasi, siç ai është shprehur, vendndodhja e presidentit duhet të dihet në çdo kohë. “Ai i raporton dikujt, sepse zyrtarisht në çdo moment duhet të dihet se ku është presidenti. Institucionet në çdo moment duhet ta dinë dhe e dinë vendndodhjen e presidentit, si dhe e dinë se ku ka shkuar dhe për çfarë çështjeje”, ka nënvizuar Tahiri.

LEXO EDHE: “Ekzili” i fshehtë i Hashim Thaçit

Kurse njohësi i çështjeve politike Arton Demhasaj ka vlerësuar se bojkotimi i dy takimeve të fundit, ku u diskutua për dialogun dhe mospjesëmarrja e Thaçit në përvjetorin e Masakrës së Reçakut, mund të ketë ardhur në mënyrë të qëllimshme.

“Mospjesëmarrja në përvjetorin e masakrës së Reçakut mund të jetë për arsye se nuk ka qenë i pranishëm në Kosovë ose thjesht edhe mund të ekzistojë mundësia që qëllimisht ka udhëtuar jashtë shtetit”, ka deklaruar ai.

Kjo pasi, siç ai është shprehur, në çdo takim ku po bëhen bashkë krerët institucionalë po flitet për dialog dhe për shkëmbim të territoreve. Andaj, ai ka konsideruar se kjo mund të jetë një tendencë e ikjes së Thaçit nga këto takime.

“Kjo mund të jetë edhe njëra prej arsyeve ndoshta se pse nuk bëhen publike këto agjenda dhe pse presidenti nuk është i pranishëm në këto takime”, ka theksuar ai.

Mospjesëmarrja e kreut të shtetit në takimet për dialogun, ku pjesëmarrës ka qenë edhe ekipi negociator, sipas Demhasajt sjell ndikim negativ për Kosovën.

“Kjo është shumë negative, derisa ne kemi presidentin që ka mandat kushtetues, kemi edhe një ekip që është themeluar nga Kuvendi. Një moskoordinim i tyre pra përmes mospjesëmarrjes së takimeve të përbashkëta mund të jetë shumë i dëmshëm në procesin dialogues, për shkak se nuk kemi koordinim mes presidentit dhe ekipit negociator që është krijuar nga Kuvendi i Kosovës”, ka theksuar ai. /ZERI