Selmanaj: Qeveria e ka degraduar shtetin e Kosovës

Aktuale January 16, 2019 - 12:42
Lexo tjera detaje

Sikurse Bashkimi Evropian (BE), edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ditëve të fundit kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që ta largojnë sa më parë taksën e vendosur prej 100 për qind ndaj produkteve serbe. Megjithëkëtë, Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë vendim për heqjen ose pezullimin e kësaj tarife, ndonëse kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se taksa do të mbetet në fuqi deri në vitin 2022 nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, shkruan Gazeta "Zëri". 

Teksa ka folur rreth kësaj çështjeje, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se  shqetësimi themelor ka të bëjë me faktin se si është e mundur që Kosova të pranojë ultimatum nga shteti më mik i saj. Të tilla çështje sipas tij në të kaluarën janë zgjidhur krejtësisht ndryshe, jo në formën siç po bën Qeveria aktuale.

“Kjo tregon për degradimin publik që i ka bërë kjo Qeveri e Kosovës shtetit të Kosovës, projektit të shtetit të Kosovës. Prandaj në këtë situatë mendoj që duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse nëse e cenojmë edhe këtë raport me shtetin më mik të Kosovës, atëherë mos po e vëmë në pikëpyetje edhe vetë ekzistencën e shtetit tonë”, ka nënvizuar ai gjatë një deklarate për “Zërin”.

Ndërkohë, gjersa ka komentuar raportimet rreth vështirësive për marrjen e vizës amerikane nga kryeministri, Selmanaj ka thënë se Haradinaj nuk po arrin ta kuptojë që ai është kryeministër dhe se veprimet e tilla të ndërmarra ndaj tij janë veprime të ndërmarra direkt ndaj shtetit të Kosovës. “Kjo po i bëhet shtetit të Kosovës, Qeverisë. Në këtë situatë ka përgjegjësi shumë serioze. Kam përshtypjen që kryeministri nuk ka mundësi t’i analizojë pasojat që mund t’i sjellë një raport i keq me SHBA-në”, ka theksuar ai, duke thënë se Kosova nuk guxon në asnjë rrethanë të lejojë që ta vërë në pikëpyetje raportin me SHBA-në./ZËRI