LVV: Zhdukja e Thaçit sjell dyshime

Aktuale January 17, 2019 - 10:01
Lexoni më shumë lajme nga vendi

Ka disa ditë që presidenti Hashim Thaçi nuk gjendet në Kosovë, por askush nuk e di vendndodhjen e saktë të tij. Jozyrtarisht thuhet se i pari i shtetit po zhvillon takime në Bruksel, por një gjë e tillë nuk konfirmohet nga Zyra e presidentit. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se agjenda e kreut të shtetit duhet të jetë publike, në mënyrë që të dihet se çfarë takimesh po zhvillon ai, shkruan sot gazeta "Zëri".

Derisa nuk ka asnjë njoftim zyrtar se ku gjendet presidenti, deputetja e LVV-së Arbërie Nagavci ka vlerësuar se kjo situatë është krejtësisht e paqartë.

“Nuk ka asnjë njoftim zyrtar se ku ndodhet, është shumë e paqartë vendndodhja e tij në këtë kohë, që paralelisht po ndodhin zhvillime qoftë rreth Gjykatës Speciale ose vazhdimi i dialogut nga ekipi negociator”, ka deklaruar ajo.

LEXO EDHE: “Ekzili” i fshehtë i Hashim Thaçit

Një situatë e tillë misterioze sipas saj hedh dyshime mbi atë se çka është duke bërë kreu i shtetit aktualisht.

“Nuk ka ardhur asnjë njoftim se a është në pushim ose në ndonjë agjendë private. Zhdukja e tij në këtë kohë është për të dyshuar shumë në lidhje me projektet që po i shtyn Thaçi përpara”, ka theksuar Nagavci. /ZERI