Opozita: Qeveria ka filluar të zmbrapset

Aktuale January 16, 2019 - 09:57
Lexo tjera detaje

Kryeministri Ramush Haradinaj deri para pak ditësh shprehej i bindur se taksa 100% ndaj produkteve serbe nuk do të hiqet pa njohjen e Kosovës nga Serbia. Megjithatë, së fundi Haradinaj për heqjen e taksës po kërkon garanci ndërkombëtare se në një afat të caktuar do të nënshkruhet marrëveshja për njohjen. Burime të gazetës “Zëri” thonë se Qeveria ka filluar zmbrapsjen “taktike” dhe se taksa do të hiqet brenda pak ditësh, shkruan Gazeta "Zëri".

Për këtë çështje deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë për gazetën “Zëri” se po shihet qartë se ka ndryshuar qëndrimi i Qeverisë së Kosovës për taksën ndaj produkteve serbe për shkak të presioneve ndërkombëtare.

LEXO EDHE: Tërheqja taktike për taksën

“Është evidente se ka ndryshuar qëndrimi, siç është evidente edhe se ka presion të drejtpërdrejtë. Nuk mendoj se duhet të tërhiqemi nga kjo masë, sepse nëse duhet të ndërhyjë dikush, atëherë kjo duhet të bëhet te të dyja palët. Serbia i ka 100 behane, siç thotë populli dhe duhet t’i korrigjojë. E natyrisht se Serbia punon kundër Kosovës, nuk e di se si ka mundësi që të ndodhë tërheqja e taksës”, ka deklaruar Kurteshi.

Ai më tej ka thënë se ekzekutivi kosovar nuk ka arritur ta bindë bashkësinë ndërkombëtare që të bëjë presion të Serbia për të mos e penguar Kosovën. “Natyrisht që Qeveria ka dështuar. E dimë se përveçqë nuk kemi njohje të reja, tani kemi edhe tërheqje të njohjeve për shkak të diplomacisë agresive të Serbisë ndaj Kosovës. Po ashtu Kosova nuk ka arritur të anëtarësohet në INTERPOL. Të gjitha këto janë dështime të Qeverisë dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme”, ka shtuar Kurteshi, shkruan Gazeta "Zëri".

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë për “Zërin” se Qeveria është dashur të analizojë mirë para se ta merrte vendimin për taksën 100%. Sipas tij, Qeveria tani ka filluar të zmbrapset në këtë çështje. “Masa që është marrë nga ana e Qeverisë së Kosovës për një taksë ndaj mallrave të Serbisë është dashur të analizohet dhe të kalkulohet mirë... Për neve si LDK shqetësuese janë vërejtjet që kanë ardhur nga SHBA-ja, shteti më mik dhe më meritor për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Prandaj në këtë kuadër shohim edhe tendencën e zbutjes së qëndrimeve të kryeministrit të vendit, i cili tani nuk po thotë se kjo taksë hiqet pas njohjes, por kur merr garancione nga ndërkombëtarët për epilogun e dialogut”, është shprehur Rugova.

Ai më tej ka thënë se vendime të tilla të pamenduara mirë e dëmtojnë Kosovën. Sipas Rugovës, kryeministri tani duhet ta negociojë çështjen e tërheqjes së taksës. “Politikat e tilla aventureske të pamenduara mirë konsideroj se e dëmtojnë edhe procesin e dialogut, edhe imazhin e Kosovës... Kryeministri tani duhet të ulet me kokë të ftohtë të analizojë, të negociojë me partnerët tanë strategjikë, në veçanti me SHBA-në, sepse Kosova nuk guxon dhe nuk duhet të dalë kundër interesave dhe kërkesave politike e gjeostrategjike të SHBA-së”, ka theksuar Rugova./ZËRI