Dështimi i parë i ekipit negociator

Aktuale January 17, 2019 - 08:00
Lexoni më shumë lajme nga vendi
Image

Ekipi negociator ka shkelur premtimin e parë të dhënë se të mërkurën do ta votojë platformën për bisedime me Serbinë dhe atë do ta dërgojë në Kuvend, shkruan sot gazeta "Zëri".

Platforma e dialogut me Serbinë nuk u votua nga ekipi negociator edhe pse bashkëkryesuesi Shpend Ahmeti kishte paralajmëruar se të mërkurën do të votohet dhe do të dërgohet në Kuvend.

Ekipi negociator me rastin e formimit ia kishte përcaktuar vetes një muaj afat për ta hartuar këtë platformë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur edhe pse pikërisht dje është bërë një muaj. Dje ky ekip mbajti një takim, në të cilin njoftoi që platforma përmban elemente të cilat i parasheh Kushtetuta, por nuk ka definuar nëse me këtë platformë hidhet poshtë ideja e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve me Serbinë.

LEXO EDHE: “Ekzili” i fshehtë i Hashim Thaçit

Por anëtari i grupit negociator Enver Hoxhaj ka thënë për “Zërin” se platforma është e gatshme të procedohet në Kuvend kurdo që ky mblidhet. “Kurdo që Kuvendi i Kosovës do të ketë seancë ne jemi të gatshëm që ta prezantojmë, por platforma prezantohet në Kuvend dhe nuk është e menduar të prezantohet në medie”, u shpreh Hoxhaj.

Me gjithë mungesat e presidentit Thaçi në takime dhe me mosparaqitjen e platformës me kohë, Hoxhaj thotë se ajo i mban të unifikuar si anëtarët e ekipit, ashtu edhe presidentin, kryeministrin e kryetarin e Kuvendit.

“Platforma është platformë e Kosovës, Kosova në këtë proces e ka një zë, e ka një adresë, e ka një qëndrim, presidenti, kryetari i Kuvendit, kryeministri, delegacioni shtetëror dhe të gjithë ne që do ta kemi përballë Serbinë do të kemi një platformë. Këtu nuk ka dallim mes askujt”, deklaroi Hoxhaj.

Nuk sqarohet nëse në platformë s’do të përfshihet korrigjimi i kufijve

Tema e presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve nuk u mohua e as nuk u pohua nga ekipi negociator nëse do të jetë temë diskutimi në platformën e delegacionit. Kryesuesi tjetër i këtij delegacioni, Fatmir Limaj, u shpreh se nuk ka mandat të flasë nëse në dialog do të shtrohet çështja e kufijve, ai ka thënë se temat e platformës nuk e cenojnë interesin e vendit.

“Platforma dhe marrëveshja eventuale do të jenë në interes të vendit tonë. Një marrëveshje, e cila nuk është në interes të vendit kurrë mos u votoftë. Mos harroni jemi njerëz të këtij vendi dhe nuk pranojmë gjëra që dëmtojnë vendin”, theksoi Limaj pas takimit të delegacionit shtetëror.

Sipas Limajt, zyra e presidentit është duke i përgatitur dokumentet e bisedimeve paraprake me Serbinë për t’ia dorëzuar këtij ekipi.

LDK: Limaj e Ahmeti, patericë e aktivitetit të Thaçit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Naser Rugova ka thënë për “Zërin” se nuk e marrin seriozisht as platformën e as ekipin negociator, pasi ekipi nuk ka kurrfarë roli përveçse të jetë patericë e veprimeve të presidentit Thaçi.

"Ky delegacion nuk e di saktë çfarë roli ka, këta partnerë koalicioni janë në krizë politike, institucionale, morale dhe e kanë futur vendin në një rrugë pa krye. Ne si LDK konsiderojmë që zoti Limaj e zoti Ahmeti janë vetëm një patericë që ta arsyetojnë aktivitetin e presidentit Thaçi”, ka thënë Rugova.

Rugova thotë se LDK-ja konsideron që platforma, por edhe ekipi janë jokushtetues dhe joseriozë. "As që presim platformë serioze, as që presim dorëzim ose shkëmbim të dokumentacionit lidhur me rrjedhat e dialogut që i ka pasur presidenti Thaçi me Serbinë, prandaj ne këtë ekip negociator e quajmë jokushtetues bashkë me platformën e tij", u shpreh Rugova.

LVV: Ekipi do ta fshehë platformën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka thënë për “Zërin” se ekipi negociator jo vetëm që do ta vonojë platformën për dialogun, por edhe do ta fshehë e nuk do ta shfaqë atë.

“Ky ekip asnjë hap nuk e ka bërë në rregull. Kanë bërë shkelje në secilin premtim që kanë dhënë. Platforma ka dobësi shumë të mëdha dhe mendoj që këta do ta fshehin e jo më ta vonojnë, por mendoj as nuk do ta nxjerrin kurrë”, është shprehur Kurteshi. Ai u shpreh se ky ekip nuk ka rol në dialog dhe se vepron sipas urdhrave të Hashim Thaçit. “Ekipi është bisht i Hashim Thaçit. Ata e dinë shumë mirë që nuk kanë kurrfarë roli, janë thjesht pas veprimeve e pas lëvizjeve të Hashim Thaçit me klikën e tij”, pohoi Kurteshi.

Mosdakordancë mes ekipit negociator, “luftë” mes Qeverisë e Presidencës

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për “Zërin” se ndër shkaqet për vonesën e prezantimit të platformës është edhe mosdakordanca mes ekipit për përmbajtjen e platformës.

“Kjo vonesë e paraqitjes së platformës vjen si rezultat i faktorëve të ndryshëm, një prej të cilëve potencialisht mund të jetë edhe mungesa e dakordancës mes ekipit mbi platformën ose mbi parimet se si duhet të vazhdojë procesi i dialogut. Është krejtësisht e palogjikshme të mos respektohet një rezolutë, e cila ka pasur një bujë aq të madhe nga ana e vetë propozuesit, pra në këtë rast është pikërisht PSD-ja së bashku me partnerët e koalicionit qeverisës, të cilët janë duke i shkelur afatet kohore të cilat ata vetë i kanë përcaktuar”, ka thënë Cakolli.

Cakolli thotë se ideja e presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve do të sjellë “luftë” mes Presidencës e Qeverisë.

“Do të jetë një luftë, le të themi mes vetë Qeverisë e Presidentit, duke qenë se është përmendur mundësia që si pjesë e kësaj platforme të jetë edhe ndalimi për diskutimin rreth territorit të Kosovës, pra të kodifikohet në mënyrë të shkruar mundësia që të mosnegociohet për shkëmbim eventual të territoreve, por në anën tjetër kemi presidentin, i cili vazhdon të shtyjë përpara këtë ide të tijën për një periudhë mjaft të gjatë kohore”, theksoi Cakolli./ZERI