Moti për nesër, përgatituni mirë!

Aktuale January 16, 2019 - 23:29
Lexo Detajet

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka publikuar parashikimin e motit për të enjten.

Temperaturat e ulëta do të vazhdojnë të mbretërojnë edhe nesër në Kosovë, veçmas në Dukagjin, bën të ditur IHMK-ja përmes një komunikate për media.

“Vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e masave të ajrit me presion të rritur atmosferik. Në këto kushte do të mbajë mot me diell dhe re të shpërndara, të cilat re do t’i takojnë nivelit të lartë dhe të mesëm të troposferës”, thuhet në komunikatë.

Në ultësira do të ketë mjegull, ndërsa ngricat mbesin prezent në orët e hershme të ditës dhe gjatë natës. Si pasojë e kësaj gjendje anticiklonike nuk do të ketë qarkullim të mjaftueshëm të masave të ajrit që nënkupton se cilësia e ajrit do të shënojë vlera në kufijtë e pashëndetshëm.

“Për shkak të sasisë së lartë të reshjeve të dëborës që ranë ditëve të fundit në Dukagjin, temperaturat minimale atje do të jenë më të ulëta, krahasuar me vendet tjera të rrafshit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Vlerat minimale të temperaturave do të lëvizin ndërmjet -10 deri -8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 5-7 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugut dhe juglindjes e lehtë deri mesatare.