Mediat serbe: Rama sërish grabit Kosovën

Aktuale January 16, 2019 - 09:10
Lexo tjera detaje

Gazeta e njohur serbe “Vecernje Novosti” ia ka kushtuar një shkrim të gjatë hapjes së Zyrës Doganore të Kosovës në Durrës, duke e konsideruar këtë akt si “qëllim të Edi Ramës për krijimin e Shqipërisë së Madhe”.

Në shkrimin me titull: “Rama sërish grabit Kosovën”, kjo gazetë shkruan se ka katër vjet që Prishtina dhe Tirana organizojnë mbledhje të përbashkëta qeveritare, ndërsa në njërën prej tyre ishte dakorduar hapja e kufijve.

“Me këtë synim, të martën në Durrës është hapur Zyra Doganore Kosovës, hap të cilin Rama e ka cilësuar si të parin drejt unionit doganor mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se ‘prej sot, Kosova e ka portin e saj’. Rama ka thënë se ‘Shqipëria e Madhe është trillim i armiqve’ dhe se ekziston ‘një komb shqiptar’”.

“Vecernje Novosti” konstaton se Kryeministri Edi Rama “përsëri ka folur konkretisht për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë”, njofton Klan Kosova.

“Rama ka thënë se marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë do të çojë drejt pranimit të Kosovës dhe ndarjes përfundimtare nga historia me Serbinë, kurse përmes marrëveshjes Kosovë-Serbi, të garantuar nga Amerika dhe BE-ja, Shqipëria do t’i bashkohej Kosovës”.

Pas ngjarjes në Durrës, për “Vecernje Novosti” ka folur Ivica Daçiq, Ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, i cili ka vlerësuar se “Edi Rama intensivisht e ka filluar projektin e ‘Shqipërisë së Madhe’ dhe tash atij i duhet që Serbia, me vullnetin e saj, përmes marrëveshjes, ta pranojë amputimin e Kosovës”.

“Kjo më së mirë flet se në çfarë aventure janë të gatshëm shqiptarët ta shtyjnë krejt Ballkanin, me ndihmën e heshtjes së turpshme të Brukselit dhe shteteve të fuqishme të Perëndimit. Ata le t’i ëndërrojnë ëndrrat e tyre, kurse Serbia do të vazhdojë që me mjete diplomatike dhe qasje konstruktive të luftojë për kompromis me Prishtinën, pa marrë parasysh që tash për tash kjo duket punë e kotë”, ka thënë Daçiq.

Edhe Aleksandar Vulin, Ministër i Mbrojtjes, ka deklaruar për “Vecernje Novosti” se do ta presin reagimin e fuqive të mëdha.

“Nëse do të mungojë kritika, atëherë porosia është e qartë dhe ne do të punojmë edhe më fort në zgjidhjen e çështjes kombëtare serbe. Të gjithat që u lejohen shqiptarëve, nuk do të mund t’iu ndalohen serbëve. Serbia do të përkujdeset për stabilitetin dhe popullin e saj. Dhe, për herë të parë do të përkujdeset vetëm për stabilitetin dhe popullin e saj”.

Vulin ka theksuar se në Ballkan asgjë nuk është pa raportin shkak-pasojë, prandaj çdo aksion nxit reaksion.

“Rama flet për bashkim të shqiptarëve, por i mendon të gjithë shqiptarët në Ballkan, ndërsa jo të gjithë jetojnë në Serbi. Më shumë se ideja e Ramës për ‘Shqipërinë e Madhe’ më intereson se si do të reagojnë Mali i Zi dhe Maqedonia, sepse është e qartë se këto dy vende qëndrojnë në rrugë të ‘Shqipërisë së Madhe’ dhe bashkimit të të gjithë shqiptarëve”.

Sipas Milovan Bozhinoviq, ambasador i dikurshëm serb në Berlin dhe në OSBE, vazhdimësia e deklaratave të Edi Ramës në të cilat e përmend bashkimin e Kosovës me Shqipërinë janë pasqyrim i atmosferës në të cilën disa shtete perëndimore u japin përkrahje liderëve politikë të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Kjo s’është çapkënëri dhe shkarje e një politikani ambicioz, por pjesë e një plani më të gjerë. Ideja është që në opinion të rrënjoset mendimi se ky bashkim do të ndodhë. Ata e presin një zhvillim të dëshirueshëm të ngjarjeve dhe aminimin e tyre. Krejt ndryshe do të ishte nëse ndokush nga BE-ja do t’i kundërshtonte ashpër, por kjo nuk po ndodh. Prandaj, porosia e shqiptarëve është: ‘të fuqishmit’ na e kanë shkelur syrin që ne të mund të dalim me porosi të këtilla”.

Image